
Qytetarët kërkojnë investime fshat për fshat

Duhen miliona për të ndërtuar infrastrukturë të standardeve evropiane.
"Asfaltimi i rrugës është parakusht për zhvillimin e turizmit", ka thënë Shefket Bajrami nga fshati Çelik. Investime kërkojnë edhe Malisheva e Uglari , raporotn Gazeta Kosova Sot
Gjilani ka trashëguar një infrastrukturë të degraduar së tepërmi. Për rregullimin e rrugëve në qytet dhe fshatra, trotuareve, ujësjellësve, kanalizimeve, ndriçimit publik dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme, duhen mjete të shumta financiare. Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, është shprehur optimist të hënën, në një debat me qytetarë. Debati ka nxjerrë në shesh nevojën që ka Gjilani për investime, ku duhen miliona për të siguruar infrastrukturë të standardeve evropiane. Demir Krasniqi, qytetar, tha se shqetësim për lagjen e tij është lumi Mirusha, që nuk po përfundon ende, derisa Shemsedin Elezi, përfaqësues nga fshati Zhegër, tha se Komuna është duke kryer investime inkurajuese në këtë lokalitet. Shefket Bajrami nga Çeliku tha se banorët e këtij fshati kërkojnë asfaltimin e rrugës dy kilometra, që është parakusht për zhvillimin e turizmit. Adem Rashiti nga Malisheva kërkoi nga Komuna që të orientojë investime edhe në këtë fshat. Ramiz Isufi tha se për investime ka nevojë edhe fshati Uglar. Kurse Hekuran Aliu nga KCIC-i tha se Gjilani ka probleme me menaxhimin e projekteve dhe cilësinë e tyre. Qamil Rexhepi nga Pograxha ka përgëzuar Komunën për përkushtimin që ka treguar me fillimin e punimeve në rrugën Pograxhë- Malishevë, derisa ka kërkuar që të zgjidhet edhe problemi i ujësjellësit.
Gjilani, për 15 vjet nuk i ka pasur 26 milionë investime në infrastrukturë Duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, Lutfi Haziri tha se ka qenë i detyruar të lajë rreth 3.2 milionë euro borxhe të qeverisjes së kaluar. "Përkundër kësaj, ne po bëjmë çmos që të investojmë në çdo cep të Gjilanit. Nuk do ta harrojmë as Stançiqin, Dunavin, Selishtën, Shurdhanin, Përlepnicën, Kmetocin, Stublinën, Malishevën, Verbicën, Dobërçanin. Ne do të bëjmë një balancë të investimeve, ku të gjithë do të përfitojnë", tha Haziri. Ndryshe, edhe Haziri ka pasur vërejtje për disa operatorë ekonomikë, sepse jo të gjithë po i kryejnë obligimet siç i parasheh kontrata. "Për shkak të operatorëve joseriozë, po jemi të detyruar që përkundër dëshirës të sjellim operatorë jashtë Gjilanit", ka thënë ai. Sivjet kanë nisur projekte të mëdha, kryesisht në infrastrukturë nëntokësore, që kapin shumë 26.5 milionë euro. "Këto investime Gjilani nuk i ka pasur për 15 vjet", ka thënë Haziri. Duke folur për ndërtimin e hyrje-daljeve të qytetit, ai ka pohuar se kjo do të jetë një zgjidhje shumë e mirë për qytetarët, sepse parandalon kolonat e mëdha në trafik. "Programi i rrugës Gjilan-Bujanoc tashmë është duke u realizuar dhe segmenti i parë do të ndërtohet me buxhet komunal. Ndërkaq, dy rrugët e tjera, ajo Gjilan-Prishtinë (nga tuneli deri te penda e Livoçit) dhe Gjilan -Livoçi Ulët e tutje (prej rrethit në qytet) do të ndërtohen me buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës dhe BERZH-it", ka thënë ai. Ndryshe, gjatë viteve 2015-2016 janë realizuar projekte të mëdha infrastrukturore në qytet dhe fshatra, duke përfshirë kanalizimet, ujësjellësit, rrugë të reja, rrugë bujqësore dhe të tjera. Po ashtu është ndërruar pjesa më e madhe e gypit kryesor të ujësjellësit, i cili është prej asbesti dhe është i ndaluar për përdorim.
Ujërat e zeza zgjidhen me Austrinë Haziri tha se vetëm programi i rehabilitimit të rrjetit të ujit të pijshëm dhe ndërtimi të rrjetit sipas kërkesave të qytetarëve, kap vlerën 3.6 milionë franga zvicerane, duke shtuar se donatorë për këtë projekt është qeveria e Zvicrës në bashkëpunim me Komunën. Ndërkaq, sa i përket kanalizimeve, ai ka theksuar se Gjilani ka siguruar buxhetin nga qeveria e Austrisë. Përmes këtij projekti, që ka vlerën 12 milionë euro, parashihet të përfundohet shtrati i lumit Mirusha, Stanishorka dhe të bëhet ndërtimi i kanalizimeve në zonën urbane dhe rurale. Po ashtu, Haziri ka thënë se këtyre ditëve do gjelbërohet pjesa te ish-ekzekutivi, pastaj tek "Atik xhamia", tek lapidari i Reshat Ymerit, sikurse edhe tek Sahat kulla si dhe në lagjen "Arbëria". Po ashtu është duke punuar në hapjen e vendkalimeve kufitare në Dobrosin dhe Stançiq. Gjatë muajit gusht do të organizohet një debat në Gjilan me përfaqësues të qeverisë, lidhur me projektin e autostradës GjilanPrishtinë, sikurse edhe për rrugët e tjera të rëndësishme, të cilat kërkojnë buxhet të lartë, siç është rruga e Pogragjës dhe e rruga e Kumanovës.
(Kosova Sot)