NJË LIBËR MODEL PËR BIOGRAFITË E BIZNESMENËVE
Shkruan: Thanas L. Gjika
(Mbi librin “ATDHEU dhe Toka e Premtueme” të Sergio e John Bibicit)
Gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit janë botuar shumë libra, disa prej të cilave përbëjnë ngjarje kulturore për cilësinë e lartë artistike, për idetë e spikatura që sjellin, për ngjarje të rëndësishme që trajtojnë, etj. Libri i ri i hatruar prej dy vëllezëve Sergio dhe John Bitiçi “ATDHEU dhe Toka e Premtueme” Shtëpia Botuese NACIONAL Tiranë 2021, 261 f. bie në sy për realizimin me nivel të lartë artistik të të gjitha aspekteve të ndërtimit të një biografie familjare: gjuha e pastër shqipe komunikuese pa zbukurime e mburrje, që del nga zemra, paraqitja e shumanshme e aktiviteteve atdhetare gjatë 50 vjetëve e katër vëllezërve Bitici, pronarë restorantesh cilësorë të Nju Jorkut, ilustrimi i aktiviteteve me fotografi të pastra, riprodhimi i disa vlerësimeve, si dhe riprodhimi i disa piktura akuarel me panorama nga atdheu të Serio Biticit.
Jeta atdhetare e familjes tropojane Bytyçi / Bitici jepet e plotë. Nis me gjyshërit, luftëtarë të lirisë kundër zgjedhës osmane, vijon me prindërit antikomunistë, që u detyruan të arratiseshin në Jugosllavi dhe arrin majën me aktivitetin e të katër djemve, të cilët u shquan mbas ardhjes në ShBA: Sergio, John, Mike dhe Joe. Këta malësorë asganë punuan si kuzhinierë dhe pronarë restorantesh ditë e natë dhe krahas kësaj pune të lodhshme zhvilluan një aktivitet shumë të gjallë si anëtarë të Federatës PanShqiptare Vatra, si mbështetës e sponsorë kryesorë të Shoqërisë “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”, u afruan dhe sponsorizuan bujarisht politikanë si Dio Guardi, Bob Dole, etj për ta popullarizuar në Senat shtypjen e popullit shqiptar në Jugosllavi si populli të dorë së dytë e të tretë derisa me luftimet e NATO-s e të UCK-së u arrit clirimi nga sunduesit serbë dhe shpallja e Republikës së Kosovës shtet i pavarur, etj. Kur erdha në Amerikë me lotarinë Green Card më 1996 u interesova të njihja e të shkruaja për veprimtarët që e kishin mbajtur gjallë shqiptarizmin. Mësova se disa pronarë restorantesh si Vasil J. Pani e kishte mbajtur me shpenzitet e veta qendrën e Federatës Vatra në Boston gjatë viteve të L2B, se Antony Athanas kishte qenë mbështetësi kryesor i Peshkopit Noli dhe i Federatës Vatra për gati 40 vjet. Po ashtu mësova se kishin luajtur rol të rëndësishëm në veprimtarinë atdhetare e politike të kolonisë shqiptare të Amerikës edhe i arratisuri politik Ekrem Bardha me McDonald-et e tij në Detroit MI; vëllezëtit Ajeti me restarantin e tyre në Clearwater, FL; Bruno Selimaj me restorantin e tij në Nju Jork, se në qytetin Worcester MA ishin shquar vëllezërit William & John Christo dhe Bill Jones me restorantet e tyre, etj. Në vitin 2001 i paharrueshmi milioner Antony Athanas më ftoi edhe mua me Julian në ceremoninë e 90-vjetorit të lindjes së vet në “Pier Four Restorant”. Djemtë e tij kishin përgatitur një film dokumentar të shkurtër anglisht mbi jetën e familjes dhe një kasetë 10-15 minuta me kujtime ku ishte incizuar zëri i Andonit anglisht.
Pas disa javësh i thashë jubilarit se ia vlente të punonim bashkë për t'i mbledhur sa më të plota kujtimet e tij e t'i botonim si libër së pari shqip e pastaj anglisht. Ia theksova se nuk desha shpërblim për këtë punë mbasi unë gjatë muajve të dimrit rrija pa punë dhe merrja një asistencë. Mirëpo ai nuk e vlerësoi. Edhe djemtë e tij, Mike dhe Anthony Jr, mbas nja dy vjetëve, kur babai i tyre e nddërpreu punën për shkak të sëmundjes, dhe unë ua përsërita kërkesën për mbledhjen e kujtimeve të babait, më thanë të prisja sa të shërohej, por Andoni nuk u përmirësua dhe kështu kujtimet e tij mbetënpa u mbledhur... Hartimi i një libri biografik mbi jetën plot aktivitet të Anthony Athanasit të treguar prej tij dhe e ilustruar me foto të shumta që i kishte ruajtur me kujdes, do të ishte një model biografie për biznesmenët atdhetarë për të shkruar edhe ata libra me kujtimet e tyre, gjë që do të ndihmonte në forcimin e traditave patriotike dhe në pasurimin e anës kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan. Një punë të tillë e vlerësuan dy vëllezërit e mëdhenj Bitici, Sergio dhe John. Ata e shkruan biografinë e familjes së tyre në formë kujtimesh dhe një ditë, pa më njohur personalisht, më pyetën në telefon nëse mund t'i ndihmoja për ta përfunduar librin. Unë pranova dhe Sergio ma dërgoi me postë materialin të printur në letër. Mbas nja dy javësh u thashë se kam bërë korrigjime e sugjerime për ta shtuar e sistemuar më mirë lëndën. Më ftuan të shkoja në Nju Jork për të bashkëpunuar. Më strehuan në një hotel të mirë dhe punova me Sergion katër ditë në dhomën e hotelit. Drekën e darkën i hanim bashkë tek “Allora Restorante” 145 East 47-th Str. Sergio bënte porositë. Shpesh herë ulej me ne dhe pronari Z. Elio Gjonbalaj, i cili e kishte filluar jetën e emigrantit si pjatalarës tek restoranti i Sergios. Nuk e harroj bujarinë e këtij malësori nga Mali i Zi. Kur Sergio nxori kuletën të paguante drekën e parë, Elio i tha: “Sergio, të jam mirënjohës që ma solle mikun tënd, Thanasin, të hajë tek unë gjithë ditët që do të rrijë këtu. Gëzohem që mund të shlyej një pjesë të vogël të nderit që më bëre kur më more në punë pa e ditur anglishten”. Kurse mua, kur u ndamë mbas darkës së fundit më tha: “Jam i gëzuar që u njohëm. Sa herë të vish në Nju Jork eja tek restoranti im, tani je mik i Sergios dhe i imi”, duke më lënë të kuptoja se do të haja falas. Ndonëse kam dashur të shkoj, nuk m'u bë mbarë të veja, dhe më ka mbetur merak që nuk e shijova më atë supën me llapster që e gatuante kuxhinieri i tij, të cilën nuk e kam hasur gjetkë. John-i, vëllai i Sergios, bashkautori i librit, ditën e tretë na ftoi mua e Sergion tek restoranti i tij “Fiorino Restorante” 38 Maple St. Summit N.J. Ai u ul me ne, ku na seviri djali i tij. Veç sallatave dhe mezeve na erdhën dhe gjashtë pjata me gjellë speciale, të cilat nuk i kisha ngrënë ndonjëherë. Më vjen turp kur e kujtoj se si i hëngra shpejt e shpejt pa delikatesë ato pjata të stolisura aq bukur prej kryeguzhinierit italian që na erdhi e na përshëndeti në fund të drekës...
Sergio dhe Joni vijuan me durim punën për realizimin e vërejtjeve të mia. Ma dërguan pas disa muajsh librin të përmirësuar. Mbasi realizuan dhe sugjerimet e reja që u shkrova, e përfunduan punën, duke zgjeruar disa momente, duke shtuar batuta e biseda të kripura domethënëse, foto, dokumente, etj. Pasi ma dërguan një kopje të librit me falenderimin përkatës, pashë se me sa përkushtim e seriozitet kishin punuar këta dy vëllezër skurpulozë. E kishin renditur materialin me shumë zgjuarësi duke shpalosur bashkëpunimin me biznesmenë të shquar si Anthony Athanas, bashkëpunimet me politikanë të shquar si Jozef Dio Guardi, Bob Dol, Dr. Ibrahim Rugova, me intelektualë të shquar si Prof. Sami Repishti, Prof. Peter Prifti, etj. Lista me të cilët kanë bashkëpunuar vëllezërit Bitici është shumë e gjatë, por unë nuk mund të le pa përmendur dhe veprimtarët Essat Bilali, Prof. Martin Camaj, Hasan Dosti, Abaz Ermenji, Prof. Vasil Germenji, Philip Giantris, Shpend Haxhaj, Imam Vehbi Ismaili, Luan Isufi, Gasper Kici, Lemi Kokalari, Dr. Ali Koprenska, Dr. Nderim Kupi, Petraq Ktona, Xhemail Laçi, Dr. Eduard Licho, Dr. Anton Logoreci , Isuf Luzaj, Muharrem Maralusha, Gjok Martini, Prof. Matthew Mestrovic, Tonin Mirakaj, Duro Chini, Gjon Buçaj, Luan Gashi, Mexhid Dibra, Zef P. Deda, Dervish Duma, Tania Grossinger, Prenk Gruda, Peter James, Xhevat Kallajxhi, Hasan Kaloshi, Agim Karagjozi, Seit Beg Kryeziu, Idriz Lamaj, Adem Hodo, Dr. Agim Leka, Pauline Loukas, Thomas Mangelly, Eric Margolis, Imam Isa Hoxha, Dom Rrok Mirdita, Tonin Mirakaj, Zef Nezaj, Dr. Fuat Myftija, Hiqmet Ndreu, Isa Ndreu, Dom Zef Oroshi, Lec Shllaku, Dr. Hamdi Oruci, Zef Pali, Prof. Nicholas Pano, Prof. Arshi Pipa, Dr. Elez Biberaj, Mustaf Elezi, Skender Selman, Frank Shkreli, Rasim Sina, Husen Mulosmanaj, Dr. Ramazan Turdiu, Dr. Gjon Sinishta, Prof. Stavro Skendi, Nezir Spahija, Harry Stoya, Xhevrije Tonuzi, Hysen Terpeza, Mark Traboini, Dhimiter Trebicka, Seladin Velaj, Bilal Xhaferri, Dr. Ramadan Xhema, Nexhmije Zaimi etj. Me frymëzim e plot dashur janë shkruar faqet ku shprehet respekti ndaj shkrimtarit të shquar I. Kadare e familjes së tij, takimet me arbëreshin Papas Antonio Beluchi, etj. Për këtë libër shkroi së pari gazetari i mirënjohur Idriz Lamaj, mbas meje do të shkruajnë dhe të tjerë, prandaj po e mbyll këtu vlerësimin tim, duke uruar që këtë libër ta shfrytëzojnë edhe biznesmenë të tjerë atdhetarë për të shkruar libra mbi jetën dhe aktivitetin e tyre.
Libra, që e pasurojnë historinë e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan. si mjeshtër kuzhine, si restorantor (pronar restoranti), këto vitet e fundit po shpalos edhe aftësi të tjera të fshehura, si grumbullues e botues dokumentesh, si shkrimtar vepre biografike. Mirëpo, duke punuar çdo ditë si piktor akuarelist, shumë shpejt ai ka për të na çditur kur të dëgjojmë dhe për ndonjë sukses të tij si piktor. Bota është e njerëzve që punojnë me përkushtim, bujari dhe moral të lartë, por qeveritarët e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk e kuptojnë se të lesh pa vlerësimet e merituar një atdhetar të shquar në veprimtari të shumanshme si Sergio Bitici / Bytyçi, nuk është neglizhencë, por është krim, sepse varfëron historinë kombëtare të Shqipërisë së vërtetë...
(Kosova Sot Online)