
Ulpiana antike, shans për zhvillimin e turizmit kulturor në vend

Kuadrot profesionale lihen në hije,shkruan gazeta Kosova Sot.
Lokaliteti antik i Ulpianës do të bëhet një motor i zhvillimit të turizmit kulturor në vend. Vendimi për shndërrimin e tij në një park arkeologjik për vizitorët pritet të japë rezultate, pasi interesimi i vizitorëve për të parë këtë park gjatë këtyre ditëve nuk ka qenë i vogël. Pavarësisht kohës së shkurtër të hapjes së këtij parku, janë mbi 60 vizitorë në ditë që mësyjnë qytetin antik. Kjo është dëshmia më e mirë se një strategji e mirëfilltë dhe e qëlluar mund të japë rezultate konkrete. Duke e ditur se vendi posedon një pasuri të limituar të trashëgimisë kulturore, nevojitet një promovim më i madh i aseteve që në një mënyrë apo tjetër mund të tërheqin vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Sipas njohësve të fushës, ende mbetet shumë punë për t'u bërë, për të mbledhur të mira materiale nga trashëgimia kulturore. Institucionet për vite nuk kanë mundur të gjejnë mënyra për këtë, bile pak janë kujdesur për ta bërë këtë. Pa ndonjë strategji dhe në shumë raste, duke mos ndërmarrë masat e duhura për ta mbrojtur atë, vendi është ende larg zhvillimit të turizmit kulturor. Për njohës të fushës së trashëgimisë dhe njohësve të zhvillimeve të turizmit, Kosovës i duhet një angazhim shumë më i madh, qoftë në promovimin, mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e aseteve kulturore.
Monografi për qytetin antik
Zyrtarë të Instituti Arkeologjik të Kosovës, që kanë nën menaxhim Parkun Arkeologjik të Ulpianës, janë shprehur se janë duke evidentuar interesimin e vizitorëve, duke pohuar se marketingu dhe informimi rreth parkut do të jenë një nga objektivat kryesore. Enver Rexha, drejtor i IAK-ut ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se deri tani, pothuajse dy javë, që nga hapja e parkut, ka pasur mjaft vizitorë. Për çdo ditë, ka thënë Rexha, ka vizita individuale dhe kanë pasur gjashtë-shtatë vizita të grupeve të organizuara të institucioneve, shoqatave e shkollave. Sipas tij, numri i vizitorëve deri tani afërsisht sillet mbi 60 turistë në ditë. Sipas tij, IAK është duke mbajtur evidencë rreth vizitueshmërisë për të pasur një vizion të qartë. Për Rexhën, në interes të institucionit që ai e drejton është të bëjë marketing për të rritur interesimin e qytetarëve brenda dhe jashtë për vizitë të parkut."Njëra prej objektivave duhet të jetë njoftimi - rinjoftimi i rregullt i publikut dhe institucioneve me mundësi edhe jashtë shtetit për shpalljen park të këtij lokaliteti. Këtë punë do ta zhvillojmë edhe me publikimin e fletëpalosjeve, katalogëve, hartës arkeoturistike rrugore, shenjëzimin në nivel të territorit shtetëror, publikimin e Monografisë Ulpiana etj. Këto materiale duhet të shpërndahen edhe në agjenci turistike vendore e ndërkombëtare etj. Krejt këto obligime do të mundohemi t'i realizojmë që të jemi afër publikut", ka thënë Rexha.
Vlerat kombëtare mbeten të margjinalizuara
Kurse Vilson Culaj, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot" se parimisht institucionet qendrore dhe ato lokale në Kosovë tentojnë që ta bëjnë promovimin e turizmit kulturor, por, sipas tij, pa ndonjë strategji uniforme dhe që duhej të rridhte nga palca e etnologjisë shqiptare. "Që të plasosh kulturë duhet të zotërosh e posedosh kulturë; ky është parimi bazë. Por është për keqardhje kur sheh imitimet tona kulturore e jo ato që kanë bazament në elementin historik, etnik, natyror, arkeologjik, dhe muzikor apo edhe artit të të shkruarit apo pikturës e skulpturës", ka thënë Culaj, duke shtuar se ky nivel i lartë do të arrihet kur në institucionet tona do instaloheshin grupet profesionale kulturore dhe njerëz kompetente, të cilat artin, kulturën e turizmin nuk e shohin si një refleks sa për të thënë, por e bashkëndiejnë si një pjesë të elementit sociologjik, etnik dhe si një domosdoshmëri e ekspozimit të kësaj fushe ekonomike, por edhe kulturore, jashtë kufijve të Kosovës. Sipas tij, Kosova është stërmbushur me lokacione arkeologjike, florë e faunë të bollshme, klimë e vegjetacion të mrekullueshëm, por duhet më shumë promovim të tyre."Por, sfidë është ngritja e kuadrove profesionale që do ta lartësonin këtë lëmi në nivelet e duhura, përndryshe do përsëritet ai cirkulusi ynë si etni - shprehia për t'i harruar e margjinalizuar vlerat tona kulturore, turistike dhe etnike. Promovimi i turizmit kulturor fundi i fundit është edhe promovimi i vlerave kombëtare të një populli jashtë kufijve shtetërorë dhe krijimi i një partnership ndërkontinental ndërkombëtar", ka thënë Culaj.
(Kosova Sot)