Lexoni edhe:
Ganimete Jashnica: Skena është vendi ku duhet të shfaqen vlerat dhe artit i mirëfilltë që të përçohet një mesazh i mirë për njerëzit
Emri i Remzie Osmanit, radhitet ndër top emrat më të popullarizuar të muzikës popullore në trojet shqiptare.
Që nga paraqitja e saj e parë në vitin 1977 me këngën "Lute lute nëna bijen", e deri te kënga e publikuar para ca javësh "Unikate je moj bukuri", e vërtetojnë se Remzie Osmani nuk ka ndaluar punën për asnjë moment, duke publikuar qindra këngë e shumë albume të sukseshme, derisa aktualisht është këngëtarja nga Kosova më e pëlqyer nga zhanri i muzikës popullore në Shqipëri.
Në një intervistë ekskluzive për "Kosova Sot Online", këngëtarja e mirënjohur Remzie Osmani, shpalos shumë të pathëna rreth jetës dhe karrierës, të cilat ju ftoj t'i lexoni në vijim.
"Kosova Sot Online”: Kënga e fundit që keni lansuar është “Unikate je moj bukuri”, sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngës, dhe kush janë autorët?
Remzie Osmani: Kënga po ecë mirë, jam e kënaqur me realizimin e këngës, është një këngë festive, këngë për Vitin e Ri. Unë ju japë rëndësi gjithmonë këngëve, mirëpo me këto këngët festive, këngët e dasmave, sikur pakëz na duhet për ti shpejtuar që t'i realizojmë, sepse ndonjëherë për shkak të kërkesave dhe thirrjeve të shumëta, që të jemi prezent në programet festive, ngelemi edhe pa këngë, andaj detyrohemi të këndojmë këngë për dasma, të cilat sinqerisht edhe ne si këngëtarë pastaj nëpër ahengje të ndryshme i këndojmë vetë edhe i pëlqejnë publiku dhe dasmorët.
Veç kësaj, unë kam realizuar edhe një këngë për xhirimet e Vitit të Ri, "Po na vjen Lulija", e cila më ka pëlqyer jashtë mase, pasi ka një tekst shumë të mirë dhe një melodi që është e realizuar super mirë, që vërtetë jam e kënaqur dhe e kam kënduar me shumë qef. Me këtë rast do ta kisha falenderuar, Agonin, për këtë këngë të mrekullueshme, edhe tekstshkruesin Abaz Selmanin kurse muzika Agon Neziri. Derisa për këtë vit nuk kam bërë duete me Nexhatin, pasi jemi duke e bërë një bashkëpunim që do të del në muajt e parë të Vitit 2021, e cila do të shoqërohet edhe me videoklip.
“Kosova Sot Online”: Gjatë këtij viti shijuat ndjenjën e të qenit gjyshe, cila është dhurata e parë që ia keni bërë mbesës Emës?
Remzie Osmani: Ky vit, si për të gjithë edhe për mua, nuk ka qenë një vit i mirë, ta quaj ashtu, për shkak të kësaj situate që po e përjetojmë të gjithë ne, i gjithë globi,. Mirëpo, e mira mbi të mirat që ka qenë për mua, është ardhja e mbesës time Emës, e cila më ka lumturuar pa fund, edhe më të vërtetë ishe ndjenë e mirë me u bë gjyshe. Dhuratat e para që ia kam blerë me të dëgjuar se po më vjen një mbesë në jetë qysh në fillim të shtatëzanisë, unë kam shiku të blejë diçka për bebe, gjëra të vogëla, veshje të ndryshme, i kam blerë dhurata por jo me çmime të larta, shembull djepin ia kam blerë, si gjyshe e përkushtuar.
“Kosova Sot Online”: Konsideroheni njëra prej këngëtareve më me stil nga muzika popullore, kush kujdeset për veshjen tuaj: Konsultoheni me ndonjë dizjner mode apo ky stil është atribut i shijes tuaj personale?
Remzie Osmani: Ndonjëherë them, sikur me pasë veshje të mjaftueshme, ndoshta do të kisha kënduar edhe më shumë, do të kisha realizuar edhe më shumë klipe dhe do të kisha qenë edhe më shumë prezente nëpër emisione të ndryshme, por shpeshherë cungohemi për shkak të veshjes, mirëpo ka pesë vite që unë e kam gjetur një dizajnere e cila, aq shumë më ka ndihmuar, sepse gjysma e punës është edhe veshja, kështu që pafundësisht do ta kisha falenderuar Lendita Iliazin Shtëpia e veshjeve "Flojena", e cila po kujdeset për mua dhe jam jashtëzakonisht e kënaqur, me të. Unë i ndihmojë sepse zakonisht duhet ta dijë se çfarë kërkoi unë, shijet e mia, ajo tani i ka mësuar por shpeshherë edhe i propozojë modele të ndryshme, dhe ka raste që prej mëngjesi deri në mbrëmje qëndrojë së bashku me Lenditën, duke menduar e duke punuar gjëra. Ndodhë që brenda ditës, më qepë fustan apo kostum kur më duhet për shpejtë, kështu që falenderim pa fund për Lenditen.
“Kosova Sot Online”: A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?
Remzie Osmani: Normal, që neve këngë çdo ditë na dërgojnë, sepse kanë dëshirë fillestarët, të rinjët, studiot e reja, tekstshkruesit e rinj, kompozitorët e rinj, të punojnë me neve, na dërgojnë këngë mjaftueshëm, thuajse çdo ditë na dërgojnë dy - tri këngë për t'i dëgjuar, por normal që unë duhet të zgjedhë, nuk mundem t'i marrë të gjitha këngët që më ofrohen, prandaj i zgjedhi, por shpeshherë pa u munduar t'ia ndryshojë pakëz tekstin, sepse ndonjëherë nuk është e qëlluar, prandaj duhet me ia përshtatë vetvetës, sepse jo të gjitha këngët janë të karakterit tim, andaj ka edhe prej tyre që kam refuzuar.
“Kosova Sot Online”: Si e gjithë bota edhe Kosova po përballet me luftën kundrejt koronavirusit (COVID-19), si i kalojë këta muaj Remzia, duke marrë për bazë se gjatë vitit 2020 mbrëmjet muzikore dhe dasmat u anuluan nga Qeveria?
Remzie Osmani: Normal, kjo situatë që po e kalojmë, inshallah nuk kthehet kurrë më edhe si thotë një fjalë popullore "Mos na raftë me harru".Kam kënduar deri më 9 Mars, pastaj me datë 13 veq u mbyllëm, nuk kam kënduar më, normal nëpër emisione kam marrë pjesë diku diku, pastaj tani për festa të fundvitit. Sa i përket dasmave, unë për vete po them se më rëndësi është që të jemi shëndoshë, por jo që po ndalen njerëzit, por dhashtë Zoti të mos përsëritet më dhe të kthehemi në normalitet dhe ta vazhdojmë jetën ndodhi si ndodhi nuk kem çfarë të bëjmë. Ata muaj i kam kaluar me fëmijët e mi, bashkëshortin, i cili ka punuar, pasi e ka agjencionin e vetë, ku tash e 35 vite punon aty, normal që kur u mbyllëm të gjithë, edhe ai nuk ka punuar, por pastaj ka vazhdu me punën, kurse unë kam vazhdu me punët e shtëpisë (Qesh), duke përgatitë dreka, darka, lajë, shpërlajë, tanimë që e kam mbesën, më ka rrëmbyer të gjithën për vete, edhe vetëm po pres kur të zgjohet nga gjumi, për tu marrë me të, edhe pse rolin kryesor e ka nëna e vetë, edhe unë kam dëshirë të kujdesem për të, ta shëtis e kështu...
“Kosova Sot Online”: Cila është dita më e lumtur e jetës tënde?
Remzie Osmani: Nuk mundem të them, që kam vetëm një ditë të lumtur në jetën time, kam shumë data të rëndësishme, shumë ditë të lumtura, por parimi im është që ta jetojmë të sotmen, sepse e nesërmja nuk dihet se çfarë sjellë, prandaj unë gjithmonë mundohem të jem e lumtur, pavarësisht situatave në të cilat ndodhem, nuk kam dëshirë gjërat t'i bëj si të patejkalueshme, kështu që jam një person shumë pozitvë, qeshi shumë, dhe mundohem ti kalojë situatat të cilat ndonjëherë edhe jo të këndshme.
“Kosova Sot Online”: Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?
Remzie Osmani: Pavarësisht asaj, që ndoshta nuk është shumë e këndshme, të shohësh në televizion lloj-lloj skenash, gjatë prezantimit të një kënge, sidomos zhveshja e tepërt, kjo askënd nuk e bën të ndihet mirë dhe as mua, por ka ndryshuar koha, po ecim me botën, gjeneratat e reja, ndoshta modernizimi e ka bërë të vetën, mirëpo prapë me një zhveshje kaq të tepruar, nuk mund të them se kjo quhet modernizim. Modernizim ëshë kur sjellë diçka të bukur, që ta kënaq syrin (Qeshet), ndoshta për dikënd edhe kështu i kënaqen sytë, por për mua jo, megjithatë kështu po i pranojnë. Por për të qenë një këngëtarë i suksesshëm, duhet ta kesh zërin, ta njohësh punën, duhet të unisohesh dhe ta përvetësosh skenën, të keshë elegancë, stil, të gjitha ngapakë, atëherë mendojë se është një artist i kompletuar, jo patjetër të dalemi e të zhvishemi sepse kjo është e bukur, primare mbetet zëri.
“Kosova Sot Online”: Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t'i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?
Remzie Osmani: Në këtë pyetje nuk di as çfarë të them, aq jam ndjerë keq me gjendjen e Nexhmijes, si e ka pasur, mesa di unë, shumë pak kam marrë ndihmë nga shteti, kështu edhe Ismet Peja e Shahindere Bërlajolli, e sa për mua (Qeshet) vetëm nëse mundohen të më "zhysin në kazan", se jo për të dhënë ndihmesë. Me gjithë këtë karrierë, nuk e di ndonjëherë që më është ofruar diçka, përpos asaj që unë paguaj tatim nga viti 2001, jam munduar të jem e rregullt, me mundësitë e mia, sa është dashur të paguajë. Mirëpo prej shtetit, unë si artiste, nuk kam marrë asgjë, por mbesim me shpresë se do të vijnë ditë më të mira, ndoshta ne, këto gjenerata do të presin diçka më mirë nga shteti, pasi për gjeneratat më të vjetra që u shuan, nuk kam dëgjuar ndonjëherë të kenë pasur ndonjë ndihmesë të madhe, edhe vetë e kanë deklaruar nëpër emisione për gjendjen në të cilën kanë qenë.
Më vjen shumë keq dhe ndjejë shumë dhimbje që ne artistët nuk kemi mundur të shkojmë dhe t'i përcjellim ashtu si ata e kanë merituar, duke marrë pjesë në varrimet e tyre, por shpresoj që vetë komuna apo vendet në të cilat ata kanë jetuar, ta bëjnë ndonjë tubum komomerativ, për ti nderuar herdo-kurdo ne si artistë, këta këngëtarë të cilët më të vërtetë janë të paharruar për të gjithë popullin shqiptar.
“Kosova Sot Online”: Si ishte viti 2020 për Remzinë?
Remzie Osmani: Viti 2020, normal që nuk ka qenë i mirë për askënd e as për mua, mirëpo ajo që ka qenë pozitive për mua, ishte qëndrimi me familjarët e mi më shumë. Edhe pse puna e Covid-19, jam munduar të marr masa mbrojtëse, kam takuar prindërit e mi, Nënën, Baben, dhe ndoshta ky pushim më ka bërë edhe mua mirë, kam fituar energji më tepër, andaj pres që kur qdo gjë të stabilizohet, nuk do të ndiejë lodhje, pasi edhe kjo kohë u bë e gjatë dhe u kthye në monotoni.
Megjithatë nëse artistëve ju ndalet kënga, sikur me ta ndalë frymën, ne me vite të tëra e kemi bërë këtë punë, kemi qëndruar në skenë, dhe asnjëherë nuk e kam menduar se nuk do të këndojë më, Nuk e di ndonjëherë se si disa artistë marrin vendime për ta lënë këngën, është shumë e vështirë por shpresoj të kthehemi në normalitet, dhe të gjithë ta vazhdojnë punën ashtu si duhet, e edhe ne artistët.
Ne si këngëtarë kemi bërë një standart, pasi kemi punuar shumë, por më vjen shumë keq për muzicientët tanë, të cilët kanë punuar me neve, të cilët janë të gjithë me akademi të kryer dhe nuk punojnë askund, kjo më dhem sepse edhe ata duhet ta ushqejnë familjen e tyre, sepse shumica mendojnë këngëtarët, muzika, por nuk është muzika vetëm te këngëtarët, por është edhe për shumë persona tjerë të cilët kanë jetuar nga kjo punë, e kanë bukë ta them.
“Kosova Sot Online”: Për fund, cila është motoja dhe urimi i Remzie Osmanit, për Vitin e Ri 2021?
Remzie Osmani: Dhe për fund, unë uroj që, le të ndajmë lumturinë, duke ndarë urimet më të përzemërta për gjithë popullin tonë shqiptar, dhe njëherë e përgjithmonë inshalla të çlirohemi nga ky trishtim, nga ky ankth dhe le të përpiqemi për më të mirën tonë. Uroj që ky vit të na jepë mundësinë për t'i ndjekur ëndrrat tona.Viti 2021, shpresoj që të jetë vit i realizimit të punëve dhe ëndrrave tona, dhe të duam e të falim dashuri sikur nuk ka nesër.
Intervistoi: Armend Preteni
(Kosova Sot Online)