Çka thonë të nominuarit për 'Oskar' në kategorinë e aktorit më të mirë

  • 14 February 2019 - 08:42
Çka thonë të nominuarit për 'Oskar' në kategorinë e aktorit më të mirë

45-vjeçari Christian Bale ishte zhytur thellë në botën e Dick Cheney-t

Christian Bale, Bradley Cooper, Willem Dafoe, Rami Malek dhe Viggo Mortensen reflektojnë rreth punës së tyre dhe rreth sezonit aktual të shpërblimeve 

Christian Bale 'Vice'

Christian Bale shpenzonte deri në katër orë në ditë në rregullimin e flokëve dhe grimit dhe kishte shtuar rreth 20 kile, që të ngjasonte sa më shumë me zëvendëspresidentin e 46- të të SHBA-së në filmin e regjisorit Adam McKay, "Vice". Në fjalimin me rastin e marrjes së çmimit Globi i Artë, ai falënderoi shejtanin për frymëzim, por gjatë xhirimeve, ky 45 vjeçar ishte zhytur aq thellë në botën e Dick Cheney-t, sa që McKay thotë se Bale ishte bërë njëfarë avokati i tij. 

Keni lindur në Britani, por po ashtu keni shtetësi amerikane. Kur u bëtrë shtetas amerikan? Nuk më kujtohet saktësisht, por e di se këtë e bëra meqë doja të votoja. E mora shtetësinë bashkë me veteranët të cilët kishin luftuar dhe kishin humbur gjymtyrët e tyre. 

Sa rëndësi kishte mbështetja e Lynne Cheney't për Dick-un? Sikur të mos ishte Lynne, ai do të ishte gjyqtar anësor dhe do të pinte me të madhe. Ai do ta imitonte Jedediah Smithin, të gjithë heronjtë e tij dhe do të rrahej në kafene. Lynne ia dha atij shtytjen e nevojshme edhe pse u desh që të kalonin 11 vjet që ai të bëhej pjesëtari më i ri i stafit. 

Bradley Cooper 'A Star Is Born'

Testimi për të parë nëse filmi "A Star Is Born" me të vërtetë do të kishte sukses, u bë qysh herët, thotë producentja Lynette Howell Taylor. Ekipi ishte në shkretëtirë për katër ditë derisa këndonte Ally (Lady Gaga) dhe Jackson Maine (Bradley Cooper). Të gjithë donin të shihnin se si do të këndonte ky i fundit. Dhe, ai i befasoi për të mirë. 

Hytë në "A Star Is Born" pas largimit të Clint Eastwoodit. A keni biseduar rreth kësaj? Ai bisedoi me mua rreth kësaj para se të punonim në "American Sniper", por mendoja se isha tepër i ri. Por, pasi që ai refuzoi, u paraqita unë.  

Pse nuk u paraqitët më herët? Thjesht, kisha shumë frikë, nuk isha i gatshëm. Thjesht, e dini kur jeni i gatshëm për diçka. 

Çka nuk keni pritur rreth regjisë, kur e bëtë këtë për herë të parë? Nuk prisja që kjo punë të ishte aq e këndshme. Më dukej se gjendesha në vendin e duhur, aty ku duhej të isha në ato momente.  

Willem Dafoe 'At Eternity's Gate'

Kanë kaluar 32 vjet qyshkur Willem Dafoe mori nominimin e tij të parë për Oskar, për rolin dytësor në filmin "Platoon". Që nga atëherë, ky aktor i vyeshëm ka luajtur role të mira, si në filma të pavarur (në vitin 2018 "The Florida Project") dhe në franshiza të njohura ("Spider-Man 3", "Aquaman"). Dafoe, 63 vjeç, mori nominimin e tij të katërt për Oskar për rolin e Vincent van Goghut në filmin e regjisorit Julian Schnabel, "At Eternity's Gate".

Si jeni ndier pas këtij nominimi? Kjo ishte ndjenjë e veçantë, meqë edhe filmi është i veçantë. Është një film unik, i bërë me shumë dashuri - i bërë si shprehje personale rreth Vincent van Gogh, nga një artist që bëri një film rreth një artisti. 

Çka keni mësuar duke punuar me Julianin në këtë film? Një mënyrë ndryshme e të parit, një mënyrë ndryshme e përjetimit. 

Rami Malek 'Bohemian Rhapsody'

Filmi në fjalë kishte pasur vështirësi të shumta derisa u përfundua. Regjisori i tij, Bryan Singer, u pushua nga puna për shkak se ishte i përfshirë në akuza për keqtrajtim seksual. Por, transformimi i Malekut në këngëtarin e bendit "Queen", Freddie Mercury, i bëri për vete shikuesit, duke ndikuar që, nga shfaqjet në mbarë botën, filmi të fitojë 833 milionë dollarë. 

Si e patë reagimin e botës ndaj këtij filmi? Që nga momenti kur fillova punën në këtë film, kuptova se kisha të bëja me diçka të veçantë. Se a do të arrinim sukses në këtë drejtim, apo jo, kjo ishte gjë tjetër. Thjesht, e dija se kjo do të ishte një përvojë e re për mua. E dija që bendi "Queen" ka fansa në tërë botën, por kurrë nuk mund ta dish se si do të reagojnë ata. Për fat, reagimi i tyre ishte i mrekullueshëm

Viggo Mortensen 'Green Book'

Pas rolit të Tony Lipit në filmin e regjisorit Peter Farrelly, "Green Book", Viggo Mortensen, 60 vjeç, kishte bërë që fansat e tij të pyesnin se a ka ai me të vërtetë prejardhje italiane. Ai këtë e merrte si kompliment. 

A të kujtohet hera e parë kur u takuat me Mahershala Ali? Ishte me rastin e eventit "2017 Film Independent Awards" në Los Anxheles. Bëmë një bisedë të mirë, me gjasë gjysmë ore. Mund të duket pak, por është mjaft në një dhomë të mbushur me biznesmenë të filmit. 

Ku e gjetët tërë këtë 'kimi' për këtë film? Kishte kohë që komunikonim bashkë, apo edhe me Peter Farrelly me anë të emailit dhe celularit, pak muaj para se të fillonin xhirimet në Luiziana . Në Nju Orleans u bashkuam me Peten për disa ditë, për të analizuar çdo aspekt të skenarit. 

(Kosova Sot)