Zbulohen pjesë të tjera nga ditari sekret i Enver Hoxhës: Roja sovjetike u ktheu automatikun marinarëve tanë…
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari politik i Enver Hoxhës, të cilat i përkasin periudhës kohore 9 mars – 30 prill të vitit 1961, ku udhëheqësi komunist i Shqipërisë, ka mbajtur shënime dhe ka analizuar ngjarjet dhe raportet zyrtare në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe qeverisë shqiptare.
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari politik i Enver Hoxhës, të cilat i përkasin periudhës kohore 9 mars – 30 prill të vitit 1961, ku udhëheqësi komunist i Shqipërisë, ka mbajtur shënime dhe ka analizuar ngjarjet dhe raportet zyrtare në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe qeverisë shqiptare, me Moskën zyrtare, duke u përqëndruar jo vetëm në marrëdhëniet në mes dy vendeve, siç ishin problemet me incidentet në ‘Bazën Ushtarake’ të Vlorës kur sovjetikët donin të tërhiqnin prej andej të gjitha nëndetëset, anijet dhe arsenalin ushtarak, por edhe ato të situatës ndërkombëtare, siç ishte ‘Mbledhja Konsultative e Komisionit Politik’ e vendeve të Traktatit të Varshavës, ku asokohe aderonte dhe Shqipëria, që ishte caktuar të mbahej më datat 28 dhe 29 mars të atij viti dhe gjithashtu marrëdhëniet e raportet zyrtare me një sërë partishë komuniste dhe shtetesh të ndryshme si; Kina, Koreja e Veriut, Vietnami, Hungaria, Jugosllavia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Kuba, Franca etj. Si i’u përgjigj Enver Hoxha kërkesave të palës sovjetike lidhur me “Bazën e Vlorës” dhe përse ai i refuzoi ftesat për në mbledhjen e Traktatit të Varshavës, ku do të merrnin pjesë dhe asistonin të gjithë udhëheqësit më të lartë të vendeve anëtare, duke filluar nga sekretarët e parë të partive, kryeministrat, ministrat e Mbrojtjes, ata të Punëve të Jashtëme, etj.?!
“Në orën 5 të mëngjesit mora një radiogram nga delegacioni ynë që ndodhet në Moskë për të marrë pjesë Mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të vendeve anëtare të ‘Traktatit të Varshavës’. Më njoftojnë se mareshali Greçko, në orën 23 të ditës së djeshme, u kishte dorëzuar një letër me qëllime frikësimi dhe shantazhi. Në të ai kërcënonte se, në rast se ne nuk pranojmë që baza e Vlorës të bëhet krejt sovjetike dhe të gjitha anijet të merren krejtësisht në dorëzim nga sovjetikët, atëherë ai do ta shtrojë këtë çështje në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës dhe do kërkojë nga qeveria sovjetike, që baza të hiqet fare nga Vlora. Siç shihet, kjo kërkesë kërcënuese sovjetike i përngjet kërkesës së dikurshme titiste për dërgimin e “të famshmëve” divizione jugosllave në Shqipëri, gjë që kishte për qëllim pushtimin e Shqipërisë. Është e qartë, po këto qëllime ka dhe qeveria e Hrushovit. Sovjetikët kërkojnë të shkelin traktatet dhe marrëveshjet që kanë nënshkruar, ta kenë Vlorën bazë të tyre dhe të bëjnë atje çfarë të duan. Por atyre këto nuk u shkojnë dhe nuk kanë për t’u shkuar kurrë me ne. Prandaj i porosita shokët e delegacionit, se si t’u përgjigjen sovjetikëve, zjarr për zjarr, dhe Greçkoja e mori përgjigjen para se të mbante raportin e tij në mbledhje, sot”. Kështu shkruante në mes të tjerash Enver Hoxha në ditarin e tij sekret, plot 60 vite më parë në fundin e marsit të vitit 1961, kur “e çara” që kishte filluar në mes marrëdhënieve zyrtare të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe Kremlinit, jo vetëm që nuk mund të “mbyllej” dot më, por ajo po “zmadhohej” për ditë e më shumë. Kjo gjë duket mësëmiri edhe në shënimet e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës, të mbajtura në ditarin e tij në periudhën mars – prill të vitit 1961, kohë kjo mjaft e ngarkuar me ngjarje të shumta jo vetëm në arenën ndërkombëtare, siç ishte ‘Mbledhja e Komitetit Politik Konsultativ’ e vëndeve anëtarë të Traktatit të Varshavës, ku aderonte asokohe edhe Shqipëria, por edhe me ngjarje të tjera, madje shumë më të rëndësishme, siç ishte situata e nderë në Bazën Ushtarake të Vlorës, ku pala sovjetike kërkonte që të merrte të gjithë arsenalin e saj ushtarak që kishte sjellë aty që në mesin e viteve ’50-të, kur marrdhëniet në mes dy vëndeve ishin “në muajt e mjaltit”. Por kjo gjë po haste në kundërshtimin e prerë të udhëheqësit komunist shqiptar, i cili me të gjitha mënyrat po i refuzonte kërkesat dhe presionet e palës sovjetike me në krye Nikita Hrushovin, madje duke e etiketuar atë si “armikun më të madh”, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gjithë “popujve paqedashës të botës”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhës, mbajtur prej tij në periudhën, 9 mars – 30 prill 1961, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë.
(Kosova Sot Online)