Tmerri i shqiptarëve i përjetuar letrarisht edhe te frankofonët
Shkruan: Shefik Shkodra
Arben Kondi: L’Horreur, roman, ILAR, Tiranë, 2022.
Pasi e lexova librin “Muhaxhirët”– dosja Britanike, atë “Letërkëmbimi i Faik Bej Konicës dhe Baronit J. Zwiedineck”; “Dardania”, të grup autorëve nga ASHSH, kështu vendosa ta lexojë romanin e Arben Kondit, “Tmerri” (“L’Horreur”). E shfrytëzova rastin ta lexoj në frëngjisht nga kureshtja, si është interpretuar ngjarja, stili dhe si duket në tërësi romani i Arben Kondit në këtë gjuhë, njërit prej krijuesve letrar mjaft produktiv e me cilësi.
Arben Kondi ka bërë një vepër të qëlluar për kohën. Një informacion të ngjarjeve të vërteta historike, përkthyer në gjuhën që mund t’i ofrohet lexuesit frankofon kudo që ndodhet e që do të njihet me një Tmerr të vërtetë në mbarim të shekullit të XX. Dhe ky motiv është një dëshmi, për një luftë aq të ndytë ndërmjet Serbisë të armatosur me armë moderne dhe shqiptarëve duarthatë në Kosovë, gjatë viteve 1998/99. Tmerret e shqiptarëve të përjetuara nga Serbia nuk janë përherë të parë në këtë vit. Ata janë shekullore. Me një politikë të vjetruar e me porosi nga Rusia, për të zhdukur qenien kombëtare shqiptare. Mjetet për gjenocid nuk janë zgjedhur.
* * *
Kryepersonazhja në romanin, “L’Horreur” (Tmerri), është zgjedhur e planifikuar dhe bukur e projektuar krejt ngjarja. Ajo rrëfen me gjuhën e vet amtare, e cila rrjedh nga qyteti francez, aty ku është lindur dhe është rritur; aty edhe filloi jetën dashurore me një serb nga Serbia, i cili atje ishte në studime për njohuritë historiografike. Pra në qytetin, në të cilin ndodhet Parlamenti Evropian, e reja franceze u takua dhe u dashurua me një Zllatko nga Nishi. Kjo shkëndijë e këtij teksti do të bie kudo në botë dhe në Qendër të Evropës, për t’ua prekur ndërgjegjen, që krejt Evropa e ka ditur se, po bëheshin përgatitjet për një plojë në Ballkan.
Ishte rasti më parë në Bosnje e Hercegovinë, pikërisht në qytetin Srebrenicë, ku ushtria serbe likuidoi mbi 8000 persona para pjesëtarëve të ushtrisë blu, në mos edhe në dijeni të zyrtarëve evropianë. Dhe, rasti tjetër, në Kosovë ndjekja e shqiptarëve nga vatrat e përjetshme, dhunimi i femrave, plaçkitja dhe vrasjet ishin të pa kontrolluara, në mënyrë shtazarake, pa zgjedhur moshë e gjini. Natali ishte përjetuesja dhe interpretuesja e të gjitha ngjarjeve. Që nga koha, kur kishin filluar mobilizimet në Serbi, ajo ishte me të shoqin Zllatko dhe të birin, Iv, në Nish. Lutja e saj ishte e butë dhe humane, që bashkëshorti i saj të mos merrte pjesë në atë farë ferri.
Është shprehja dhe ndjeshmëria njerëzore kundër krimeve në Kosovë. Mirëpo, serbi nuk dëgjoi për këto fjalë të ndërgjegjshme të Natalisë. Kështu, kaluan në Kosovë, së pari në Prishtinë, pastaj në Gjakovë...ajo i hetoi të gjitha krimet dhe dhunimet që paramilitarët dhe ushtria serbe i bënte te qytetarët shqiptarë. I shoqi i Natalisë ishte njëri prej komandantëve të grupeve paramilitare. Shkonte në punë në mëngjes, Natali mbetej në banesë me djalë dhe me një fqinje, për të cilën thuhet se ishte kroate, e martuar për serbin.
Edhe kjo kroatja do të ishte në kundërshtim të heshtur i të gjitha atyre krimeve. Krejt ato që ia rrëfente i shoqi i kroates (Sfjetllanes) serb, kjo ia tregonte francezes, përkatësisht Natalisë. Të gjitha tmerret me persekutime që nuk di e nuk mundet kushdo tjetër as t’i paramendojë, pos serbëve, por edhe dhunimin e femrave nëpër podrumet e ndryshme, pushkatimet pas plaçkës, etj. Natalisë krejt këto skena ia futën tmerrin, e cila si tip delikat ndihej shumë keq. Ajo nuk e donte më të shoqin. Ajo kërkonte të ikë nga kjo botë e shëmtuar. Nuk dëshironte të flinte e qetë dhe ta tumirë asnjë krim në njerëzinë. Dëshironte të kthehej me të birin e vogël, në Francë te prindërit e saj. Zllatku, i shoqi, nuk pajtohej. Ai e përcillte me njerëzit e vet kudo që lëvizte. Një ditë Natali vendos, që zëri i saj të jehojë deri te auditoriumi franko-fon, duke përshkuar të gjitha peripecitë.
Kjo ishte veç një provë, nëpër shtigjet e ferrit bashkë me shqiptarët, liri ose vdekje. Kureshtja e Natalisë ishte për ta provuar veten me të gjitha dilemat dhe rreziqet për jetë. Ajo tashmë në rrugë të ikjes, praktikisht ishte si një shqiptare dhe me shqiptarët e përzier. Shtegtimi ishte shumë i paparashikuar. Por ishte një rebelim i kësaj femre. Duhej t’i përjetonte dhe të ishte një sakrificë e barabartë si femra shqiptare. Me gjithë lodhjet e saj psikike dhe fizike, me një djalë 3 vjeçar dhe gjësendet e ngarkuara, duhet të përjetojë edhe kontrollet – paraqitja para paramilitarëve, e cila ishte mjaft e trishtuar. Trishtimi ishte edhe prapa saj, nga ndjekja e të shoqit me bandën e vet.
Priste kur do ta zinin, do t’ia merrnin djalin dhe do ta pushkatonin. Ky tmerr e përcolli deri në kontrollin e fundit, nga dhuna paramilitare në pritë dhe paramilitari në ndjekjen e saj prapa, të cilin deri në këto kohë e kishte njeriun më të dashur. Dashuria ndaj tij ishte harbuar tashmë dhe, Natali do t’i tregoj botës mbarë për krimet dhe gjenocidin, të ushtruar mbi shqiptarët në Kosovë, si askush tjetër më qartë e më mirë. S’ka mundësi asnjë diplomat që ta njoftojë publikun frankofon kështu si Natali e romanit “Tmerri” i shkrimtarit Arben Kondit.
është në kundërshtim me humanen nga kushdo që vjen. Nga krimi dhe gjenocidi i dorës së hekurt mbi njeriun, shkëputet dashuria e ngrohtë dhe jeta intime. Përjetimi i krimit nga humania nuk mund të ripërtërijnë lehtë jetën dashurore. Ikja nga një dashuri e mbuluar me cipën e tejdukshme të shpirtit kriminel është shpëtim i ndjenjave humane. Këtu bëhet dallimi nga njerëzorja me satanizimet e djallit.
Natalie dhe Sfjetllana ishin dy personazhe, njëra franceze dhe tjetra kroate, të cilat nuk ishin adhuruesit e veprimeve serbe, por në të kundërt, gjykuese dhe refuzuese të krejt atij llahtari. Për këto ishte një koshmar, një ëndërr e keqe. Kjo na del diçka e natyrshme e shumë reale, meqë kemi të bëjmë me një franceze dhe një tjetër me prejardhje kroate. Kjo e fundit e kishte ndie edhe luftën e dhunshme nëpër Kroaci po nga këta serbët. Këto dy personazhe, sidomos Natali shënojnë nivelin e rrëfimit të krejt kësaj drame.
Është shtylla kryesore në romanin “Tmerri”, nëpërmes të cilit do të mësojnë kushdo qoftë për veprimet e ndyta të serbëve. Me këtë do të bindet edhe ndonjë që nuk ka besuar apo nuk ka dëgjuar se, çfarë janë serbët. Ky roman e bën të vlershëm edhe informimin për një luftë apo disa luftëra që kanë ndodhur në Ballkan. Romani lexohet me lehtësi, rrëfimi ngjan me ngjarjen e vërtetë. Stili është i pranueshëm për lexuesin. Nuk është i ngarkuar me shprehje të panjohura. Ngjarja paraqitet ashtu siç e kanë përjetuar pjesëtarët e shqiptarëve drejtpërdrejtë këtë luftë.
Asgjë s’është imagjinatë dhe as hiperbolizim. Ne që jemi dëshmitarë të kësaj ploje, na duket si një shtrëngatë e një moti të keq. E përsëritur. E nga natyra s’ka mëshirë. Ushtria, policia dhe paramilitarët sikur nuk ishin pjellë e njeriut. Ata duken si stisje demoniane në tokat shqiptare. Si një antikitet i vonshëm. Autori i këtij libri ka shkëlqyer me projektin dhe ecurinë e ngjarjeve nga marsi i pranverës deri në fillimin e qershorit të vitit 1999 dhe mbarimin e kësaj shtrëngate. Arben Kondi na ka bërë nder e të ndihemi mirë, kur informata del prej dorës së parë, distribuohet te lexuesi me mjeshtri të veçantë letrare.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".