Rrethi vizicioz i ferrit

  • A.P /
  • 21 November 2024 - 10:35
Rrethi vizicioz i ferrit

-Besnik Mustafaj: “Porta e ngushtë e purgatorit”, novela, botoi “Onufri”, Tiranë, 2024.

Shkruan: Jusuf Buxhovi


Si në veprat e fundit, edhe në novelën “Porta e ngushtë e purgatorit”, Besnik Mustafaj, shfaqet në rolin e personazhit (politikan, diplomat dhe të shkrimtarit), që nëpërmes prosedeut të rrëfimit në vetën e parë, me një elasticitet thuajse publicistik, ndërton narracionin e pasqyrimit të gjendjeve shpirtërore të atyre të cilët në përpjekjet e tyre për të kaluar nga purgatori (diktatura e egër komuniste) në parajsë (liria jashtë vendit, kudo qoftë edhe iluzore), mbesin në një askundjen, pra fizikisht jashtë saj, ndërsa shpirtërisht në kurthin e saj, sa nga trauma e së kaluarës, ngarkesat e së cilës rëndojnë me dilema të shumta morale dhe thuajse të pasqaruara dhe, sa nga sfidat e lirisë, që vazhdimisht pengohen nga mosmësimi me të nga kompleksi i robit, që edhe në rrethanat e tranzicioneve politike dhe shpirtërore, nuk është në gjendje që ta tejkalojë atë, që po u shikuar nga aspekti psikoanalitik, shfaqet fatal për një brez të tërë.


Pra, ky rreth vicioz, megjithëqë ndërtohet, në njërën anë, në rrethanat e "ferrit shqiptar" duke imagjuar “zbulimin e Amerikës” si shpëtim dhe, në në tjetrën anë, që as kapërcimi i tij (me shkuarjen në Amerikë), nuk e liron nga dilema pse ishte “fati” ai që, si do t’i thotë Alush Bello oficerit të FBI-së, gjatë një interviste pune, e kishte shpëtuar nga thertorja, kur prapa tij mund të fshihej diçka tjetër, ndonjë kurth nga sistemi, që pavetëdijshëm mund ta kishte kthyer në vidër të vet e të ngjashme? Madje, as pranim i gjendjes së nënshtrimit të plotë, për ç’gjë oficeri amerikan do t’i thotë se “a keni turp nga vetja”, që Alush Bello do t’ia kthejë se “me aq sa e njihja vetën nuk kisha asnjë tharm prej heroi”, nuk e liron nga mundimi i të qenit hiq, meqë sipas atyre që i silleshin dhe i përsilleshin në kokë, në ato rrethana edhe gjendja e hiqit, ishte e mjaftueshme për t’u kthyer në viktimë, por jo për të shpëtuar “si i pahetuar”. Kështu, “shpëtimi” për Bellon, kthehet në një përndjekje të përhershme shpirtërore, ndonëse përpiqet që ndryshimin fizik ta inskenojë në një normalitet jetësor, të njeriut të pavërejtur, të numrit statistikor, por që do të jetë intervistimi i oficerit të FBI-së, që do t’ia krijojë përshtypjen se kjo ishte e pamundur nga përfytyrimi si pjesë e planit të “tërheqësit të fijeve” për ta përfshirë në celulën e fshehtë të FBI-së, brenda kolegjit. Me çka, sikur, arsyetohet fatumi se individi nuk është i lirë në ferr e as në parajsë. Bindje kjo thuajse kafkiane, që njeriu sikur e ka fat.
Antipod i “zbuluesit të Amerikës”, të atij që sheh se edhe në botën e lirë vepron “megasyri i përgjimit”, në format më përfide dhe me ndihmën e imperiumit të internetit dhe të robërisë digjitale në të, që nuk mund t’i iket, shfaqet “zbuluesi i Parisit”, Agron Shala, shoqërues i grupeve të turistëve nga Franca në Shqipëri, të cilit, një lidhje seksi (e panjohur për rrethanat e diktaturës shqiptare, por realitet në ato të jashtme), pra jo dashurie, ia kishte mundësuar që të kalojë portat e ngushta të purgatorit për te “parajsa”. Edhe pse ky kapërcim, mbetet kondicional, në pritje të bashkimit me të fejuarën, francezen Katrine Berger, për të kaluar përfundimisht në Paris, do të dukej si një “fat” që kanë ata të cilët i takojnë disa “të çarave të sistemit”, siç ishin vizitat e grupeve të miqësive të Shqipërisë me dy-tre vende të perëndimit, në këtë rast me Francën, që megjithqë rasti i Agron Shalës, sado që duket “çështje fati”, në të vërtetë, çon te skenarët e sistemit të mbikëqyrjes globale, që Asturiasi i identifikon si “syri i fshehtë”, në shërbim të diktaturave - për krijimin e viktimave dhe të viktimizimit, të ideologjive dhe të religjioneve - për nënshtrim të plotë deri te pastrimi të trurit dhe të demokracive liverale - për instrumentalizimin e individit deri tek përmasat e kthimit në numër.

Në kuadër të këtyre realiteteve, përpjkejet sado perfide të atyre që mendojnë se sistemeve të tilla mund t’ua hedhin me truqe të lira (shuarjen e poqave elektrine nëpër kate e të ngjashme), siç janë ato të Agron Shalës, të arsyetuara me moralaitetin e mbijetimit dhe “të sjelljes praktike” në ferr apo parajsë , pa u hetuar dhe pa u konfrontuar, mbesin iluzione, ngaqë “logjika praktike”, nuk është vetëm manir mbijetues i diktaturës, por, edhe “i lirisë”, siç shihet edhe nga qëndrimi i Katrine Berger, ku, ta zëmë, fjala dashuri përjashtohet fare. Vendin e saj e zë seksi. Në këtë kontekst, raportet midis instrumentalizimit dhe vetëinstrumentalizimit nga ato tek sistemeve kthehen tek individët që nuk kanë zgjidhje.
Në rrethin vicioz të ferrit shqiptar, desh a padeshë, krahas dy personazheve shqiptarë: Alush Bellos dhe të Agron Shalës, futen edhe francezët: Georges Vignaut dhe të Katrine Berger. Nëse, në kundrimin horizontal të ndërtimit të rrëfimit, personazhet shqiptarë Bello dhe Shala shfaqen në rolin e “zbuluesve” të Amerikës, zhburiset nga jashtë, francezët Gorges Vignaut, misionar humanitar dhe Katrine Berger, përpiqen që përmasat e ferrit shqiptar t’i nxjerrin në pah jo nga futja në të përmes portave të purgatorit, por të hasjes së mbetjeve të tij në mentalitetin shqiptar, kryesisht në planin moral, të pasqyruara përmes një amnezie thuajse kolektive te një popullate të tërë e sharruar në një humnerë, e që nuk bënin kurrëfarë përpjekjesh për ta kuptuar se si të dilet prej saj! Te kjo përshtypje do të vijë, Georgesi gjatë shpërndarjes së një dërgese humanitare për fëmijë, diku në nj katund të strukur të Tropojës, kur gjatë shpërndarjes së ndihmave, ata jo vetëm që nuk ndihmohen, por shikohen me kurreshje dhe mosbesim se çfarë mund t’i ketë shtyrë këta njerëz të moshuar, nga larg, t’i ndihmojnë? Cilat janë interesat e tyre dhe dilema të ngjashme që shtrojnë atra që kanë humbur ndjenjën e të mirës, të ndihmës dhe të solidaritetit!
Në të vëretë, me vendosje dhe zhvendosje të personazheve nga “brenda jashtë” dhe nga “jashtë përbrenda”, paradigma e ferrit shqiptar sikur humb kufirin hapsinor dhe gjeografik, për të kaluar në një orbitër universal ku normat e “lirisë së jashtme”, rëndom rrënojnë “liritë e brendshme”, ku individi shpronësohet nga egoja për t’u kthyer në një numër të mbikëqyrur nga “megasyri përgjues”, në shërbim të kthimit të individit në numër.


Shkrimtari Besnik Mustafaj, me “zbuluesit” shqiptarë të “parajsës” dhe të zhbiruesve nga jashtë të mbetjeve “të ferrit shqiptar”, siç vepron edhe në romanet paraprake, gjithnjë në rolin e personazhit (deputet, diplomat, pra si politikan), si individ, i lindur dhe i ngritur nga pikëpamja arsimore dhe kulturore përbrenda një diktature, nuk përpiqet as të shfajësohet e as të fajësojë. Përkundrazi, letërsia shfrytëzohet për t’u paraqitur dimensioni i brendshëm, atij moral dhe shpirtëror, i kapërcimit nga diktatura tek liria, që siç shihet në novelën “Porta e ngushtë e purgatorit”, kthehet në një rreth vicioz, ngaqë vetëdijet e caktura mund të ndikohen, por assesi të ndryshohen përmes abradakadabrës....

(Kosova Sot Online)