Festivali i Këngës në RTK rrezikon të kthehet në një shpenzim të panevojshëm

  • A.P /
  • 29 October 2024 - 14:37
Festivali i Këngës në RTK  rrezikon të kthehet në një shpenzim të panevojshëm

Shkruan: Shkodran Tolaj

Pas tre netëve të festivalit të Këngës në RTK, është e domosdoshme të bëjmë një vlerësim të sinqertë dhe kritik të ngjarjes. Ndërsa patëm mundësinë të shohim një skenografi të bukur, prezantues interesantë dhe një orkestër të konsoliduar me dirigjentë të përkushtuar, mungesa e krijimeve muzikore dhe teksteve me substancë është shqetësuese.

Gjatë festivalit, shumë nga pjesët e performuara nuk ofruan as mesazhe të qarta, as një nivel artistik që do t’i përshtatej standardeve të një festivali kombëtar. Vetëm 2-3 këngë dhe interpretime arritën të dallohet në këtë kontekst, duke lënë për të dëshiruar sa i përket diversitetit dhe thellësisë artistike.

Ky rezultat na bën të pyesim: cila është e ardhmja e këtij festivali dhe për cilin audiencë po shërben? Pa një përmbajtje që përfaqëson vlerat kulturore dhe artistike të identitetit tonë, festivali rrezikon të kthehet në një shpenzim të panevojshëm burimesh dhe energjie.

Nëse RTK ka synim rikthimin e “Akordeve të Kosovës”, është e qartë se nevojitet një rishikim i plotë i konceptit dhe organizimit të festivalit. Modelet e suksesshme të së kaluarës janë të paarsyeshme në përballje me përmbajtjen dhe standardet e sotme, prandaj është thelbësore që të rikthejmë fokusin në identitetin tonë muzikor dhe kulturor.

Për të arritur sukses në promovimin e muzikës shqiptare, është e rëndësishme që të vendosim në qendër të vëmendjes përmbajtjen artistike dhe mesazhet që reflektojnë vlerat tona. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të krijojmë një festival që jo vetëm i shërben audiencës, por edhe kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të artit dhe kulturës sonë.

(Kosova Sot Online)