
Intervistë për 'Kosova Sot', me Mbretëreshën e muzikës popullore, Shkurte Fejza:'Muzikës popullore i është ndezur drita e kuqe e rrezikshmërisë (Foto)

Duhet ngritur alarmin për ta shpëtuar
"Duke u bazuar në karrierën e saj më se 40-vjeçare, emri i Shkurte Fejzës radhitet në piedestalin e muzikës popullore shqiptare, duke e gëzuar epitetin e mbretëreshës së muzikës popullore. Ajo, në intervistën ekskluzive për "Kosova Sot", flet për hapat e parë të ngritjes në skenë, për karrierën e saj të pashembullt, familjen dhe atdheun".

Fillet e karrierës së Shkurte Fejzës në rrugën e muzikës popullore shqipe datojnë nga viti 1975, atëbotë kur për herë të parë merr pjesë në festivalin "Takimet e Majit" në Prizren dhe shpërblehet me çmimin "Debutantja më e suksesshme". Shkurte Fejza ishte anëtare edhe e Shoqërisë Kulturo-Artistike "Afërdita', në Mushtisht, që nga dita e parë e themelimit, me të cilën morën pjesë në shumë koncerte të kohës.
Fryma e këngëve patriotike të Shkurte Fejzës e pengonte regjimin fashist serb, andaj gjatë viteve 1981- 1983 u detyrua ta bënte një pauzë. Por, viti 1984 do ta rikthente në skenë, me hitin "O ky vend i bukur me lule plot". Përveç si këngëtare e njohur, Shkurtja me zell ushtronte edhe profesionin e mësimdhënëses në Mushtisht, por që iu ndalua sërish nga regjimi, duke ia sekuestruar edhe pasaportën. Në shenjë revolte, në fund të vitit 1989, respektivisht 1999, publikon hit-albumin "Oj Kosovë oj nëna ime", këngët e të cilit jehuan gjithandej trojeve shqipfolëse. Në vitin 1992, për herë të parë, këmba e Shkurtes prek tokën e Nënës Shqipëri, nga ku lind edhe himni i shqiptarëve, "Xhamadani vija-vija".

Në vitin 1994, shpërblehet me "Çmimin special" nga Festivali Botëror i Folklorit në Karolinën e Veriut. Karriera e Shkurtes vijon me shumë këngë, bashkëpunime e koncerte gjithandej ku flitet gjuha e bukur shqipe. Viti 1997 sjell albumin "E kam emrin kosovar", që gjithashtu u pëlqye nga publiku, derisa në vitin 2000 publikon albumin "Jo nuk ndahet Mitrovica". Në vitin 2013, nderohet me çmimin "Mjeshtër i madh" nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, derisa bë 2014, në 40-vjetorin e karrierës, nderohet edhe nga ish-presidentja Atifete Jahjaga me çmimin "Medalja Presidenciale e Meritave", çmime të cilat e vlerësuan punën e saj gjatë tërë këtyre viteve. Pikërisht në 40-vjetorin e karrierës, Shkurte Fejza organizon gala-koncert me emrat më të mëdhenj të artit e muzikës shqiptare, për ta shënuar jubileun e sukseseve të saj. Duke u bazuar në karrierën e saj më se 40-vjeçare, emri i Shkurte Fejzës radhitet në piedestalin e muzikës popullore shqiptare, duke e gëzuar epitetin e mbretëreshës së muzikës popullore. Në një intervistë speciale për edicionin festiv të Vitit të Ri, në gazetën "Kosova Sot" Shkurte Fejza rrëfehet për shumë gjëra, të cilat mund t'i lexoni në vijim.

"Kosova Sot": Tash e sa dekada në skenë, shumë albume, qindra koncerte dhe një publik i tërë që ju mbështet, si ju bën të ndiheni ky respekt që gëzon emri juaj?
Shkurte Fejza: Është kënaqësi kur të duan njerëzit, por është edhe përgjegjësi. Relacioni me publikun është shumë i rëndësishëm dhe duhet përkushtim i madh për ta mbajtur. Po ashtu, duhet sinqeritet e çiltërsi dhe vetëm atëherë edhe ata të duan sinqerisht. Për mua, kënga ishte një mision, të cilit i jam përkushtuar gjatë tërë karrierës sime. Kënga duhet ta ketë një porosi për njerëzit që të duan e të dëgjojnë dhe ajo duhet të jetë e qartë, e sinqertë, e çiltër dhe me dashuri e pasion, dhe kështu edhe e marrin njerëzit dhe të besojnë. Me këtë moto unë jam paraqitur për gati një gjysmë shekulli, në mijëra koncerte, dasma dhe evenimente të tjera. Kam kënduar mbi 500 këngë dhe shumë prej tyre janë bërë hite të mëdha kombëtare. E lumtur që vajza ime ka trashëguar talentin për të kënduar.

"Kosova Sot": Kënga juaj e fundit solo, e realizuar me videoklip, i dedikohet më të shtrenjtës, nënës, kush janë autorët e këngës dhe sa jeni ndarë e kënaqur nga ky projekt?
Shkurte Fejza: Është një projekt i menduar tash e 20 vjet me radhë dhe intrigues për mua, për ta realizuar, sepse për mua nëna vjen menjëherë pas Zotit dhe është shumë vështirë ta mendosh të realizosh diç për krijuesit e tu. Disa herë kam filluar diçka dhe e kam lënë për më vonë. Së fundi vendosa ta realizoj, andaj bisedova me Ilir Beranin që ta realizojmë një projekt të tillë dhe besoj se ia kemi arritur qëllimit nga ajo çfarë kam synuar unë. Iliri e ka shkruar një tekst dhe e ka bërë muzikën ma të mirë të mundshme. Kënga ka në vete mall, ndjesi, dashuri, nostalgji dhe krenari për nënën. Është realizuar në studion e Florent Boshnjakut dhe i falënderoj shumë për këtë bashkëpunim.
"Kosova Sot": U bënë vite që përkrah jush, në mbrëmje muzikore e dasma, bashkë me ju këndon edhe vajza, Gresa. Sa jeni e lumtur që një pasardhëse juaja po vazhdon rrugën tuaj?
Shkurte Fejza: Jam e lumtur që vajza ime ka trashëguar talentin për të kënduar dhe jam e kënaqur me punën e saj. Pos talentit, ajo ka arritur edhe ta mësojë, si të them, zanatin e të kënduarit dhe po shkon shkallë-shkallë, duke e ngritur cilësinë. Në anën tjetër, më dhimbset, sepse po jeton dhe krijon në rrethana shumë të pavolitshme për artin muzikor. Asaj i uroj suksese edhe krahas meje, por edhe pas meje, duke vazhduar kësaj rruge me plot sfida. E kam edukuar që ndershmërisht të arrijë suksesin, por kjo në rrethanat e sotme është shumë e vështirë, si më i thënë të shkojë duke ecur këmbë deri në Hënë.

"Kosova Sot": Tregu i muzikës sot ka ndryshuar, konkurrenca është rritur e inatet mes kolegëve janë shtuar, cili është opinioni i Shkurte Fejzës lidhur me këto dukuri?
Shkurte Fejza: Mungesa e festivaleve të dikurshme, mungesa e orkestrimit të muzikës popullore, e RTK-së, dhe mungesa e kujdesit të pashpjegueshëm të institucioneve tona shtetërore në këtë fushë, ua kanë hapur rrugën iniciativave private për të operuar pa pikë përgjegjësie ndaj artit. Në këto rrethana, të udhëheqin rruga dhe anarkia në vend të institucioneve kompetente dhe kjo ka bërë që të dominojë muzika pa vlera dhe pa asnjë standard, ku secili mendon se po këndon. Është e rëndë kur në çdo vend, në çdo skutë, dëgjon muzikë të padefinuar. A është shqip, apo cilës kulturë i takon. Unë e kam krijuar me kohë identitetin tim origjinal dhe aty ku jam ndihem shumë rehat, andaj inateve e gjërave të kësaj natyre nuk u nënshtrohem fare. Brenga ime është se muzikës popullore qëmoti i është ndezur drita e kuqe e rrezikshmërisë dhe duhet ngritur alarmin për ta shpëtuar. Sukseset më të mëdha i ka pasur me këngët solo.

"Kosova Sot": Jeni ndër këngëtaret e rralla shqiptare që jeni nderuar edhe me çmime kombëtare, falë punës suaj. Kujt ia atribuoni këtë sukses?
Shkurte Fejza: Gjatë rrugës sime me këngën, asnjëherë nuk kam menduar për çmimet, sepse unë gjithmonë kam qenë e privuar nga këto, për shkak të natyrës së këngëve të mia. Por vjen një ditë kur për punën tënde vlerësohesh dhe sinqerisht ndihesh mirë, prandaj jam mirënjohëse për të gjithë ata adhurues e përkrahës të shumtë dhe atë nga shumë gjenerata. Nisur nga ata që më kanë dashur dhe përkrahur në fillim e deri te gjeneratat e reja që sot më duan dhe më përkrahin, ua dedikoj këto çmime. Po ashtu, edhe bashkëpunëtorëve të mi, familjes sime dhe Hajrushit, për mbështetjen e pakursyer gjatë tërë karrierës.

"Kosova Sot": Ndër vite, gjatë karrierës, keni realizuar shumë duete. Cili bashkëpunim, sipas jush, ka qenë më i suksesshëm dhe që edhe sot publiku jua kërkon në çdo vend që këndoni?
Shkurte Fejza: Sukseset më të mëdha i kam pasur me këngët solo, të cilat edhe janë bërë hite të padiskutueshme, por kam realizuar edhe duete të suksesshme. Më e suksesshmja ka qenë kënga "Nëna dhe bija", e cila edhe sot gjithmonë kërkohet, kudo që jemi bashkë me Gresën.

"Kosova Sot": A keni planifikuar ndonjë këngë të re apo album për vitin që po na vjen?
Shkurte Fejza: Unë punoj në vazhdimësi dhe nuk ndalem asnjëherë. Kam disa tema që i hulumtoj, se si dhe ku do t'i realizoj.

"Kosova Sot": Ku do t'ju gjejë nata e Vitit të Ri, në gjirin familjar apo në ndonjë koncert?
Shkurte Fejza: Për shumë vjet me radhë, Vitin e Ri e kam pritur pranë adhuruesve të mi, duke kënduar, dhe u kam munguar familjes sime, fëmijëve të mi, por që dy vjet kam vendosur që Vitin e Ri ta pres pranë familjes dhe ndihem shumë e lumtur në shtëpi.
Intervistoi: Armend Preteni
(Kosova Sot)