
Bitcoin bie në nivelin më të ulët të dy muajve të fundit

Bitcoin ra në nivelin më të ulët të dy muajve të fundit ditën e enjte duke vijuar rënien e cila ka nisur prej disa ditësh, ndërsa paqartësitë e krijuara nga zgjedhjet presidenciale amerikane dhe raportimet e një furnizimi me bitcoin nga ish-bursa famëkeqe Mt.Gox, kanë shtuar presionin mbi kriptomonedhën.
Bitcoin ra me 2 për qind në 57,843 dollarë, niveli më i ulët që prej datës 2 maj dhe ka humbur 6 për qind të vlerës këtë javë.
Kriptomonedha më e madhe në botë ka qenë nën presion muajt e fundit ndërsa këtë javë rënia u përshpejtua pas debatit të parë presidencial mes Joe Biden dhe Donald Trump i cili la të kuptohej një ndërrim pushteti në SHBA.
Bitcoin e filloi 2024 fuqishëm pas lansimit të ETF-ve duke e dërguar në vlerën rekord prej 73,803 dollarë në mesin e muajit mars me investitorët të cilët u sulën të gjithë drejt kriptomonedhës.
Por që atëherë, Bitcoin ka humbur 21 për qind të vlerës.
Analistët gjithashtu drejtuan gishtin nga raportimet se Mt.Gox ka filluar të ripaguajë kreditorët e saj, një sinjal se këta të fundit mund të jenë duke konvertuar bitcoinët në para.
Ether, një tjetër kriptomonedhë e madhe, ra në 3,213 dollarë, ose 22 për qind më poshtë se rekordi i muajit mars.
(Kosova Sot Online)