Drejtësia me standarde të dyfishta

  • 22 December 2018 - 17:17
Drejtësia me standarde të dyfishta

Dënimi me shtatë vjet burg i një qytetari të Kosovës, që i përket komunitetit rom, për një vjedhje me armë, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke krahasuar politikën ndëshkimore të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Ta zëmë, shoferi i vëllait të Presidentit kapet me drogë, por lihet i lirë, ministri shkel ligjin dhe abuzon, por amnistohet. E kështu me radhë, kush është pjesë e rrjetit mafio-politik, gjithnjë shfajësohet në fund, siç edhe është duke ndodhur. Këshilli Gjyqësor i quajti reagimet e disa politikanëve të opozitës ndërhyrje në sistemin gjyqësor, edhe pse kritika që i adresohet KGJK-së dhe gjykatave në përgjithësi është e drejtë. Personi që ka bërë një krim, i cili mund të dënohet deri edhe 7 apo më tepër vjet, por që nuk e ka askënd pas, ta shpëtojë nga ndëshkimi, ai është i destinuar ta pësojë, si mos më keq, sepse është shembull i "përkushtimit gjyqësor". Ndërsa, kur bëhet fjalë për një individ me pushtet, që ka pozitë zyrtare, ka miq të fortë pas vetes apo është familjar i "peshqve" të mëdhenj , atëherë çështja zhvillohet ndryshe. Pra, edhe reagimi i shoqërisë në rrjete sociale e medie ka të bëjë me mosndëshkueshmërinë e krimit dhe jo me zbatimin e ligjit në një rast të caktuar. Nëse një person me fuqi dhe lidhje politike e bën krimin e njëjtë, për të cilin një qytetar rom i Kosovës dënohet me 7 vjet burg, është e qartë se dënimi në rastin e parë, më së shumti mund të jetë si në rastin e ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, një vit burgim me kusht. Presioni publik për të ashpërsuar dënimet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është kurrfarë ndërhyrjeje në sistemin e drejtësisë, por mund të vlerësohet si mbështetje popullore, që duhet shfrytëzuar në aspektin pozitiv. Gjithsesi, me gjyqtarë që i emëron politika, është vështirë të presim reformë në kulturën e ndëshkueshmërisë në gjykatat tona. Fatkeqësisht!

 

(Kosova Sot)