Një tjetër ‘dënim’! Markat e famshme të modës ndalojnë shitjet në Rusi
Sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për shkak të sulmimit të Ukrainës, së bashku me kompanitë e famshme që kanë pezulluar çdo aktivitet, i janë bashkuar edhe disa marka të famshme të modës.
VMH, Hermes, Kering, Gucci, Chanel, kanë vendosur që t’i japin një dënim nga ana e tyre Rusisë, duke mbyllur përkohësisht dyqanet.
Përveçse si dënim për Rusinë, ky veprim vjen edhe në formë përkrahjeje prej tyre për Ukrainën e cila prej 9 ditësh po përballet me luftën e ashpër.
Të parët që bënë të ditur për të gjithë vendimin e pezullimit të bizneseve në Rusi ishin kreu i firmës Hermes dhe ai i Swiss Cartier.
LVMH, që përfshin marka shumë të njohura si Christian Dior, Givenchy, Bulgari, ka vendosur të mbyllë rreth 124 butiqe në të gjithë vendin duke nisur nga dita e diel.
Firma Chanel njoftoi për publikun se nisur nga situata aktuale dhe pasiguria për shkak të konfliktit, do të mbyllë përkohësisht shitjet e saj në dyqanet që ndodhen në Rusi.
Shtëpia e Gucci dhe Saint Laurent, Kering, e cila zotëron 2 dyqane në Rusi mori të njëjtin vendim. Trupa drejtuese vendosi të ndërpresë shitjet për shkak të shqetësimit të tyre për ngjarjet aktuale dhe frikën e nisjes së një konflikti më të madh.
(Kosova Sot Online)