Shaqir Fetai po braktis kulturën dhe trashëgiminë islame

  • A.P /
  • 25 November 2024 - 09:27
Shaqir Fetai po braktis kulturën dhe trashëgiminë islame

Manastiri dhe qendrat e tjera të rëndësishme myslimane nuk duhet të braktisen. Ato janë pjesë e trashëgimisë sonë kolektive dhe një simbol i identitetit tonë historik e kulturor. Nëse Shaqir Fetai nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për këtë trashëgimi, atëherë komuniteti ka të drejtë të kërkojë një lider që e bën këtë me përkushtim dhe dinjitet

Shkruan: Makfire Hasani

Shaqir Fetai, kreu kontravers i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, ka ngritur valë kritikash me qëndrimet dhe veprimet e tij të fundit në Manastir. Me një qasje që duket të jetë më shumë formale dhe simbolike sesa e angazhuar, Fetai ka lënë përshtypjen e një lideri që po heq dorë gradualisht nga përgjegjësia për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore dhe fetare të myslimanëve shqiptarë në disa qendra historike të rëndësishme, përfshirë Manastirin, Prilepin dhe shumë vende të tjera.

***

Dy aktivitetet e fundit të Fetait në Manastir janë dëshmuar si shembuj të qartë të qasjes së tij të pavendosur dhe të pamjaftueshme. Shaqir Fetai organizon një “aktivitet propagandistik” shumë të vakët! Me tri-katër hoxhallarë e teologë shqiptarë organizon “Kontributi i ulemasë në themelimin e alfabetit shqip”! Në vend se të mbajë ndonjë konferencë shkencore në të cilën do të ftonte të marrin pjesë me qindra hoxhallarë e teologë akademikë të vendit dhe me këtë të dëshmonte edhe unitetin e ulemasë, ai në fakt ik në Manastir me dy-tre “shoqërues” sa për ta dëshmuar angazhimin e tij formal e për të poentuar eventualisht ndonjë “mesazh patriotk”!

Vizita në Muzeun e Alfabetit Shqiptar, ku ai ishte i shoqëruar vetëm nga dy-tre persona aspakt të rëndësishëm në botën akademike shqiptare, dhe organizimi i një “paneli shkencor” me përmbajtje të vakët e me publik prej nja 10-15 qytetarëve të rastit, ishte më shumë një lëvizje për të plotësuar një axhendë formale sesa një përpjekje serioze për të nderuar historinë e qytetit dhe kontributin e dijetarëve myslimanë shqiptarë në themelimin e alfabetit.

Në të njëjtën ditë, vizita e tij në "Koxha Xhaminë" për të përcjellë punimet restauruese të këtij monumenti u bë pa praninë e gjerë të anëtarëve të Rijasetit dhe të komunitetit lokal. Ky veprim krijon një përshtypje të fortë mosangazhimi për një çështje që duhet të ishte prioritet për kreun e BFI-së. Ndërkohë, një tjetër monument i rëndësishëm, Jeni Xhamia, u përurus si "Muze i Kulturës Kristiane," një zhvillim që duket të jetë pranuar në heshtje nga BFI, pa asnjë kundërshtim të dukshëm e paraprak nga Shaqir Fetai.

***

Veprimet dhe mosveprimet e Fetait në Manastir janë pjesë e një trendi më të gjerë të braktisjes së qendrave të rëndësishme myslimane në Maqedoninë e Veriut. Prilepi, një qytet me trashëgimi të pasur islame, është një tjetër shembull ku xhamitë dhe monumentet fetare janë lënë në harresë, pa ndonjë iniciativë për restaurim apo promovim nga BFI. Situata është e ngjashme në shumë qytete dhe fshatra të tjera ku objektet fetare, shpesh të lidhura me identitetin shqiptar dhe mysliman, janë lënë të degradojnë ose janë transformuar për përdorime të tjera.

Kjo qasje e BFI-së nën drejtimin e Fetait është shqetësuese jo vetëm për faktin që dëmton trashëgiminë kulturore dhe fetare, por edhe për ndikimin që ka në moralin dhe unitetin e myslimanëve në Maqedoninë e Veriut. Një lider që nuk përkushtohet për të mbrojtur trashëgiminë dhe interesat e komunitetit që përfaqëson, lë hapësirë për fragmentarizim dhe margjinalizim të mëtejshëm, ndërsa hap dyshime të forta mbi identitetin e tij fetar e kombëtar, e aq më fort, mbi aftësinë e tij për të qenë çoban e jo më “prijës”!

***

Qasja e Fetait për të qëndruar pasiv dhe indiferent ndaj shkatërrimit ose keqpërdorimit të monumenteve islame është një paradoks në vetvete. Ndërkohë që BFI duhet të jetë një gardian i trashëgimisë fetare dhe një zë i fuqishëm për promovimin e saj, udhëheqësia aktuale duket e zënë me interesa të tjera, që shpesh perceptohen si të lidhura me kalkulime personale ose politike, me vjedhje e përvetësme.

Manastiri është një qytet me rëndësi historike dhe kulturore për shqiptarët dhe myslimanët në Maqedoninë e Veriut. Përveç rëndësisë së tij si vendlindja e Kongresit të Alfabetit, qyteti ka një trashëgimi të pasur fetare, me xhami dhe institucione që datojnë shekuj më parë. Çdo akt braktisjeje, si në rastin e Jeni Xhamisë, apo indiferencë ndaj punimeve restauruese, si në rastin e Koxha Xhamisë, është një humbje e madhe jo vetëm për myslimanët, por për gjithë pasurinë kulturore të vendit.

Mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë fetare dhe kulturore në qytete si Manastiri është një përgjegjësi që Fetai dhe BFI nuk mund ta injorojnë. Një lider që heq dorë nga këto vlera thelbësore, në thelb, heq dorë nga komuniteti që përfaqëson.

***

Po të ishte i përkushtuar në zhvillimin e jetës fetare institucionale dhe në demonstrimin e prezencës së fuqishme të komunitetit mysliman në vend, Shaqir Fetai do të duhej të ndërmerrte iniciativa të qarta dhe të qëndrueshme për restaurimin dhe ruajtjen e monumenteve islame në Manastir dhe qendra të tjera. Ai do të duhej të angazhohej për ta bërë trashëgiminë islame një pjesë të dukshme të kulturës kombëtare në Maqedoninë e Veriut, përmes aktiviteteve të rregullta dhe përfshirjes së komunitetit lokal si dhe të mbarë vendit. Rritja e përfshirjes së anëtarëve të Rijasetit dhe komunitetit në vendimmarrjet që lidhen me monumentet fetare dhe aktivitetet e BFI-së. Përdorimi i platformave publike për të ngritur zërin kundër transformimit ose margjinalizimit të monumenteve islame, si në rastin e Jeni Xhamisë, nuk do të duhej të ishte formale e të shuhej me një reagim sa për sy e faqe përmes një “letre me qëllim të mirë”, e cila në fakt pasqyron potpuri qëllimesh të këqia të Shaqir Fetait.

Pa dyshim, Shaqir Fetai dhe Bashkësia Fetare Islame ndodhen në një moment kritik. Veprimet e fundit, tregojnë për një qasje indiferente dhe larg përkushtimit që kërkon roli i një të pari. Për një komunitet që ka nevojë për mbrojtje dhe përfaqësim të fortë, kjo sjellje është një zhgënjim i madh dhe nje indiferenë antikombëtare e antifetare.

Manastiri dhe qendrat e tjera të rëndësishme myslimane nuk duhet të braktisen. Ato janë pjesë e trashëgimisë sonë kolektive dhe një simbol i identitetit tonë historik e kulturor. Nëse Shaqir Fetai nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për këtë trashëgimi, atëherë komuniteti ka të drejtë të kërkojë një lider, të pakapur nga korrupsioni e tradhëtia dhe që e bën këtë me përkushtim dhe dinjitet.

(Kosova Sot Online)