Kosova rrugës së Venezuelës

  • 25 January 2019 - 17:02
Kosova rrugës së Venezuelës

Juan Guaido, lideri i opozitës venezuelase, u vetëshpall president në Venezuelë, ndërsa bota demokratike e përkrahu këtë zhvillim në përpjekje për të rrëzuar regjimin e Maduros, i cili u betua për një mandat të dytë në fillim të janarit, pas zgjedhjeve që u cilësuan si të turpshme nga shumica e komunitetit ndërkombëtar."Ne gjithashtu jemi rritur si një feniks disa dekada pas diktaturës", i ka shkruar presidenti ynë Guaidos, për marrjen e postit, duke e ftuar që ta vizitojë Kosovën. Me siguri që politikani në Venezuelën e largët nuk e di se mentaliteti qeverisës i shtetit që po e fton, pak dallon nga sundimi i Maduros. Rasti i Venezuelës do të duhej t'i shërbejë Kosovës për të nxjerrë mësime.

Ky vend, dikur ndër më të zhvilluarit në Amerikën Latine, ka disa vite që ndodhet në "rënie të lirë" ekonomike, që kur drejtimin e vendit e mori Nikolas Maduro, pas vdekjes së Hugo Chavezit. Hiperinflacioni dhe mungesat e ushqimeve të shportës bazë, por edhe mjeteve të tjera të domosdoshme, kanë detyruar miliona venezuelianë të ikin nga vendi. Pasojat e keqqeverisjes janë dramatike. Ngjashëm mund të përfundojë edhe Kosova, nëse ky sundim vazhdon edhe më tej. Pasojat këtu, te ne, nuk janë thjesht ekonomike, por edhe në aspektin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës.

Arroganca e pushtetit ka bërë që së paku dyqind mijë kosovarë ta braktisin vendin në kërkim të një jete më të mirë në shtetet e BE-së. Shumica e atyre që kanë mbetur, janë të gatshëm, nëse ndodh liberalizimi i vizave, t'ia mbathin një orë e më parë. Kosova është zhytur në trazira sociale. Protestat dhe grevat kanë shpërthyer anembanë vendit, ndërsa politikanët e kanë trashur luksin mbi kurrizin e kosovarëve të varfër. Edhe pse kemi resurse të pafund ekonomike, një nëntokë të pasur dhe një rini të aftë, degradimi është aq alarmant, saqë do të duhen dekada për ta vënë shtetin në binarët e duhur.

(Kosova Sot)