Dhimbje gjoksi për shkak të ciklit? Ja çfarë duhet të bëni sipas ekspertëve

  • G.g /
  • 02 March 2021 - 10:23
Dhimbje gjoksi për shkak të ciklit? Ja çfarë duhet të bëni sipas ekspertëve

Nëse vuani nga dhimbje pak a shumë të forta në njërën ose të dy gjinjtë pak përpara ciklit ose gjatë ciklit menstrual, lexoni këtu disa këshilla të ekspertëve se çfarë duhet të bëni për t’u ndjerë më mirë, sipas “Health Line”.

Cikli i dhimbjes së gjirit

Nëse vuani nga dhimbjet e gjirit, ju sigurojmë që nuk jeni vetëm! 7 nga 10 gra vuajnë nga kjo. Dhimbja mund të përkojë me periudhën e menstruacioneve, duke u bërë më e fortë ndërsa, vijnë menstruacionet e vërteta.

Sipas ekspertëve, mastodinia mund të shkaktohet nga variacioni hormonal që e bën indin tashmë delikat të gjirit edhe më të ndjeshëm ndaj dhimbjes.

Simptomat

Dhimbja e gjirit është tipike për sindromën paramestruale. Zakonisht ndodh disa ditë para menstruacioneve dhe mund të shkaktojë dhimbje të butë apo edhe shumë të fortë. Dhimbja mund të jetë konstante ose e shfaqur me prekje. Edhe vetëm këmisha që prek gjirin mund të bëhet një makth i vërtetë. Dhe mund të ndikojë në të dy gjinjtë.

Zakonisht dhimbja është më e fortë në pjesën e sipërme të gjirit, por gjithashtu shpejt rrezaton në pjesën tjetër të gjirit dhe madje edhe në krah. Gjinjtë mund të ndihen jo vetëm të lënduar, por edhe më të mëdhenj.

Çfarë duhet të bëni?

Ju mund të merrni ilaçe analgjezikë (ibuprofen) për të lehtësuar dhimbjet e gjirit nga cikli ose lehtësuesit e dhimbjes që aplikohen në vend, në formë xheli.

Në raste të rënda është mirë të konsultoheni me mjekun. Ju gjithashtu mund të vini fasha të ngrohta në gjinj, të bëni joga ose pilates, të shmangni kafenë dhe çokollatën, të hani pak, të merrni shtesa me vitaminë E dhe omega 3.

Shkoni te mjeku nëse dhimbja e gjirit është e lokalizuar dhe nuk kalon me analgjezikë. Ose nëse bëhet më keq me kohën dhe nuk kalon me fundin e menstruacioneve.

(Kosova Sot Online)