
Skënderbeu i Romës
Shqiptarët e Italisë përkujtojnë këtë të shtunë 547-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ambasada Shqiptare organizon me këtë rast në Romë projektimin e filmit historik “Skënderbeu” në “Shtëpinë e kinemasë”, pozicionuar në brendësi të Vila Borgezes, një nga parqet më të bukura të kryeqytetit italian. Interesi për këtë ngjarje si në rrjetet sociale ashtu dhe në komunitetin e shqiptarëve, arbëreshëve, por edhe tek qytetarët romanë qe i menjëhershëm. Të tregosh historinë e një populli që aktualisht përfaqësohet me rreth gjysmë milioni emigrantë apo me mbi 100 mijë arbëreshë prani shekullore në këtë shtet, me anë të artit të kinemasë është një nga kënaqësitë e rralla që realiteti i sotëm nuk të ofron shpesh.
Shqiptarët e Italisë përkujtojnë këtë të shtunë 547-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ambasada Shqiptare organizon me këtë rast në Romë projektimin e filmit historik “Skënderbeu” në “Shtëpinë e kinemasë”, pozicionuar në brendësi të Vila Borgezes, një nga parqet më të bukura të kryeqytetit italian. Interesi për këtë ngjarje si në rrjetet sociale ashtu dhe në komunitetin e shqiptarëve, arbëreshëve, por edhe tek qytetarët romanë qe i menjëhershëm. Të tregosh historinë e një populli që aktualisht përfaqësohet me rreth gjysmë milioni emigrantë apo me mbi 100 mijë arbëreshë prani shekullore në këtë shtet, me anë të artit të kinemasë është një nga kënaqësitë e rralla që realiteti i sotëm nuk të ofron shpesh.
Është një nga ato mundësitë që duhen mbërthyer fort për t’u mbrojtur nga shërbimi mediatik i çdo ore o dite mbi kronikën e zezë, problematikën sociale apo përpjekjet politike të një kombi të lashtë si Shqipëria. Projektimi i filmit “Skënderbeu” i realizuar më 1953 nga regjisori rus Sergej Yutkevich, fitues i dy palmave të Arta në Festivalin e Kanës është një vepër biografike mbi heroin tonë kombëtar, dhe një kujtesë e mirë historike veçanërisht për atë brez të dytë emigrantësh shqiptarë në Itali, fëmijët e atyre që dikur thyen ambasadat apo rrëmbyen anijet në emër të lirisë, të asaj lirie që gati gjashtë shekuj kërkonte gjatë vizitave të tij në Romë, Gjergj Kastrioti.
Gjergj Kastrioti është jo vetëm hero i shqiptarëve, por edhe një prani e përditshme urbanistike e këtij qyteti. Duke shëtitur nëpër rrugët e Romës, mes ndërtesave antike, herë jo shumë larg Koloseut e herë mjaft pranë “Fontana di Trevit” ndeshesh me monumentin “Skënderbe”, pallati “Skënderbe”, rrugica “Skënderbe”, sheshi “Skënderbe” etj.
Monumenti “Skënderbeu” në Romë e sheshi “Albania”
Qe 27 tetori i vitit 1940 kur Benito Musolini në praninë e autoriteteve më të larta zyrtare të qytetit përuroi në Romë Monumentin e Skënderbeut. Kronistët e kohës e komentojnë si një ditë vjeshte e shiu të fortë. Monumenti u vendos në atë që dikur quhej sheshi “Raudusculana”, emri i një porte antike të Mureve Serviane. Pak muaj më parë në 4 korrik të 1940, për të kujtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria Italiane (më 16 prill 1939) ky shesh ndryshoi emër e u quajt Sheshi “Albania”. Gjendet në zemrën e Romës antike mes lagjes San Saba e Aventinos, një nga shtatë kodrat ku sipas legjendës u themelua qyteti i Romës. Monumenti i Skënderbeut u realizua nga fiorentini Romano Romanelli. Lindur më 14 maj të vitit 1882 në Firence, ky artist, mik i poetit Gabriele D’Annunzio, rridhte nga një familje me emër skulptorësh e i ati u bë dhe mësuesi i tij. Njëkohësisht Romanelli qe dhe një funksionar i lartë i Marinës Italiane e gjatë Luftës së Parë Botërore mbetet invalid. Aftësitë e tij artistike por dhe lidhjet me shtresën e lartë të politikës italiane të asaj kohe, i ngarkuan detyrën e realizmit të bustit të heroit Kombëtar të Shqipërisë, në kryeqytetin italian Romë, në sheshin me emrin e vendit fqinj dhe në një moment kaq të veçantë e historik për dy vendet.
Monumenti i Skënderbeut është realizuar mbi një grup bronzi i rëndë 35 kuintalë e paraqet Heroin tonë Kombëtar mbi kalin e tij të pandashëm, veshur nën armaturën e hekurt, me përkrenaren e shpatën gati për luftim. Guvernatorit të Romës (funksionari më i lartë administrativ i qytetit në epokën e fashizmit) iu kërkua që brenda pak kohe të siguronte bazamentin mbështetës të veprës ë Romanellit, tashmë i përfunduar e gati për inaugurim. Brenda 26 ditësh u sigurua piedestali i shndritshëm, i gurtë, i tipit travertino që peshonte rreth 75 kuintalë. Së bashku formojnë Monumentin e Skënderbeut në sheshin “Albania” ku më vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Komuna e Romës vendosi pllakën përkujtimore.
Pallati Skënderbeu në Romë e rrugica “Skënderbeu”
Pak metra nga Presidenca Italiane, mjaft pranë monumentit më të bukur roman “Fontana di Trevi”, mes rrugëve që evokojnë ngjarje e histori të një prej perandorive më të fuqishme në botë, mbi portën e një ndërtese të ‘500, një pllakatë shkruan “GEOR CASTRIOTA A SCANDERBEG PRINCEPS EPIRI AD FIDEM. ICONIS REST AN DOMINI MDÇCXLIII”. Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, princi i Epirit dhe i besës. Imazhi në të majtë i përket restaurimit të vitit 1843.
Në zemër të kryeqytetit Italian Romë, aty ku arkitektura njerëzore ka ndalur kohën e ka krijuar ndërtesat, monumentet, sheshet më të bukura në botë, mes mijëra bliceve ditore që nënshkruajnë fotografitë turistike “from Rome to love”, gjendet rruga “Skënderbeg” e buzë saj pallati që i dha këtë emër. “Scannabecchi” e quanin romanët autoktonë, banorët e kësaj lagje antike, të pamësuar me shqiptimin e një emri “të çuditshëm”, e historikisht e cilësuar si rrugica e parë në Romë që nderon një të huaj.
Rruga “Skënderbeg” quhet e tillë nga Pallati Skënderbeg, i gjendur në mes të rrjedhës së saj, në numrin civil 117. Kjo ndërtesë katërkatëshe që mbi portën qëndrore ka të shkruar: “GEOR CASTRIOTA A SCANDERBEG PRINCEPS EPIRI AD FIDEM. ICONIS REST AN DOMINI MDCCCXLIII”, i përket vitit 1400, me një rëndësi historike që nuk lë vend për dyshim nga emërtimi i saj. Pak metra nga Presidenca italiane, mjaft pranë Fontana di Trevi, në një nga vendndodhjet më piktoreske të Romës rruga dhe Pallati “Skënderbeg”, nderojnë heroin tonë kombëtar e atë pjesë të historisë shqiptare në përpjekje për të qenë sa më pranë Perëndimit.
Qe 12 dhjetori i vitit 1466 kur Gjergj Kastrioti mbërrin për herë të parë në Romë për të takuar Papën Paolo II. Qëllimi i tij ishte të bënte me dije gjithë botën perëndimore mbi avancimin e suksesshëm të ushtrisë turke, rrezikun e ardhshëm që po i kanosej Italisë, si dhe një mbrojtje e ndihmë për popullsinë e krishterë shqiptare, e kërcënuar çdo ditë e më shumë nga otomanët. Skënderbeu vendos raporte me tre papë: Nicola V, Callisto III, Pio II e Paolo II, e ky i fundit i jep titullin “Atlet i Krishtit”.
Prej dhjetorit të 1466 e deri në pranverë të 1467, Gjergj Kastrioti udhëton tre herë drejt kryeqytetit italian duke siguruar një ndihmë financiare prej 5000 dukatesh, garancinë e Papës për ta ndihmuar me njerëz e mjete si dhe mbrojtje e vendstrehim e tij në Pallatin San Marco. Mirëpo legjendat thotë se Princi shqiptar preferon të qëndrojë në banesën e një tregtari epirot, ajo që sot quhet Pallati “Skënderbeg” ose në versionin tjetër që princi shqiptar ndërton këtë pallat si rezidencën e tij të ardhshme në kryeqytetin italian.
Për të mbërritur deri aty, pa humbur nëpër rrugicat e shumta që derdhën në sheshe e monumente të rëndësishme të qendrës, rruga më e sigurtë është të ndjekësh drejtimin për tek Harku Dataria. Bëhet udhërrëfyese Rruga “Panetteria” (e furrës të bukës) e quajtur e tillë nga furri i bukës që dikur furnizonte familjen papale e cila banonte në Pallatin Presidencial, jo pak metra prej aty, e shuante urinë e mijëra të varfërve në kohën e zisë. Harku Dataria të ofron shikimin e parë drejt sheshit Skënderbeg, arkitektura e tij krijon kornizën natyrale të një pikture lëvizëse. Sapo e kapërcen, nis e përshkon rrugicën Skënderbeg. Një restorant buzë saj me dy-tre tavolina druri po përgatitet të kaloj mbrëmjen, një fizarmonikë e vjetër shoqëron zërin e një artisti të rrugës, që rrethuar nga disqet e vjetër gati për shitje, këndon “…quanto sei bella Roma quand’e’ er tramonto, quando l’arancio rosseggia, ancora su sette colli…” (sa e bukur je Romë në perëndim…) Në mes të rrugicës, aty ku drita e perëndimit merr më shkëlqim, ndërsa fillimi e fundi i rrugës bëhet akoma më i errët shkruhet “Sheshi Skënderbeg”. Përballë tij pallati po me të njëjtin emër.
Dy burra të ulur mbi një vazo guri të improvizuar si stol nxitojnë të tregojnë se Muzeu është i mbyllur, ka kohë që rri i mbyllur. Muzeu? Po, po Muzeu! Pallati Skënderbeg, vendbanim e pronë e heroit tonë Kombëtar ka vite që është kthyer në muze, veç jo për të ruajtur e treguar historinë e emrit që ai mbart. Pallati Skënderbeg, mes sheshit Skënderbeg, në rrugën Skënderbeg në Romë sot është Muze i Makaronave. Aktualisht ka muaj që rri mbyllur për restaurim, e është e pamundur ta vizitosh.
“Po ai zotëria, imazhi i të cilit është mbi portë, kush është?- pyes dy romanët e vjetër, thjesht për të luajtur deri në fund lojën e një turiste në kërkim të muzeut të Makaronave. “Është kardinal- përgjigjen, kardinal i huaj”. Si? Jo jo e keni gabim, u them me buzë në gaz. Insistimi i tyre më çarmatos fjalët e rri e dëgjoj fantazinë e tyre: “ …ja ka veshje të kuqe me pelerinë krahëve, kapele në kokë, është i huaj e ka qënë Kardinal i Papës…ndoshta do ketë kontribuar dikur në përhapjen e makaronave italiane në botë…”
I afrohem ndërtesës. Mbi portën jeshile shkruhet; “GEOR CASTRIOTA A SCANDERBEG PRINCEPS EPIRI AD FIDEM. ICONIS REST AN DOMINI MDCCCXLIII”.
I pozicionuar mes një lagje tipike mesjetare romane, mes ndërtesash të ‘600-800, Pallati Skënderbeg është ndoshta një nga më të vjetrit e zonës. I ngritur në katër kate, dritaret me korniza të thjeshta që ndjekin njëra tjetrën, shohin drejt sheshit të vogël që mbush hapësirën para tij e që quhet po me të njëjtin emër “Skënderbeg”. Restaurimin e parë zyrtar ky pallat, duke u rinovuar plotësisht, e merr më vitin 1843, ashtu siç shkruhet dhe në hyrje të tij pranë pikturës së Skënderbeut. Po sipas legjendës thuhet se trashëgimtarët e Skënderbeut kanë për detyrim, ruajtjen e konservimin sa më të mirë të kësaj pikture, e ndoshta kjo ndërtesë ka qenë dikur dhe vendndodhja e pelegrinëve të parë shqiptarë, besimtarë të fesë së krishterë.
Gjysmë bust e në profil, heroin ynë kombëtar mban vërtetë veshje ku mbizotëron ngjyra e kuqe e kapeles që mban në kokë dhe e pelerinës mbi krahë, por që janë pa dyshim tipare etnografike të një Princi të rëndësishëm shqiptar.
Brenda Pallatit një shkallë në formë spirale të çon nga një kat në tjetrin, tavane të harkuara apo të zhveshura me tra druri, nënshkallë e kthina, salla sa majtas djathtas, një vetratë zbulon një verandë të vogël, ngjyra të ngrohta e mjaft hapësira boshe. Pallati Skënderbeg apo Muzeu i Makaronave është në restaurim, ka muaj që është në restaurim, dhe pse ta gjykosh nga as sa mund të shohësh nuk ka gjurmë të tilla. Në website-in zyrtar të tij lexohet: Mirë se vini në Muzeun Kombëtar të Makaronave, unik në botë. Në 11 sallat janë ekspozuar 8 shekuj histori të pjatës së parë kombëtare, shpikjes italiane që bota na e ka zili. Në seksion historik të muzeut shpresova të lexoj pak rreshta mbi 6 shekuj histori që heroi ynë Kombëtar I ka dhuruar me emrin e tij kësaj ndërtesë, por dhe aty po të njëjtat fjalë “…sallë pas salle do zbuloni të gjitha proceset për përgatitjen e brumit të makaronave deri në procesin e tij final…”
Ndërsa informacion njofton ;”Komunikim i rëndësishëm. Muzeu aktualisht është i mbyllur për restaurim. Vendi dhe data e rihapjes do të komunikohet muajt që vijnë”.
Fjalia e fundit vë në dyshim vendndodhjen e ardhshme të Muzeut Kombëtar italian të Makaronave, e ndoshta lë shpresës se polemikat shumëvjeçare të një komitetit të ngritur enkas për të kundërshtuar praninë e tij në Pallatin e një heroi Kombëtar kaq të rëndësishëm për shqiptarët, po marrin drejtësi.
Rikthehem në praninë e dy të moshuarve romanë, ulem parën tyre në vazon gjigante prej guri të kthyer në stol, përballë Pallatit Skënderbeg, në mes të sheshit Skënderbeg, në numrin 117 të rrugicës Skënderbeg. Po ju tregoj dhe unë një histori u them: “Ai burri në fotografi që ju e thërrisni Skanabeki, quhet Skënderbeu, me emrin e vërtet Gjergj Kastrioti, siç lexon dhe tabela. Nuk është kardinal i hershëm Papës, por një princ i madh, i njohur për trimërinë e tij, është heroi Kombëtar i popullit shqiptar e sa njihet deri më sot pak gjë që e lidh me Muzeun Kombëtar Italian të Makaronave”.
Nuk mendoj se i besuan fjalët e mia, në fund të fundit as unë s’u kisha besuar historisë së tyre, argumenti im qe veç një emër, kurse ata kishin pallatin, rrugën, sheshin e Muzeun Kombëtar të Makoranave.
Polemikat shumëvjeçare mbi vendndodhjen në Pallatin Skënderbeg, Romë, të Muzeut Italian të Makaronave.
Vetëm pak ditë më parë Muzeu Kombëtar i Makaronave në Pallatin Skënderbeu, pas disa vitesh përpjekje të komunitetit arbëresh u mbyll përfundimisht. Pritet të rihapet më 2015 në një seli të re.
Qe viti 2004 kur kryebashkiaku i Romës, Walter Veltroni me propozimin e Vincenzo Agnesi, themeluesit të firmës së famshme të makaronave Agnesi firmos vendimin që Pallati Skënderbeg të kthehet në Muzeun Kombëtar të Makaronave. Muzeu u përurua, e prej atij momenti protesta të ndryshme e të shumta të organizuar nga komitetit i shpëtimit të Kulturës Evropiane në Romë së bashku me komunitetin arbëresh, trashëgimtarët e familjes së Skënderbeut në Itali kanë mbajtur gjallë polemikat kundër tij. Aktualisht komunikimi zyrtar se ky Muze ndodhet në gjendje restaurimi, ka lënë prej kohësh gjithçka në heshtje e pritje. Protesta e parë e organizuar kundër ngritjes së Muzeut të Makaronave në ambientet e Pallatit Skënderbeg, u përgatit nga Komiteti i mbrojtjes së Kulturës evropiane në Romë, nën kujdesin e Presidentit të shoqatës për Rilindjen e re Evropiane, poetin grek Raul Karelia. Me një letër të hapur bëhet i ditur ky vendim i cili prek e ofendon dinjitetin e mbi 6 milionë qytetarëve ilir në botë, është dhe një sinjal rreziku për kulturën Evropiane, në kushtet e kufizimit që ofron zgjerimi i komunitetit të saj.
Fushata “Skënderbeu 2004”
E premte 3 Dhjetor 2004
Letër e hapur për qytetarët e studentët
“Pallati Skënderbeg, në sheshin me të njëjtin emër në numrin civil 117, ishte rezidenca romane e princit, luftëtar i Krishtërimit e mbrojtës i civilizimit perëndimor, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Shumë e përkufizojnë këtë hero si strategun më të madh të të gjitha kohërave: Në çdo anë të botës shumë rrugë, sheshe, monumente që prej 1500 i janë atribuuar atij, si dhe mijëra libra të shkruar në të gjitha gjuhët e botës e rajonet e saj, për të nderuar veprën e memorien e tij. Aftësitë e tij ushtarake e diplomatike kundër perandorisë otomane influencuan mjaft dhe evoluimin e rilindjes evropiane.
Pallati Skënderbeu për mbi 6 milionë qytetarë me origjinë ilire është konsideruar vend me një vlerë të madhe simbolike e pikë referuese shpirtërore e pamohueshme: vend që artizani i njohur i makaronave Vincenzo Agnesi (tashmë jo në jetë) mendoi ta kthejë më qendër të Muzeut Kombëtar të Makaronave.
Është e qartë që miliona shqiptarë ndjehen të shfrytëzuar nga përdorimi i tillë i një vendi të shenjtë të historisë së tyre e u duhet të pranojnë këtë fyerje ndaj dinjitetit të tyre, për frikë mbi të gjitha nga ndërprerja e ndihmave të shumta që Italia po i jep aktualisht vendit të shqiponjave.
Mendojmë se është e ndershme për të lejuar një hapësirë brenda këtij muzeu (për t’u administruar së bashku me autoritet akademike shqiptare) ku mund të ekspozohen dokumente historike të jetës së këtij luftëtari të madh, për t’i lejuar të gjithë qytetarëve evropianë me origjinë ilire një hyrje të lirë e të kënaqshme për nevojat e tyre shpirtërore.
Ftojmë të gjithë qytetarët, e në veçanti studentët e Romës ta thellojnë këtë çështje mbi të gjitha në këndvështrimin e kufizimeve të përcaktuara nga zgjerimi i komunitetit evropian e të ndërmarrin vendimet më të përshtatshme për të shpëtuar kulturën e drejtësisë e të paqes”.
Fushata “Skënderbeu 2005”
“Është pra e vërtetë miq arbëreshë, Pallati Skënderbeu në Romë është qendër e Muzeut të Makaronave.
Lajmi i përhapur nga Komiteti për shpëtimin e Kulturës Evropiane e nga shkrimtari botues Costanzo d’Agostino, ka rënë si gur i rëndë në kujtesën historike të popullit shqiptar në Itali e botë. Nuk mundet ta mendosh të lidhësh vlerën simbolike të heroit evropian Gjergj Kastriot Skënderbeu, si mbrojtës i Krishtërimit, si babai mbrojtës i të gjithë arbëreshëve, luftëtar i lirisë me makaronat e spagetët me domate.
Është një fyerje, ndaj së cilës të gjithë arbëreshët e botës moderne civile e demokratike e kundërshtojnë me forcë.
Prandaj kërkojmë që Pallati Skënderbeu të shndërrohet në muze dedikuar heroit të madh shqiptar e jo muze i makaronave, me gjithë respektin për këtë pjatë e për kuzhinën mesdhetare…”
Vetëm pak ditë më parë Muzeu Kombëtar i Makaronave në Pallatin Skënderbeu, pas disa vitesh përpjekje të komunitetit arbëresh u mbyll përfundimisht. /standard.al/