Mbrëmje e zjarrtë folklorike në Klubin 'ARDHMERIA'

  • A.P /
  • 28 October 2024 - 07:45
Mbrëmje e zjarrtë folklorike në Klubin 'ARDHMERIA'

Shkruan: Florim Zeqa 

Të shtunën e kaluar më 26.10.2024, në Tezze sul Brenta (VI-Itali), në Klubin ARDHMERIA u mbajt mbrëmje e madhe folklorike me trashëgimtarët e ikonës së folklorit burimor shqiptar, nipat e Sefë Mleqanit, vëllezërit Ismet Beqir Gashi, Shpëtim Beqir Gashi dhe Sefë Brahim Gashi.

Jehonë e madhe e zërit të bilbilave të këngës shqipe

Disa qindra metra largë klubit dëgjohej zëri kumbues i nipave të Sefë Mleqanit duke e kënduar këngën “Thërret Prizreni mori Shkodër”, i përcjellur me duartrokitje dhe ovacione nga të pranishmit e shumtë në brendi të Klubit ARDHMERIA.

Kapacitetet e mëdha të klubit kësaj radhe ishin të pamjaftueshme për të pranuar të gjithë të interesuarit që kishin ardhur nga pjesë të ndryshme të Italisë veriore për për t’i dëgjuar dhe takuar nga afër nipat e Sefë Mleqanit, për çka më dhjetra bashkatdhetarë kishin mbetur duke pritur në radhë për të hyrë në brendi të lokalit.

Ishte kjo vetëm java e tretë nga kur është hapur klubi ARDHMERIA, ndërsa për vëllezërit Gashi nga Mleqani ishte hera e parë që erdhën në Itali. Aureola e gjyshit dhe prindërve të tyre kishte bërë që të hasin në një pritje jashtëzakonisht madhështore.

Ana tjetër më e bukur e kësaj medalje është se Ismeti, Shpëtimi dhe Sefa i magjepsën mërgimtarët me zërin e bukur e karakteristik që e dëshmuan në vepër trashëgiminë artistike të ikonave të folklorit burimor shqiptar, “Të bijve të Sefë Mleqanit”.

Vlen për të theksuar, se më 5 tetor të këtij viti u hap Klubi ARDHMERIA në Tezze sul Brenta. Është ky klubi i parë dhe i vetëm i mërgatës shqiptare në Itali. Është kjo shtëpi e të gjithë mërgimtarëve, dyert e së cilës janë të hapura çdo të shtunë në mbrëmje për të gjithë mërgimtarët pa dallime moshe, përkatësie politike apo fetare.

“Qëllimi i këtij klubi është bashkimi dhe përafrimi i mërgimtarëve mes tyre, kënaqja dhe argëtimi i lirshëm sikurse në vendlindje me muzikë dhe këngë shqipe nga të gjitha trevat kombëtare”, rrëfen pronari i klubit ARDHMERIA, z. Kujtim Hajzeraj.

Vazhdimësi e traditës familjare shqiptare

Ne që jemi rritur me zërin e Sefës, Osmanit, Imerit, Brahimit dhe Beqës, e pritëm me padurim të dëgjojmë zërin e brezit të ri me këngët e përzgjedhura nga brezat ikonik të rapsodëve popullor. Dhe vërtetë ndodhi ajo që e prisnim, nipat e Sefë Mleqanit e dëshmuan në vepër se janë trashëgimtarë të denjë të paraardhësve të tyre.

Situata në lokalin e madh të klubit ARDHMERIA u elektrizua pas këngëve për dy ikonat e pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, e vazhduar më pas me këngët epike për heronjët dhe dëshmorët e luftës së fundit çlirimtare, e cila kulmoj me këndimin e “Marshit të UÇK-së”.

Ishte kjo një situatë madhështore dhe e paparë në organizimet e mërgatës sonë, si për nga pjesëmarrja ashtu edhe për nga organizimi i shkëlqyer i vëllezërve Hajzeraj me Xen Shalën në rolin e banakierit, i cili i shërbente pjesëmarrësit me pije freskuese dhe ushqime të ndryshme me çmime tepër të ulëta, do të thoja simbolike krahasuar me trendin e shitjes së të njëjtave në organizimet e tjera.

Sikurse luftëtarët që e kishin gjetur vendin për t’u rreshtuar në vijat e frontit, edhe mërgimtarët e gjejnë vendin dhe mënyrën për t’u argëtuar.

Sikurse luftëtarët që nuk shkuan në luftë si anëtarë të partive politike, edhe mërgimtarët tubohen, jo si anëtarë të partive politike, por si vëllezër të një gjaku dhe ashti dardan të bashkuar në Klubin ARDHMERIA.

“Qëllimi i themelimit te klubit tonë është ruajtja e identitetit tonë kombëtar, gjegjësisht gjuhës, kulturës dhe traditave të bukura shqipe, si një nga format më të mira për të mbrojtur gjeneratat e reja nga rreziku i asimilimit”, e përfundon rrëfimin Bekim Hajzeraj.

Përmes folklorit burimor i kemi ruajtur ndër shekuj traditat dhe zakonet e bukura popullore, e kemi mësuar historinë e heronjëve të vërtetë të kombit tonë nga ajo që na ka mësuar historia nën regjimet antikombëtare dhe antipopullore të kohës së shkuar. Si bie fjala, përmes rapsodëve popullor e kemi mësuar historinë e vërtetë të Oso Kukës, Selman Kadrisë, Tahir Mehës, Imer Berishës e shumë e shumë trimave dhe tribunëve popullor.

Ishte nder dhe kënaqësi që isha prezent në një ambient kaq të ngohtë dhe vëllazëror, në frymën sa unifikuese po aq edhe tolerante të bashkatdhetarëve të ardhur nga pjesë të ndryshme të pjesës veriore të Italisë.

(Kosova Sot Online)