
Agonia e binjakëve identikë

Kërkojnë ndihmë, për t'i shpëtuar ata nga sëmundja që është duke ua shkatërruar jetën, raporton gazeta Kosova Sot
Adam dhe Neil Pearson dukeshin krejt identikë kur ishin bebe, por tani njerëzit e kanë të vështirë që të besojnë se ata janë binjakë.
Vëllezërit binjakë Pearson paraqiten në dokumentarin e kanalit TV BBC2 me titull "Horizon: My Amazing Twin", me anë të të cilit binjakët kërkojnë ndihmë, për t'i shpëtuar ata nga sëmundja që është duke ua shkatërruar jetën. Neil thotë: "Më së shumti më intereson ana gjenetike e këtij problemi. E di se si ndikon kjo sëmundje te unë dhe Adami, por ne kurrë nuk jemi krahasuar me njëri-tjetrin". Adam shton: "Jam i vetëdijshëm që mund të marrim edhe lajme të këqija gjatë këtij procesi, por do t'ia dalim së bashku". Vëllezërit janë rritur në Krojdon, Londër jugore, ku jetojnë me prindërit e tyre, Marilyn, 66 dhe Patrick, 63 vjeç.
Rrëfimi i prindërve E ëma e tyre, Marilyn thotë se, kur lindën binjakët, nuk kishte asnjë tregues që ata vuanin nga ndonjë sëmundje. Duke kujtuar atë kohë, ajo thotë: "Nuk mund ta kuptoja pse Neil qante, e Adam nuk ishte i interesuar. Ishin aq të ngjashëm, saqë nuk mund t'i dallonim". Binjakët më pas u diagnostikuan me sëmundjen NF1 - tipi 1, pak pas ditëlindjes së tyre të pestë, pasi Adam lëndoi kokën dhe e ënjtura nuk i largohej se nuk i largohej. E ëma tregon se, pasi bënë disa analiza, u pa se Adam kishte një fibrozë në qafë, e cila ia bllokonte rrugët e frymëmarrjes. "Ky ishte fillimi i shumë operacioneve. Ai u fut në kujdesin intensiv, derisa ne u frikësuam shumë për të". Meqë Neil nuk manifestonte asnjë simptomë, Marilyn thotë se kishin menduar që ai nuk ishte prekur nga sëmundja që ishte duke e deformuar vëllain e tij. Neil, në fakt, kishte pasur një fëmijëri më të mirë, meqë në shikim të jashtëm, te ai nuk vërehej asgjë e keqe, por meqë ka gjenet e njëjta me vëllain binjak, ai ishte i rrezikuar herët a vonë se do t'i paraqitej sëmundja e njëjtë.
E quanin elefant, përbindësh Adam, i cili gjatë shkollës së mesme kishte filluar një karrierë të suksesshme si aktor dhe prezantues televiziv, kishte filluar që të përjetonte keqtrajtime të shumta nga moshatarët, për shkak të fytyrës së deformuar. E quanin elefant, përbindësh, etj. Por, në korrik të vitit 1999, binjakët 14 vjeçar ishin duke shkuar në shtëpi nga një event, kur Neil pa se nuk i kujtohej se ku kishte qenë apo çka kishte bërë. Prindërit nuk e bënë të madhe këtë punë, dhe i thanë se në mëngjes, çdo gjë do të ishte në rregull. Por, dëmtimi i memories së tij të shkurtër ishte definitiv. Një vit më vonë, ai u diagnostikua me epilepsi. Pra, sëmundja u paraqit edhe te Neil edhe pse në një formë tjetër. Adam tani inkurajon njerëzit e tjerë me fytyrë të deformuar, duke i ndihmuar që ta pranojnë veten sa më mirë, ashtu si janë. Vëllezërit thonë se, pa marrë parasysh çka do t'u sjellë e ardhmja, ata do të ballafaqohen me probleme si vëllezër, të bashkuar.
(Kosova Sot)