GËZUAR 28 NËNTORIN, DITËN E FLAMURIT KUQ E ZI DHE PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
GËZUAR 28 NËNTORIN, DITËN E FLAMURIT KUQ E ZI DHE PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, ME KËNGËN E LUIGJ GURAKUQIT TË INTERPRETUAR NGA MËSUESI RAMADAN OSMANI, KËNDUAR ME NXËNËSIT E SHKOLLËS FILLORE "25 MAJ" NË SHKUP
Shkruan: Lekë Mrijaj
Ky mësues i edukatës muzikore më ka mahnitur me këtë interpretim të shkëlqyer, duke dëshmuar se arti muzikor, i përzier me frymën patriotike, ka fuqinë të zgjojë emocione të thella dhe dashuri të pafund për atdheun.
E them nga këndvështrimi im se mësues i shkëlqyer, siç është mësuesi Ramadan Osmani, i njohur si kumanovasi shqiptar, është një shembull frymëzues jo vetëm për aftësitë e tij profesionale, por edhe për energjinë pozitive dhe përkushtimin që ua përcjell te nxënësit e tij. Përveç interpretimit të njohurive të tij muzikore, ai është një burim i pashtershëm frymëzimi, motivimi dhe dashurie për lëndën muzikore dhe atdheun e tij-Shqipërinë.
Mësuesi Ramadan Osmani, me origjinë nga Rahovica e Kumanovës, është mësues i lëndës muzikore në shkollën fillore "25 Maj" në Hasanbeg, Shkup. Përmes interpretimit dhe këndimit të këngëve atdhetare së bashku me nxënësit e tij, ai edhe me këtë interpretim me nxënësit e tij, pasqyron në mënyrë të qartë dashurinë për atdheun dhe krenarinë për trashëgiminë tonë kombëtare. Ai u ofron nxënësve të tij jo vetëm njohuri muzikore – të cilat me të drejtë mund të quhen "bilbilore" – por gjithashtu një mundësi për të mësuar vlerat e jetës dhe të patriotizmit.
Mësuesi i edukatës muzikore z. Ramadan Osmani është një profesionist që ndihmon nxënësit të besojnë në potencialin e tyre, t’i ndjekin ëndrrat dhe t’i frymëzojë për të përqafuar vlerat e heronjve dhe patriotëve tanë. Ai mbjell tek ata energji pozitive dhe pasion për të studiuar gjuhën arbërore shqipe, historinë mbarëshqiptare ndër shekuj dhe për të ruajtur traditat e trashëguara. Përmes muzikës, ai i nxit nxënësit të respektojnë kulturën shqiptare dhe të kontribuojnë pozitivisht në shoqëri.
Mësuesi Osmani është një model i vërtetë për kolegët e tij, duke treguar se si një mësues mund të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese në klasë e shkollë. Ai dëshmon se edukimi është më shumë se mësimi i një lënde – është një mision për të formuar individë të vetëdijshëm, të angazhuar dhe të përkushtuar ndaj kombit dhe shoqërisë.
Shembulli i tij, i pasqyruar edhe në video, inkurajon kolegët të punojnë me dashuri dhe përkushtim, duke u përpjekur që çdo ditë të lënë një gjurmë të thellë dhe të qëndrueshme te brezat që edukojnë. Mësues të tillë janë heronj të heshtur, të cilët kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për fëmijët tanë dhe për kombin tonë.
Krejt në fund, një mirënjohje e thellë për vlerat e tij profesionale dhe atdhetare. Pra, Ramadan Osmani është shembull i gjallë i një mësuesi që me përkushtim, pasion dhe dashuri për atdheun, arrin të ndikojë pozitivisht në brezat e rinj, duke mbjellë te ta krenarinë për identitetin kombëtar dhe dashurinë për kulturën dhe historinë tonë. Falë njerëzve si ai, trashëgimia jonë vazhdon të ndriçojë rrugën e të ardhmes e cila rrugë do të ju interpretohet përjetësisht brezave tanë me gjak shqiptari.
Gëzuar dita e Flamurit Kyq e Zi dhe Pavarësisë së Shqipërisë!
(Kosova Sot Online)