Nazife Bunjaku: Kënga shqipe nuk është leckë e as top futbolli me shkelmu herë andej e herë këndej
Intervistë me këngëtaren NAZIFE BUNJAKU
Emri i Nazife Bunjakut rënditet në top listën e më të mirnjohurave të muzikës popullore moderne dhe asaj folklorike.
Fillimet e saja në skenë datojnë nga viti 1985, derisa ishte shpërblyer me çmimin "Mikrofoni i artë" në Festivalin "Kosovarja këndon" në vitin 1987.
Ndër vite ajo ka publikuar një sërë këngësh solo dhe në duet me emrat më të njohur të estradës.
Në një intervistë të realizuar për "Kosova Sot Online" këngëtarja e njohur Nazife Bunjaku si rrallë herë shpalos shumë të pathëna rreth jetës dhe karrierës së saj ndër vite.
Kënga e fundit që keni publikuar mban titullin "Ku je shqipe", sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngës dhe duke u ndërlidhur me këtë pikë mund të themi se jeni ndër artistet e rralla që vazhdoni t’i këndoni atdheut?
Nafize Bunjaku: Incizimi i këngës "Ku je shqipe", ka zgjatë më pakëz se një orë, pasi vija melodike ka qenë gati. Jam e kënaqur pasi jo vetëm te vetja ime por te çdo artiste unë e vlerësoj interpretimin, saktësinë dhe momentet kur këngës i jipet shpirt, e për ti dhënë një kënge shpirt asnjëherë mos mendo përfitime por mendo vetëm vlerat.
Ndër vite keni realizuar disa këngë hite si: "Moj e mira", "Kadal hasem", "Moj Kosovë nur i lavdisë" etj., por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?
Nafize Bunjaku: Hiti im, më i suksesshëm ka qenë kënga "Këngë Rinore", zhanër modern, ku jam shpërblyer me mikrofonin e Artë. Dhe më e mira ka qenë se juria dhe publiku vlerësuan njësoj. Pastaj vazhdimisht kam punuar por kurrë me e tepru , nuk mund të kenë vlera 10 këngë brenda vitit ose është tjetra, trendi më i ri çdo javë nga një këngë e më shumë përfitime. Ndjej keqardhje sa shumë po maltretohet kënga e arti.
Poashtu dua ta përmend këngën "Fitilat e llamës", të cilën e kam kënduar e para në studio dhe e kam marr nga disa vajza që i kam dëgjuar në një dasëm familjare dhe ka qenë hiti im para gati 17 vitesh, ku edhe sot vazhdon të mbetet e kërkuar në çdo festë familjare e dasma
Të gjitha këngët që i kam realizuar, si baladat, si populloret, si folkloriket, i kam ndjerë, i kam pëlqyer dhe secila ka në vete vlera e mesazhe të bukura.
Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?
Nafize Bunjaku: Kam pasur shumë momente të ëmbela gjatë fëmijërisë time. Unë për vete çdo gjë që lidhet me vendelindjen time Prishtinën e laxhën "Bregu i Diellit", më duken dhe ishin momente e ndodhi të bukura. Më kujtohet loja kur kemi bërë gara: Laxha jonë me një laxhe tjetër se kush rregullon nusën më bukur. Unë si fëmijë shkova fshehurazi në shtëpi dhe i mora nanës gjitha stolitë e arit, ato çfarë i kishte dhe i dhashë për me ja vu nusës së laxhës tonë, pasi mbaroi gara i kam harruar te disa blloka në një vend si fushë, kishin qenë të bleme me djersë si thonë pleqët të hallallit dhe i gjeta. Më se kam bërë atë gabim.
Kënga "Hyn në valle" e publikuar para shumë vitesh në duet me motrën tuaj këngëtaren e njohur Merita Bunjaku mbetet një hit i vërtetë/Kur do t'ju shohim sërish në një duet?
Nafize Bunjaku: Kënga "Hy në valle", vërtetë ishte hit dhe e realizuar bukur në studion Fenix, me orkestrim nga dy mjeshtrit, i ndjeri Haki Krasniqi dhe Istref Krasniqi, që edhe tani punon e vepron në Prizren. Kjo këngë aq shumë kërkohej në dasma e mbrëmje, sa që akoma pa u bërë muaji u mor nga këngëtar tjerë, duke ndryshuar origjinalin por në fakt hit u bë nga unë e Merita.
Patjetër se mendojmë për duete, por tani në këto momente nuk di, as nuk ja kam idenë çfarë projekti me punu, e pse besoj se e kuptoni dhe ju dhe ata që i rrinë besnik këngës e vlerës.
A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?
Nafize Bunjaku: Jo një herë por shumë herë kam refuzuar. Këngë që nuk i ndjejë dhe nuk ma kënaqin së pari veshin mua, nuk e pranoj, jam shumë selektive në këtë aspekt. Mundem me i këndu të gjitha zhanret por nuk kam dëshirë me u fut aty ku s'më takon dhe anasjelltas!
Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?
Nafize Bunjaku: Një këngëtar i mirfilltë punon e lufton me u vleresu nga talenti e zëri, në momentin që kënga shikohet e nuk dëgjohet atëherë nuk kam koment.
Çdo njeri ka nevojë dhe e ka qefin e parave, por gjithçka me masë. Kam dëgjuar disa intervista, nga disa kolege të mija që thonë, ka nevojë ai ose ajo për me mbajtë familjen dhe i duhen para, dmth diti nuk diti me këndu duhet me arrit deri te paraja. Nuk jam nga ato që i bëj qefin askujt ose me mbajt dy krahë e me ma pas hatrin.
Me cilin këngëtar/e nga estarda do të preferoje ta realizoje një duet?
Nafize Bunjaku: Me vite të tëra kam pasur shumë bashkëpunime, fillimet e mija me Sinan Vllasaliun, Afrim Muqiqi, Danin, Zef Beka me Meritën dihet që kam punuar shumë, po dhe me këngëtarë të tjerë. Me çdo këngëtar-e, që din me këndu jam në gjendje me bashkëpunu, por gjithmonë e para është Merita.
Viteve të fundit muzika shqipe është vërshuar nga popturi dhe këngë kushtuar tezeve e hallave/A mendoni se kjo temë është stërkonsumuar dhe është bastarduar tej mase nga një pjesë e këngëtarve?
Nafize Bunjaku: Ka disa vite që po i përcjell gjirimet e fund viteve, dhe sinqerisht aq bajate e aq jane demodu sa më vjen për të vjellë, pasi përsëriten këngët e njejta, vetëm veshjet ndryshojnë. Pastaj, këto tekstet e këngëve aq shumë më irritojnë sa s'ka më. Tematika qesharake, tekste pa asnjë mesazh, tekste të ripërsëritura, të konsumuara deri në asht!!!.
Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual apo duhet ndryshime urgjente?
Nafize Bunjaku: Unë jam e para që kisha me u dhanë përkrahje talenteve e talentëve të rinj dhe jam në gjendje tërë kohën me i përkrah, por kënga shqipe nuk është leckë e as top futbolli me shkelmu herë andej e herë këndej, prandaj irritohem. Kam parë e dëgjuar disa këngtare të reja që sinqerisht po kënaqem kur i dëgjoj por nuk marrin vëmendjen e duhur. Talentin vlerësoje për hir të kulturës shqiptare, prezentimi i denjë i çdo kombi është një vlerë e shtuar e kombit.
Cila është motoja që përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?
Nafize Bunjaku: Jeta në tërësi është shkollë. Të gjithë njerëzit janë mësues, prandaj mos e injoro të mësuarit prej tyre. Këtë mund ta arrish, duke analizuar dhe pasuar sukseset e tyre dhe duke iu shmangur rënieve dhe dështimeve të tyre.Intervistoi: Armend Preteni
(Kosova Sot Online)