KOSOVA NGA FAKTORI GJEOPOLTIK RAJONAL TEK AI PERIFERIK!

  • A.P /
  • 15 February 2025 - 13:16
KOSOVA NGA FAKTORI GJEOPOLTIK  RAJONAL TEK AI PERIFERIK!

-Theksime nga fjala në bibliotekën e Gjilanit “Fan S.Noli” me lexuesit e dalluar

Shkruan: Jusuf BUXHOVI

Nëse mund të thuhet se shteti i Kosovës është e arritura më e madhe e këtij shekulli, e mundësuar pas çlirimit nga pushtimi serb me ndërhyrjen e armatosur të NATO-s dhe nën drejtimin e SHBA-ve gjatë fushatës ajrore nga 24-10 qershor 1999, në vigjilje të përvjetorit të shtatëmbëdhjetë të pavarësisë, po ashtu mund të thuhet se shteti i Kosovës, gjatë këtyre viteve nuk ia doli të rrumbullakojë procesin e konsolidimit as nga brenda e as nga jashtë. Përkundrazi ndodhi që nga faktori gjeopolitik rajonal të degradohet në periferi të saj!

Ky zhvillim nuk është as i rastit e as i paparashikueshëm, por në rrethanat e tanishme të tronditjeve të mëdha në skenën politike botërore të shkaktuara nga fitorja e Trumfit në SHBA që për pasojë kanë përmbysjen e deritanishme të multipolaritetit përmes vendosjes se një polariteti të ri gjeostrategjik, ku SHBA-të në raport me Rusinë skicojnë kornizat e reja gjeopolitike në përputhje me interesat e tyre ekonomike, anashkalohet Europa dhe mekanizmat e saj. Ky tektonizëm, për shtetin e Kosovës paraqet një sfidë thuajse ekzistenciale dhe kthehet në një shqetësimi të thellë ngaqë Kosova gjatë viteve të fundit, në saje të politikave që kanë qenë në shpërputhje me qëndrimet e aleatëve për konsolidim të brendshëm, në radhë të parë për t’i zgjidhur problemet me minoritetet (atë serb) në përputhje me normën kushtetuese ku parashihet edhe krijimi i asociacionit pa kompetenca ekzekutuese, në mënyrë që ata të integrohen, me zvarritje dhe veprime të tjera të pamatura, një problem teknik e ktheu në problem politik. Dhe, ç’është me keq, me krijimin e “Listës serbe” e drejtuar nga Beogradi, Serbisë iu hapën mundësitë për implikim të drejtpërdrejtë në jetën politike të Kosovës, që për pasojë patën krijimin e shtetit paralel në veri të drejtuar nga strukturat kriminale, përmes të cilave shteti i Kosovës jo vetëm që humbi mbikëqyrjen në veri, por njëherësh krijoi rrethana, për humbjen e kredibilitetit ndërkombëtar. Por, edhe kur qeveria aktuale, gjatë dy viteve të fundit mori masa për t’i eleminuar straktuart paralele në Veri, ato u konsideruan “veprime të njëanshme”, pra pa marrëveshje me aleatët, gjë që u përcollën edhe me sankcione ndërkombëtare nga ana e Bashkimit Europian! Kur kësaj i shtohen edhe veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Kosovës në raport me SHBA-të, sponsorisuesin dhe aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, nuk është e habitshme kur shteti i Kosovës, në aspektin e gjeopolitikës rajonale, nga faktori i rëndësishëm, sot ndodhet në periferi të saj!

Ky realitet, që për shkak ka politikat e papërgjegjshme të udhëhequra për shumë vite nga akteret politikë që qeverisën vendin, që pushtetin politik, për interesa meskine personale dhe të klaneve politike, e kanë shfrytëzuar në dëm të konsolidimit të shtetit, mund të ketë pasoja tepër të rënda, pikërisht në rrethanat e tanishme kur politika amerikane, në përputhje me interesat e saj që u cekën më lartë, në marrëveshje me Rusinë dhe duke anashkaluar Bashkimin Europian, me arsyetimin që siç e tha dje nënpresidenti amerikan Vance në konferencën e sigurisë në Mynhen se “kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së Europës vjen nga brenda dhe jo nga Rusia”, krahas raporteve të reja në sferat globale (veçmas me Kinën, Indinë dhe vendet arabe dhe islame), në pakon e fundit, të ridizajnojë edhe hapësirën e vendeve të Europës jugperëndimore, ku bie edhe Kosova, si shtet i pakonsoliduar.

Ky ridizajnim që është i pashmangshëm pasi që t’i jepet fund luftës së Ukrainës, natyrisht në marrëveshje me Rusinë, që sipas fjalëve të Vances, ajo nuk do t’i ketë më kufinjtë e dikurshëm e as nuk do të jetë anëtare NATO-s, që për politologun francez Gluksman, konsiderohet kapitullim para Rusisë i njëjtë me marrëveshjen e Çemblerenit në Mynhen në vitin 1938 kur për hire të paqes u sakrifikua Çekia, gjë që është afër mendsh që skenarët e tilla mund të përdoren edhe në Ballkan!

Meqë skenarët e tillë nuk mund të përjashtohen, është më se e domosdoshme që spektri i gjithanshëm politik i Kosovës, pozitë opozitë, pa përjashtim, duke lënë manash gabimet, hasmëritë dhe animozitet e tyre të deritanishme, të bashkohet për t’i dhënë përgjigje kësaj sfide ekzistenciale.

Opcioni i gjuhës së përbashkët të faktorit politik shqiptar në këto rrethana pas zgjedhjeve që sapo i lamë, me krijimin e një qeverie të kaolicionit të gjërë, është edhe më domethënës, kur kihen parasysh raportet që nxorën këto zgjedhje (pat pozicioni midis pozitës dhe opozitës), që hap mundësi për zvarritje deri te një krizë e re politike, që do të ishte fatale. Ngaqë, çfarëdo krize politike do të shfrytëzohej që Serbisë t’i bëhen favore në reaport me kërkesat e saj për krijimin e një autonomie secesioniste në Veri.


(Kosova Sot Online)