Mjeku personal: Enver Hoxha pësoi infarkt gjatë ditëlindjes, pse Hysni Kapo s’donte të thërrisnim mjekë të huaj ?!
Të ishe doktori personal i Enver Hoxhës ishte një rrezik i vazhdueshëm. Në dorën e tij varej jeta e diktatorit. Çfarë mendimesh mund t’i shkonin nëpër mend një mjeku të ri, të cilit i kishin besuar një detyrë kaq të vështirë dhe me rëndësi.
Në librin e tij me kujtime dhe reflektime “BLLOKU: Rrëfimi i mjekut personal të Enver Hoxhës”, prof. Isuf Kalo tregon “prapaskena” nga jeta e ish-Bllokut të udhëheqësve, mes të cilëve edhe si progresoi sëmundja e Enver Hoxhës.
Kur iu shfaqën për herë të parë shqetësimet në zemër, kur e kreu vizitën e parë si mjek i ri, kur i ndodhi infarkti i parë dhe qëndrimi i Nexhmijes. Cila ishte skuadra e mjekëve që e vizitoi në vilën e Durrësit, ku po pushonte në korrik të vitit 1973 dhe pse Hysni Kapo nuk donte të thërrisnin mjekë kinezë.
Nga Isuf Kalo
Furtuna e parë
Në të vërtetë, “klithmën” e parë serioze të sëmundjes ishemike zemra e Enverit e pat dhënë gjatë orëve të natës në mesin e korrikut 1973, ndërkohë që ai po pushonte në plazhin e Durrësit. Unë kisha vetëm pesë ditë që isha emëruar dhe ardhur aty si mjek i tij. Sulo Gradeci më pati vendosur aty pranë në një dhomë pa telefon të “stabilimentit”, siç quhej vendi ku në mbrëmje udhëheqësit mblidheshin pasditeve vonë për biseda dhe kafe. Me kërkesë të Nexhmijes, në orën dy të natës, më zgjoi i alarmuar Fahriu, një djalë i ri 23-vjeçar ndihmësmjek dhe njëkohësisht oficer shoqërues i Enverit dhe të dy bashkë u drejtuam me vrap për në vilën e tyre rreth 100 metra më tutje. Aty kishim çantën e ndihmës së shpejtë dhe një aparat portativ elektrokardiograme.
U ngjitëm me një frymë në katin e dytë dhe e gjetëm Enverin në dhomën e gjumit, të shtrirë gjysmëndenjur në shtrat, kurse Nexhmijen të ulur përballë tij në një divan me një libër në duar. Ai dukej i qetë dhe madje kërkoi falje për shqetësimin në atë orë të vonë, por “ç’t’i bëjmë Nexhmijes që alarmohet” tha.
Nexhmija shpjegoi se ai ndiente një shqetësim të zgjatur si dhembje dhe përzierje, “një indixhestion në bark”, siç u shpreh ajo, që nuk po e linte të flinte dhe nuk po i qetësohej me gjithë barnat për tretje të ushqimit që ajo vetë ia kishte dhënë, ndërsa na tha se na thirri se mos kishim diçka më të fortë e më efektive.
Unë i kërkova leje pacientit nëse mund ta ekzaminoja. Ai u bind menjëherë. Ishte vizita e parë dhe hera e parë që vija dorë në trupin e tij. Zemra e tij rrihte mirë (imja rrihte edhe më fort!), por barku ishte i butë, pa meteorizëm dhe pa dhimbje në prekje. Asokohe Enveri ishte 65 vjeç, me mbipeshë të dukshme trupore, duhanpirës “i egër” (80 cigare në ditë), i sëmurë me diabet të shfaqur prej 25 vitesh, që bënte jetë sedentare, pa aktivitet fizik dhe me stres të vazhdueshëm në punë.
Ekzaktësisht me të tillë faktorë rrezikues për zemrën pat vdekur papritur nga infarkti i miokardit në moshën 52-vjeçare Gamal Abdel Naseri, President i Egjiptit. Ngjashëm me të edhe Gogo Nushi tre vjet më parë, në moshën 57-vjeçare, me të njëjtat rreziqe dhe diagnoza edhe ai. Çdo mjek që kishte në dispozicion një aparat elektrokardiogram për t’ia regjistruar zemrën në atë çast nuk do ta humbiste këtë rast.
Për të zbuluar nëse ajo çka ai ankohej kishte lidhje me isheminë në zemër apo jo, së paku ajo diagnozë si më e rrezikshmja duhej verifikuar. Prandaj, me droje apo thuajse si lutje i propozova t’i bënim një elektrokardiogram. Nexhmija kërceu nga vendi e habitur. “Jo, doktor”, – tha, – “Enveri nga zemra nuk ka pasur asnjëherë problem (e ka zemrën çelik i kishin thënë asaj dhe atij duke i uruar gjithmonë)”. Por çuditërisht ai vetë miratoi me dashamirësi.
“Po mirë, e bëjmë kur të kthehemi në Tiranë”, tha ai, duke iu referuar asaj që kishte bërë gjatë kontrolleve periodike me aparatin stacionar në klinikën speciale. “Ajo ka vlerë më të madhe kur bëhet gjatë çasteve të shqetësimit”, – guxova ta sqaroja unë. – “Po na lejuat, mund ta bëjmë edhe tani”.
“Tani? Këtu?”, pyeti i çuditur ai?
“Po, me një aparat portativ që e kemi poshtë”.
Ai pa nga Nexhmija dhe e neutralizoi reagimin me shumë të ngjarë refuzues të saj. Ajo dukej e bindur që po bënim një procedurë munduese dhe të panevojshme për të. (Në fakt ajo mund të rezultonte edhe si e tillë). Por pacienti na inkurajoi:
“Mos t’ia prishim doktorit, Nexhmije”, — i tha asaj, — “se është i ri dhe e ka sefte”.
Nexhmija heshti e pakënaqur, besoj dhe e penduar që më kishte thirrur. Fahriu zbriti në katin përdhes dhe solli aparatin e elektrokardiogramit. Për dreq, ne të dy me Fahriun patëm ca vështirësi dhe peripeci teknike deri sa e regjistruam, sepse në atë dhomë nuk bëhej dot tokëzimi i duhur për aparatin. Por teksa shihja çfarë po regjistrohej, mendova se kisha ardhur me këmbë ters. Elektrokardiogrami nuk po tregonte “zemër çeliku”. Në të kishte shenja të freskëta të ishemisë. “Eh, çfarë shkroi?”, pyeti Enveri kurioz.
Unë u turbullova. Duhej t’ia thosha të vërtetën? Përndryshe si do t’ia argumentoja masat e duhura të mëtejshme dhe mjekimin?
“Ka ca ndryshime që duhen verifikuar me ato të mëparshmet dhe në vazhdim”, i thashë.
Ai nuk m’u duk i alarmuar. Vetëm se e mori shiritin prej letre në duar dhe e pa ngultas disa çaste vetë. Po përpiqej të shquante në ato “hieroglifë” të shkruar aty “armikun” e ri, të paparashikuar, të fshehur brenda zemrës së tij. I dhamë një tabletë nën gjuhë dhe një tjetër që e piu sa kohë ishim aty. Ne u larguam nga dhoma, por jo nga vila e tij. Qëndruam në pritje dhe gatishmëri gjatë gjithë natës në katin përdhes. Unë i trembur lutesha me vete që gjendja të mos përkeqësohej, kurse Nexhmija nuk e besoi, ose nuk ia donte zemra ta besonte që Enverit sëmundja i kishte prekur zemrën. Prandaj, duke na përcjellë jashtë derës, ajo na porositi: “Mos bëni alarm”.
Në fakt, Enveri duhej vendosur që atë natë në monitorim të vazhdueshëm, sepse situata mund të keqësohej në mënyrë të papritur. Sidoqoftë, teknikisht kjo ishte e pamundur. Mungonin mjetet, sepse kjo situatë nuk ishte parashikuar. I ndodhur larg Tiranës dhe pa monitorim të pandërprerë të situatës në zemër, jeta e Enverit atë natë ishte seriozisht e rrezikuar, ose e thënë më saktë, ishte në dorë të fatit. Nuk kishim monitor, as defribilator, as ambu, as oksigjen, as specialist kardiolog, as reanimator për të ndërhyrë dhe shpëtuar jetën në rast infarkti të gjerë.
Nexhmija nuk ishte konshiente për rrezikshmërinë e gjendjes, as për mangësitë që pengonin jetëshpëtimin. Zemra nuk kishte qenë në axhendën e shqetësimeve madhore shëndetësore të tij. Prandaj, ajo na tha të mos alarmonim askënd nga udhëheqja gjatë natës, as të sillnim me urgjencë mjekë të tjerë. Atë natë, i shokuar, mallkova veten që isha bërë mjek, si edhe fatin që më kishte sjellë në një terren të tillë të minuar, me aq shumë rreziqe.
Por Sulo Gradeci, që ishte zgjuar dhe po na priste i shqetësuar në katin përdhes të vilës, më tha: “Nëse të duhen mjekë të tjerë, më thuaj që t’i sjell të gjithë gjatë natës menjëherë”. Kërkova së paku profesor Fejzi Hoxhën, që i kishte ndjekur prej shumë vitesh problemet shëndetësore të Enverit, si dhe dr. Nikolla Shurbanin, shefi i Kardiologjisë, që pati qenë përpara meje gjatë disa viteve mjek personal i Enverit. Suloja nisi me urgjencë menjëherë shoferin Myslym Kore dhe rreth dy orë më pas, të dy kolegët e shquar ishin prezentë me mua aty. U ndjeva i lehtësuar. Ata i vlerësuan po ashtu ndryshimet në elektrokardiogram dhe mjaft të rrezikshëm episodin e ishemisë së freskët.
Atë natë nuk fjetëm. Pati një shtrëngatë shiu me rrebesh, me vetëtima dhe bubullima që gjëmonin frikshëm. E gdhimë me zemër të ngrirë në pritje atë natë së bashku me profesorët e mi, të pafuqishme të bënim më shumë. Të nesërmen në mëngjes pacienti u zgjua pa shqetësime. Ai pranoi ta vizitonim të tre së bashku. Elektrokardiogrami i mëngjesit ishte disi më mirë. Së paku nuk tregonte përkeqësim. Enveri filloi që atë ditë mjekimin me koronarodilatator të asaj kohe. Disa ditë pas atij episodi Enveri u shpërngul për pushime nga Durrësi për në malin e Dajtit.
Një ndalesë disaorëshe në Tiranë e shfrytëzuam për t’i vlerësuar gjendjen e zemrës dhe elektrokardiogramet me dr. Ylli Popën, dr. Hajro Shytin dhe dr. Ahmet Kamberin, të tre kardiologë, të cilët e vlerësuan shqetësuese situatën e re të krijuar. Në Dajt, si mjek e shoqërova vetëm unë. Nuk pati kriza të reja. Kriza serioze në të cilën u evidentua infarkti i miokardit ndodhi me 16 tetor 1973, pasi ai priti një numër të madh personash që e uruan me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij.
Jeta në rrezik
Në elektrokardiogramin që i bëra në mbarim të vizitave pasdite vonë, shenjat e ishemisë ishin më të dukshme. U dha alarmi. U mblodh brenda orës konsulta dhe Enveri u vendos për disa muaj në regjim shtrati. Ishte hera e parë që kjo po i ndodhte në jetë. Asokohe ai ndodhej me banim në Vilën nr. 4, brenda territorit të Pallatit të Brigadave, sepse vila e tij në Bllok ishte në rikonstruksion dhe zgjerim.
Konsulta e zgjeruar mjekësore aty përbëhej nga profesor Fejzi Hoxha, profesor Petrit Gaçe – kardiokirurg; profesor Nikolla Shurbani, dr. Ylli Popa, dr. Hajro Shyti – të tre kardiologë, ndërsa unë dhe profesor Hoxha diabetologë. Konsulta qëndroi ditët e para vazhdimisht e mbledhur në gatishmëri në ndërtesën e shkollës së Ministrisë së Brendshme, pak metra larg Vilës nr. 4.
Unë dhe Fahriu u vendosëm në gatishmëri ditë e natë brenda vilës, përballë dhomës ku ishte në shtrat Enveri, për të ndërhyrë në çdo moment, si dhe për të informuar grupin tjetër për çdo gjë të re. Ndërkohë, pacienti ekzaminohej herë prej profesor Hoxhës e dr. Popës, ndonjëherë edhe dr. Shurbanit, të cilët i shoqëroja edhe unë.
Kurse zbatimin e mjekimeve të rekomanduara nga konsulta i kryenin atje dy infermieret Kostandina Naumi dhe Afërdita Milori, të cilat ndërroheshin mes tyre çdo 24 orë brenda vilës. Me gjithë masat e marra, ishemia në zemër disa kohë avancoi, çka na detyroi të kërkonim të na vinin në ndihmë kolegë më të specializuar nga jashtë.
Kërkesa u bë më e domosdoshme pas një episodi të vështirë përkeqësimi që ndodhi më 4 janar 1974. Natën, në të gdhirë, ai pati vështirësi në frymëmarrje dhe në elektrokardiogram iu shfaq për herë të parë aritmia, rrahje të çrregullta të zemrës. Gjendja u dominua shpejt me mjekim intravenoz dhe me oksigjen, por ky episod sinjalizonte avancim të sëmundjes ishemike dhe instalimin e një situate të re, me rreziqe imediate për jetën e të sëmurit.
Kërkova takim urgjent me Hysni Kapon. Shkuam të dy me dr. Ylli Popën, kardiologun më të mirë që kishim. Hysniu na priti në shtëpinë e tij në Bllok. Për karakterin sekret të bisedës, ai na ftoi të dilnim të tre jashtë në kopshtin përreth shtëpisë së tij.
Lashë Yllin të fliste: “Situata është alarmante, nuk dihet çfarë rruge merr. Episodi që ndodhi ishte vetëm një fllad përpara furtunës që mund të pasojë”, tha ai.
Hysniu dëgjoi i heshtur, i përqendruar. “Nuk e mbajmë dot ne të vetëm përgjegjësinë. Na duhen ekspertë nga jashtë”, vazhdoi Ylli.
“Nga jashtë, nga?” — pyeti Hysniu. — “Në Perëndim nuk hapemi dot”. “Fundja nga Kina”, tha Ylli. Ai kishte qenë pak kohë më parë në Kinë dhe kishte takuar atje një profesor kardiolog të zot.
“Mirë mo mirë, po punët as me ata nuk janë siç i dini ju”, u përgjigj në dilemë Hysniu.
Sidoqoftë, erdhi një grup mjekësh kinezë, me në krye prof. Çu, drejtues i klinikës në Kinë, ku unë dhe dr. Hektor Peçi u specializuam në vitet 1965–1966.(Marrë nga libri “Blloku” i UETPress)
(Kosova Sot Online)