Radhën e ka AKP-ja

  • 31 October 2018 - 17:10
Radhën e ka AKP-ja
Zhvillimet e fundit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit mund të kenë mbetur pak në hije, për shkak të ofensivës politike dhe çështjeve të ashtuquajtura "tema të mëdha", por nuk është më pak e rëndësishme. AKP-ja sot e AKM-ja dikur kanë administruar dhe shitur pronën shoqërore në Kosovë. Gjithmonë, përbërja e tyre ka qenë politike. Njerëzit më të dëgjueshëm janë përzgjedhur në bordin e kësaj agjencie, ndërsa askush nuk ka mundur të bëhej drejtor ekzekutiv pa pasur bekimin e partive në pushtet. Privatizimi, një proces i shoqëruar me plot skandale, është kontrolluar krejtësisht nga oligarkët, të cilët e kanë përdorur që të pasurohen. Sot, liderë që udhëheqin vendin figurojnë si blerës të pronave shoqërore, me çmime qesharake, apo pronarë e bashkëpronarë në asete, fabrika, toka etj. Shkarkimi i drejtorit ekzekutiv dhe më pas dorëheqja e kreut të bordit, që mbeti i vetëm në mbrojtjen e zyrtarit të shkarkuar, do të kalonte pa ndonjë zhurmë, nëse nuk do të përfshihej me reagimin e tij publik edhe lideri i opozitës, Isa Mustafa. Kryetari i LDK-së ishte kryeministër kur u bë emërimi i Petrit Gashit kryetar i Bordit në AKP dhe zgjedhja e Ekrem Hajdarit drejtor menaxhues, prandaj e di mirë se pa pëlqimin e politikës nuk do të ndodhte as kjo zgjedhje. Gjithsesi, ajo që është shqetësuese ka të bëjë me fatin e gjysmës së mbetur të aseteve të ish-NSH-ve. Prona shoqërore është në shënjestrën e secilës qeveri, jo për t'u administruar si duhet e për t'u privatizuar me qëllime të mira, por për t'u zhvatur deri në palcë. Nëse dorëheqja dhe shkarkimi në AKP synojnë ndaljen e zhvatjes dhe hajnisë, uzurpimeve dhe keqpërdorimeve të tjera, vendimi do të ishte i mirëseardhur. Por, Qeveria nuk po flet fare se kënd do ta sjellë në krye të këtij institucioni, duke nxitur kështu dyshimet e ligjshme se kapja e AKP-së natyrisht do të vazhdojë, kuptohet, me emra të tjerë, që përzgjidhen në zyrat e oligarkëve. Për sa kohë shteti udhëhiqet nga këto parti dhe këta liderë të korruptuar, as AKP-ja nuk do të shndërrohet në një agjenci, siç e parasheh ligji.