
Hamami i Prishtinës, jashtë vëmendjes së shtetit

Ekspertët thonë se u lanë jashtë objekte të rëndësishme të trashëgimisë.
"Arsyet janë teknike dhe secili monument e ka statusin e njëjtë dhe i gëzon të gjithë tretmanët. Pavarësisht stërzgjatjes enorme të restaurimit dhe anomalive të tjera, nuk do të ndikojë që ky objekt të mos futet nën mbrojtje të përhershme", ka thënë Shafi Gashi, kryetar i KKTK-së,raporotn Gazeta Kosova Sot
Hamami i Madh i Prishtinës, i konsideruar si një nga perlat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e historike në vend, nuk është përfshirë në mesin e 23 aseteve të trashëgiminë që kanë hyrë nën mbrojtje të përhershme të shtetit. Pak ditë më parë, Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore për herë të parë ka shpallur listën prej 23 aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilat kanë marrë statusin e monumenteve të mbrojtura. Janë diku 100 kërkesa që janë drejtuar në KKTK nga institutet rajonale për trashëgimi, por në fazën e parë vetëm 23 prej tyre arritën të marrin statusin e përhershëm të mbrojtjes. Jashtë kësaj liste mbeti edhe Hamami në Prishtinë. Mospërfshirja e këtij monumenti është parë si joserioze nga njohësit e fushës, por zyrtarë të KKTK-së kanë thënë se kanë qenë arsyet teknike ato që e kanë lënë këtë monument jashtë listës së përhershme të mbrojtjes në fazën e parë.
Hamami mbeti jashtë listës për arsye teknike Në një prononcim për "Kosova Sot", arkeologu Shafi Gashi, aktualisht kryetar i KKTK-së, ka thënë se arsyet që Hamami i Prishtinës ka mbetur jashtë listës së mbrojtjes së përhershme në fazën e parë janë krejtësisht teknike. Gashi ka thënë se Ministria e Kulturës ka parashtruar rreth 100 kërkesa të objekteve të ndryshme të trashëgimisë dhe KKTK-ja i ka shqyrtuar një pjesë, që janë më të plota në aspektin e dokumentacionit."Thjesht arsyet janë teknike dhe secili monument e ka statusin e njëjtë dhe i gëzon të gjithë tretmanët. Edhe Hamami, pavarësisht problemeve që e kanë karakterizuar këtë monument gjatë renovimit, stërzgjatjes enorme të restaurimit dhe anomalitë e tjera, nuk do të ndikojë qëky objekt të mos futet nën mbrojtje të përhershme", ka thënë Shafi Gashi, kryetar i KKTK-së. Ndërsa, sa i përket trashëgimisë shpirtërore, Gashi ka thënë se MKRS-ja duhet të bëjë më shumë rreth kësaj trashëgimie, pasi është kategoria më së paku e trajtuar në vend. Sipas tij, pavarësisht faktit se janë bërë hulumtime të ndryshme, në 10-vjeteshin e fundit nuk ka ndonjë iniciativë apo aktivitet përmbajtjesor lidhur me këtë trashëgimi. "U mbetet MKRS-së dhe institucioneve tjera që për çdo aset që mendojnë që ka vlerë universale ose të veçantë ta parashtrojnë në KTKK dhe ky këshill e ka obligim ligjor që ta trajtojë në bazë të rregulloreve në fuqi", ka thënë Gashi
U harrua edhe thesari i këngëve kreshnike Ndërsa, prof. Bashkim Lajçi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë se çdo lënie pas dore, mostrajtim apo mosfutje e vlerave tona kulturore në listat përkatëse është e pakuptimtë. "Së këndejmi, edhe në rastin konkret mosfutja e Hamamit të Prishtinës, por edhe e këngëve tona kreshnike në këtë listë, është një veprim që do të duhej të rishikohej, përkatësisht do të duhej të shikohen mundësitë që sa më parë të futen në këtë listë. Nëse KKTK nuk ka kuadër përkatës në gjirin e vet për t'i vlerësuar këto asete të trashëgimisë sonë, do të duhej të bashkëpunojë me institucione të tjera simotra, në mënyrë që asnjë monument me vlerë të mos mbetet jashtë listave përkatëse", ka thënë Lajçi, duke shtuar se është e nevojshme edhe ndarja e mjeteve të caktuara materiale, nga institucionet tona përkatëse, për trajtimin dhe prezantimin sa më të mirë të këtyre vlerave."Jo rrallëherë ka ndodhur në praktikat tona që pavarësisht se një monument ka qenë në listë dhe në mbrojtje, ai është dëmtuar apo rrënuar tërësisht. Ndaj, për të mos na ndodhur gjëra të tilla në vijim, do të duhej të mos na mungojnë vullneti, serioziteti dhe profesionalizmi në këtë drejtim", ka thënë Lajçi.
Hamami ishte funksional deri në vitin 1960 Hamami i Prishtinës konsiderohet monument mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe gjendet në një zonë po aq të rëndësishme urbane, në qendër të Prishtinës. Edhe pse nuk dihet kur është ndërtuar saktë, ekspertët pohojë se ai i takon shekullit XV. Hamami është i tipit çift, pra është shfrytëzuar nga meshkujt dhe femrat në të njëjtën kohë. Edhe pse Hamami ka pësuar ndryshime të shumta, veçanërisht në fasadën ballore dhe lindore, forma origjinale e bazës dhe pjesa më e madhe e strukturës janë ruajtur. Si i tillë, Hamami ka vlera të larta, sidomos historike, shoqërore dhe shpirtërore. Hamami përbëhej nga paradhoma qendrore (apoditeriumi, zhveshtorja), një hapësirë kalimtare ngrohëse (tepidariumi) dhe banja (caldariumi) me një kazan për ruajtjen e ujit, e cila ishte e mbuluar me 18 kupola. Funksioni origjinal është braktisur në vitin 1960 dhe objekti është shfrytëzuar pjesërisht si depo dhe dyqan. Nga viti 1989 ndërtesa e Hamamit nuk është mirëmbajtur, pavarësisht që objekti konsiderohet si një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit të Prishtinës. Nga 2017 Hamani i është nënshtruar një renovimi të përgjithshëm, por, sipas ekspertëve gjithçka shkoi keq dhe është dëmtuar shumë saqë ka humbur edhe pamjet origjinale të tij.
(Kosova Sot)