“Kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë”, intervistë e rrallë e Ismail Qemalit në 1913 për “Le Matin”
Gazeta franceze, “Le Matin”, ka botuar, të premten e 4 prillit 1913, në faqen n° 3, intervistën e rrallë të Ismail Qemalit, i cili gjendej në kryeqytetin italian, Romë.
Lideri shqiptar ka folur për kufijtë e Shqipërisë, ku dhe ka ngritur shumë pyetje mbi qëllimet e Evropës (Fuqive të Mëdha) ndaj kombit tonë.
Kufiri me Malin e Zi ka qenë çështja më shqetësuese për kryetarin e qeverisë së përkohshme, i cili nuk ka nguruar të japë mendimin e tij.
Për më shumë, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
“Romë, 3 Prill. Shkresë e veçantë e gazetës “Matin” – E takova sot Ismail Qemalin, i cili gjendej i rrethuar nga disa anëtarë të qeverisë së përkohshme dhe shumë patriotë shqiptarë, të cilët, në shenjë falenderimi, urimi dhe përkushtimi, kishin ardhur për të mbështetur shefin e tyre që mban mbi supe të gjithë përgjegjësinë për të udhëhequr hapat e parë të shtetit të ri.
Ismail Qemali sillej me të gjithë si një baba; protokolli u la mënjanë në këtë mbledhje.
Kur u gjeta vetëm me Ismail Bej Qemalin, folëm fillimisht për udhëtimin e tij, pastaj e pyeta për kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë.
Ismail Qemali: Ja, kjo është pyetja kyçe, të tjerat janë pa interes ose të parëndësishme. Evropa, dëshiron një Shqipëri të qëndrueshme apo një vend fantazëm?
A dëshiron ajo një vend të pavarur apo preferon të krijojë një lodër, një instrument të thjeshtë për ambiciet e ndryshme të vendeve të Ballkanit? A do të sigurojë paqen apo të përgatisë rrëmujat e ardhshme? Nëse dëshira e saj është që të krijojë me të vërtetë një Shqipëri të lirë, atëherë duhet që kufijtë e dhënë prej saj të jenë të zgjeruar mjaftueshmërisht.
Gazetari: Kufijtë që Greqia ju propozon në jug a u përgjigjen aspiratave tuaja?
Ismail Qemali: Nuk janë ata që ne prisnim, por më së shumti është kufiri verior që na shqetëson. Traditat, zakonet e popullsisë në këto zona janë plotësisht shqiptare, dhe ne besojmë se Fuqitë e Mëdha do t’i marrin parasysh.
Gazetari: Ato (Fuqitë e Mëdha) kanë shprehur tashmë synimin e tyre për të ju dhënë Shkodrën, por çfarë do të ndodhë në qoftë se qyteti bie në duart e Malazezëve?
Ismail Qemali: Ne jemi tërësisht në duart e Fuqive të Mëdha. Ne nuk mund të ushtrojmë asnjë lloj presioni tjetër përveçse atij që rezulton nga forca e ligjit dhe kotësisë së pretendimeve malazeze. Malazezët kanë jetuar vetëm në shkëmbinjtë e tyre; ata nuk zbritën kurrë në fushë (ultësirë). Unë e kuptoj se ky rajon pjellor rrit oreksin e tyre. Traktati i Berlinit qe zemërgjerë për ta ; Po ashtu si Franca në Bruksel, ata nuk mund të kenë më shumë të drejta në Shkodër.
Në këtë qytet, çdo gjë është shqiptare, traditat, zakonet, feja. Banorët janë katolikë ose myslimanë, ndërsa malazezët, në të kundërt, janë ortodoksë. Shkodra është koka e Shqipërisë, dhe Fuqitë e Mëdha, nëse janë të gatshme të mundësojnë lindjen e saj, atëherë nuk mund ti presin kokën paraprakisht.
U ndava me Ismail Bej Qemalin. Sapo njoftuan ardhjen e ambasadorit të Turqisë.”
(Kosova Sot)