Verdikti i sovranit mbetet zgjidhja e vetme - Editoriali - Kosova Sot
Verdikti i sovranit mbetet zgjidhja e vetme

Verdikti i sovranit mbetet zgjidhja e vetme

Zhvillimet e vrullshme fundjavën që lamë pas tregojnë se koalicioni në pushtet mund të ketë kaluar krizën e taksës dhe është drejt zhbllokimit të dialogut me Serbinë. Kuptohet, me ndihmën e PSD-së së Shpend Ahmetit. "Çuditërisht", sapo ia dha votat Qeverisë për buxhetin dhe disa ligje të rëndësishme, Gjykata Kushtetuese e "çliroi" kryetarin e Prishtinës nga ankthi disamujor. Gara e ngushtë me kandidatin e LDK-së ia kishte rrezikuar seriozisht pushtetin, ndërsa manipulimet me vota e patën ndihmuar që të rifitonte mandatin e dytë, edhe pse dështim njëri, dështim tjetri. Dyshimet për pazaret në prapaskenë i shton edhe fotografia e publikuar në rrjetet sociale dhe në medie, ku shihen partnerët qeveritarë në darkë te presidenti. Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi polemizojnë çdo ditë për dialogun, taksën, ndarjen, por ja që në darkë i bashkon vera. Për ta bërë këtë ngjarje më shqetësuese, është edhe prezenca e Edi Ramës, i njohur si mbështetës i pazareve territoriale në kurriz të Kosovës. Çka po ndodh?

Qartazi kuptohet se oligarkët tanë janë marrë vesh për sferat e interesit dhe po procedojnë tutje me planin djallëzor për territorin. Me një përfaqësim tërësisht jolegjitim, me liderë të shantazhuar që drejtojnë procesin, rezultati mund të parashikohet lehtë. Natyrisht që nuk pritet të jetë në favorin e Kosovës. Në këto rrethana, verdikti i sovranit mbetet zgjidhja e vetme, me shpresën se qytetarët do të vetëdijësohen që të votojnë vetëm njerëzit e merituar, pavarësisht lëkurës partiake. A i keni parë se si diskutonin të shtunën?! Qesharake dhe revoltuese njëkohësisht!… Kosova meriton një Parlament tjetër, një përfaqësim dinjitoz, ku zëri i popullit gjen hapësirën e nevojshme. Deputetët ruajtën të gjitha privilegjet dhe luksin kur e miratuan Ligjin e pagave. Ata marrin të ardhura deri 3 mijë euro në muaj, kurse një pensionist mezi mbijeton me lëmoshën e Qeverisë. Le të shkojë Kosova në zgjedhje, sepse me këtë Qeveri, territori rrezikon të tkurret.

 

 

(Kosova Sot)

12 orë e 48 minuta më parë
22/02/19