Përvjetori i një partie

  • 24 December 2018 - 16:45
Përvjetori i një partie

Lidhja Demokratike shënoi 29- vjetorin e themelimit, duke adresuar akuza ndaj Qeverisë, pa kursyer as PSD-në e kryetarit dallaveraxhi të Prishtinës, që po vepron si të ishte pjesë e ekzekutivit në nivelin qendror. Si partia më e madhe në opozitë, pritjet e qytetarëve nuk janë përmbushur aspak nga lidershipi aktual i LDK-së. Fotografia e këtij subjekti vazhdon të dominohet nga një brez i konsumuar politikanësh, përfshirë kryetarin, që do të duhej të jepte dorëheqje qysh në momentin kur Kuvendi e shkarkoi Qeverinë e drejtuar prej tij. Por, është në traditën e politikës kosovare që sa më tepër të pësosh humbje, aq më shumë të këmbëngulësh të rrish në krye të partisë. Nuk është e rastësishme që për gati dy dekada i kemi figurat e njëjta në pushtet që riciklojnë njëra-tjetrën. Pa e pensionuar këtë gjeneratë të dështuar politike, është e kotë të flasim për perspektivë të vendit. LDK-ja,që vitin e ardhshëm i bën tri dekada, e pati një shans historik për të bërë një ndryshim para katër vjetësh, por joshja për pushtet e tundoi tej mase. Duke ia mundësuar PDK-së të rrijë në qeverisje, LDK-ja ia bëri dëmin më të madh Kosovës, e tash vetë si parti opozitare i vuan pasojat. Por, pasojat më të rënda i vuan në kurrizin e tij qytetari i Kosovës që përballet me varfëri e papunësi, pasiguri e padrejtësi, keqarsimim e shëndetësi skandaloze. LDK-ja, si e tillë, siç u shfaq sërish dje në përvjetor, nuk është e besueshme se mund të sjellë ndryshimin që e duan shumica e popullatës. Për fat të keq, as partitë e tjera nuk japin shpresë për ndryshime të thella. Me politikanët e njëjtë, nuk mund të presim rezultate të reja, pozitive. Kosovës i duhet një alternativë e re, që e bazon të bërit politikë jo në klanet dhe mafinë, por në vlera dhe në interes publik. Nëse LDK-ja dhe opozita tjetër nuk e kuptojnë këtë, pak shpresa ka se kur t'u vijë radha këtyre për qeverisje, do të kemi diçka më të mirë.

 

(Kosova Sot)