Yasmina Khadra autori i cili nuk përfilli as censurat e kohës për t'i jetësuar idealet e tij

  • A.P /
  • 28 May 2022 - 17:06
Yasmina Khadra autori i cili nuk përfilli as censurat e kohës për t'i jetësuar idealet e tij

Në lexim të parë të emrit Yasmina Khadra, ata që nuk kanë pasur rastin të lexojnë më parë ndonjë libër nga ky autor, mendojnë se është fjala për një shkrimtare por në të vërtetë ky është një pseudonim femëror që autori i lindur si Mohammed Moulessehoul e përdori për të shmangur censurën ushtarake në vitet 90’ atëbotë derisa shërbente si oficer në ushtrinë algjeriane.

Vetëm në vitin 2000, Khadra do ta zbulonte identitetin e tij të vërtetë.

Mohammed Moulesehoul i lindur më 10 janar 1955, i njohur më mirë me emrin e stilolapsit Yasmina Khadra është një autor algjerian i cili jeton dhe vepron në Francë.

Më 2 nëntor 2013, Khadra shpalli kandidaturën e tij për presidencën e Algjerisë. Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të kualifikohej, duke mbledhur vetëm 43,000 nga 90,000 nënshkrimet e nevojshme.

Image

Khadra padyshim është një nga romancierët algjerianë më të famshëm në botë i cili ka shkruar mbi 40 romane dhe ka botuar në më shumë se 50 vende të botës.

Romanet e tij, respektivisht përshkrimet e tyre përçmuese të rebelëve fundamentalistë islamikë të Algjerisë u rishqyrtuan shpesh me akuza të reja për paragjykim dhe shovinizëm.

Kushërira K (Cousine K), është ndër romanet më të njohura nga Khadra i cili u botua në vitin 2003 në Paris.

“Ka miq të cilëve asgjë nuk u shkon mboth”, me këtë fjali fillon ngjarja…

Përgjatë romanit tregimtari pa emër mbetet misterioz, absurd dhe shpërfill pritshmëritë e lexuesve.

I torturuar nga agorafobia, tregimtari jeton ende me nënën e tij dhe të dy banojnë në një vilë të zbrazët që e lë në hije Douar Yatim, një fshat i shkretë algjerian.

Image

Vetë historia është ndërtuar mbi mendimet, kujtimet dhe veprimet e fragmentuara të narratorit teksa ai endet nëpër këto vende të çuditshme.

Struktura më e rëndësishme narrative përfshin marrëdhënien e tij të fëmijërisë me bukuroshen Cousin K, të cilën ai e do dëshpërimisht:

"Dielli, hëna, bubullima, universi, i gjithë universi është i pakuptimtë dhe i heshtur kur kushërira K hesht. Kushërira K është arsyeja ime për të jetuar. E qeshura e saj është një simfoni, shkëlqimi i syve të saj është një magji e pastër".

Megjithatë, kushërira K tallet me dashurinë e rrëfyesit, në vend të kësaj tallen me largësinë e tij, e cila, edhe si fëmijë, përcakton marrëdhënien e tij me të tjerët.

Fillimisht rrëfimtari duket të jetë viktimë - e dashurisë së pashpërblyer të kushërirës të tij, e vetmisë së tij dhe e neglizhencës së nënës së tij. Duke përshkruar nënën e tij, ai kujton:

"Asnjëherë buzët e saj nuk ma lanë faqen; asnjëherë gishtat e saj nuk më kanë lëmuar flokët. […] Ne ishim bashkë por nuk e njihnim njëri-tjetrin. Unë nuk e kam idenë se çfarë i bëri asaj; nga ana ime, sikur të kisha zbritur pa dashje në një unazë cirku të zbrazët: më vinte turp sa herë kishte vende të lira në tribuna".

Por përfundimisht bëhet e qartë se, njësoj si Humbert Humbert i Nabokovit, tregimtari ka maskuar një shpirt të keq me prozë elokuente. Që herët, ai lë të rrëshqasin disa sugjerime kalimtare të sociopatisë së tij, si kur thotë: “Më pëlqente të shihja nënën time duke vuajtur. Ishte një nga momentet e rralla kur ndjeva se ajo ishte prej mishi dhe gjaku.”

Image

Nga përfundimi i romanit, kujtimet e ndryshme të narratorit bashkohen në një portret befasues të egërsisë së tij.

Khadra më pas jep një përfundim pulsues për të kundërshtuar ritmin e fragmentuar që përcaktoi gjysmën e parë të librit.

Romani fillon dhe përfundon me disa faqe që përshkruajnë me detaje një shpërthim që ndodh në një rrugë palestineze të mbushur me njerëz ndërsa kushërira K sigurisht ka pjesën e tij të dhunës, Khadra e fiton atë këtë herë, si kur narratori kujton në terma të shkurtër se si u vra i ati gjatë revolucionit algjerian:

"Babai im vdiq në prag të Ditës së Madhe. Unë isha pesë vjeç. Unë isha ai që e gjeta të varur në një grep S në stallë, lakuriq nga koka te këmbët, sytë e nxjerrë, seksi në gojë. [...] Nuk e mbaj mend sa kohë qëndrova i rrënjosur në vend. Dikush erdhi tek unë, më vuri duart mbi sy dhe më largoi nga makthi".

Se a do të mbetet në historinë e letërsisë Yasmina Khadra shkrimtari më i fuqishëm dhe serioz në frëngjisht që nga bashkatdhetari i tij algjerian Albert Camus këtë do ta dëshmojë koha.

Shkruan: Armend Preteni - kritik letrar


(Kosova Sot Online)