Shteti duhet të dekriminalizohet - Editoriali - Kosova Sot
Shteti duhet të dekriminalizohet

Shteti duhet të dekriminalizohet

Qeveria ka përpara vetes sfida të forta, por tri janë detyrat që do të duhej patjetër t'i kryente. Kosovës i duhet në mënyrë urgjente të pastrojë institucionet nga të gjithë zyrtarët e inkriminuar, që kanë abuzuar me pozitën, kanë shpërdoruar fondet publike. Mjafton të shihen vetëm raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për të kuptuar se sa shumë shkelës kemi në të gjitha nivelet e pushtetit në vendin tonë. Dekriminalizimi i shtetit do t'u hapë rrugën reformave serioze dhe të besueshme, ndërsa do ta përshpejtonte rrugëtimin evropian të Republikës sonë. Nga ana tjetër, reformimi i drejtësisë është një sfidë tjetër, të cilën, edhe pse kaluan gati 20 vjet nga përfundimi i luftës, nuk e kemi tejkaluar. Gjykatat dhe prokuroritë, por edhe vetë kupola e sistemit, KGJK-ja e KPK-ja, janë të klanizuara, kompromentuara, të ndikuara politikisht, me afera korrupsioni dhe të dominuara nga shitblerja e drejtësisë. Ka plot zyrtarë të sistemit që kanë bërë pasuri të pajustifikueshme, kuptohet përmes trafikimit të proceseve gjyqësore.

Pa e bërë një VETTING, do të jetë e kotë të flitet për reforma kadrovike dhe strukturore. Qeveria mund ta shtyjë përpara një gjë të tillë nëse ka vullnet politik. Pa i pastruar radhët e gjyqësorit dhe prokurorialit, është vështirë të kthehet besimi i humbur tashmë në drejtësinë e Kosovës. Ndërkohë, paralelisht me dekriminalizimin dhe VETTING-un do të duhej bërë, si në të gjitha vendet postkomuniste, hapja e dosjeve. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë se kush i ka shërbyer regjimit të kaluar e kush është ende në listën e shërbëtorëve të shërbimeve sekrete të Serbisë. Prezenca e tyre, siç dyshohet, në parti e në institucione, në media e shoqëri civile, rrezikon demokracinë dhe stabilitetin e Republikës së Kosovës. Një qeveri që e ka seriozisht avancimin e shtetit, duhet t'i ketë në listën e prioriteteve detyrat e lartpërmendura. Përndryshe, rrezikojmë të zhytemi edhe më thellë në të keqen që e ka kapluar vendin. 

 

 

(Kosova Sot)

12 orë e 3 minuta më parë
22/02/19