Fatjeta Barbullushi 'pushtoi' skenën e teatrit 'Migjeni' në Shkodër me koncertin recital

  • A.P /
  • 11 December 2024 - 14:53
Fatjeta Barbullushi 'pushtoi' skenën e teatrit 'Migjeni' në Shkodër me koncertin recital

Këngëtarja e njohur shkodrane, Fatjeta Barbullushi, ka realizuar një rikthim emocionues në vendlindjen e saj me një koncert recital të paharrueshëm në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Gjatë kësaj mbrëmjeje të jashtëzakonshme, ajo interprettoi disa nga hitet e saj më të njohura ndër vite, duke “pushtuar” skenën dhe duke e mbushur sallën me energji dhe emocion, shkruan gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Publiku e priti ngrohtësisht artistën, e cila u shoqërua nga duarrokitje të fuqishme dhe shpesh herë nga këngët e saj që u kënduan me të njëjtin pasion nga shikuesit. Një tjetër moment i veçantë i recitalit ishte edhe interpretimi në duet me disa emra të njohur të muzikës shqiptare, si Orjeta Kelaj, Adem Barbullushi, Miranda Hashani dhe kori i QKF "Kujtim Alija".

Pas recitalit, Fatjeta Barbullushi u shpreh e lumtur dhe falenderoi publikun për mbështetjen e jashtëzakonshme. Po ashtu, vëllai i saj, Adem Barbullushi, shfaqej i emocionuar nga ky realizim i suksesshëm, duke ndarë me të pranishmit ndjenjat e krenarisë për suksesin e motrës së tij.

Në fund të mbrëmjes, këngëtarja shkodrane la të kuptohej se është duke punuar për albumin e saj të ri, të cilin do ta publikojë në janar. Albumi i ri do të shoqërohet me një koncert të plotë, ndërsa koncerti i titulluar “Zani i dashnis’” do të jetë i transmetuar në RTSH në ditët e ardhshme, për të sjellë në ekranin e shikuesve emocionet e kësaj nate të paharrueshme.

Me këtë koncert dhe projektet e ardhshme, Fatjeta Barbullushi konfirmon edhe një herë se është një nga emrat më të dashur dhe të respektuar të muzikës shqiptare.

Image


(Kosova Sot Online)