Vdekja e nënës dhe foshnjës, vëllai: Neglizhenca e mjekëve më vrau motrën e mbesën
Familjarët e gruas shtatzënë që vdiq dje bashkë me foshnjën në maternitetin “Koço Gliozheni” akuzojnë mjekët për ngjarjen, duke thënë se ata nuk e kanë diagnostikuar në kohë dhe i kanë sorollatur pa i dhënë ndihmë. Kunati i viktimës, Urim Çajka, dhe vëllai i saj, Fation Omuri, kërkojnë zbardhjen e shkaqeve të vdekjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të mjekëve e infermierëve për mjekim të pakujdesshëm e neglizhencë. Ndërsa tregojnë të gjitha sorollatjet që u janë bërë nga spitali në spital dhe sipas tyre edhe fshehjen e ngjarjes, duke mos u treguar se 35 vjeçarja Aida Çajka kishte vdekur.
Gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”, kunati dhe vëllai i viktimës tregojnë veprimet që janë bërë gjatë gjithë natës, që nga momenti kur e dërguan në maternitet, lëvizjet nëpër spitalet e tjera e deri sa mësuan se ajo kishte ndërruar jetë.
Kur jeni nisur nga shtëpia në drejtim të spitalit?
Kunati: Diku rreth orës 21:00, 21:30 të mbrëmjes së djeshme (të enjtes) ajo pati komplikacione në shtëpi. Nusja e vëllait ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe kishte probleme, ishte shumë sëmurë. Për pasojë e nisëm menjëherë drejt maternitetit “Koço Gliozheni” dhe rruga as 10 minuta nuk na zgjati, pasi edhe semaforët nuk i respektuam, për shkak të gjendjes së rëndë të saj.
Erdhët direkt te materniteti “Koço Gliozheni”?
Kunati: Po këtu. E zbritëm nga makina dhe shkuam direkt tek urgjenca, por urgjenca ishte e mbyllur. Kemi pritur fiks 20 minuta që të na e hapnin derën e urgjencës. Një infermiere na e hapi derën dhe aty kunata ime nuk kishte as stol për t’u ulur. Ajo kishte të vjella dhe ne po e mbanim nga krahët. Infermierja mori dikë në telefon, me shumë mundësi një doktoreshë dhe i thotë që të vinte shpejt, sepse kishte një paciente aty dhe nuk po i duronte dot të vjellat. Pas gjysmë orë aty vijnë dy mjekë, një doktoreshë dhe një doktor. E futën brenda dhe e pyesnin se ku i dhemb. Por ajo kishte komplikacione dhe ndoshta nuk e kuptonte. U thoshte se kishte dhimbje në krahun e majtë. Dhe këta thonë direkt: “Nuk është për ne, është për në QSUT”.
Nuk i bënë ndonjë ekzaminim paraprak?
Kunati: Asnjë lloj ekzaminimi nuk i bënë. Mua më nxorën jashtë dhe e mbajtën 10 minuta kunatën aty brenda, sepse ajo ishte në gjendje që të komunikonte. Kur doli, e pyeta se çfarë i bënë dhe më tha që asgjë. Nuk e kishin parë as për fëmijën se si e kishte. E pyeta doktoreshën se si ishte bebja. Më tha që është shumë normal. Me tha që ka probleme me zemrën. Shkuam te QSUT dhe edhe atje na thanë që nuk ishte për aty, duke na çuar te Sanatoriumi. Edhe te Sanatoriumi e njëjta histori, na kthyen prapë te materniteti ku ishim në fillim. Kunata sa vinte e përkeqësohej. Këtu pastaj ndodhi ajo që ndodhi, madje edhe vëllain e kunatës erdhi e mori Policia, se u ankua spitali.
Si ndodhi që ju shoqëruan në Polici?
Vëllai: Unë erdha sapo më lajmëruan se motra ishte sëmurë. Ndërsa këtu, në orët e para të mëngjesit, pasi na thanë që foshnja ishte gjallë dhe futën motrën në sallë, nuk po na jepte askush përgjigje. Unë isha në ankth, doja të mësoja ndonjë gjë se çfarë po bëhej. Pyesja infermierë, doktorë, askush nuk më kthente përgjigje. Në një moment i rashë derës. Po mesa duket i rashë fort dhe u thye xhami. Motra ime vdiq nga sorollatja, nga neglizhenca e mjekëve dhe infermierëve, nga vonesa për t’i dhënë ndihmën mjekësore. Do të bëjmë kallëzim në Prokurori për këtë që ndodhi.
(Kosova Sot)