Bebja ka lindur pa të dy sytë

  • 29 September 2016 - 20:11
Bebja ka lindur pa të dy sytë

FËMIJA KURRË NUK DO TË KETË RASTIN TË SHIKOJË

Kjo gjendje e rrallë prekë 1 në 100,000 bebe dhe nuk ka shërim

Familja e nënës Liu Peihua thonë se ajo i kishte bërë të gjitha kontrollet para lindjes së fëmijës dhe mjekët kurrë nuk i kishin thënë se kishte diçka që nuk shkonte mirë

Një grua në Guangzhou të Kinës ka mbetur e dërmuar nga dhembja, kur ka marrë vesh se i birit të saj të sapolindur i mungojnë që të dy sytë. Kjo gjendje e lindur, e cila në mjekësi quhet anoftalmi, është shumë e rrallë dhe prekë 1 në çdo 100 000 lindje. Këto foshnja kurrë nuk kanë rastin që të shikojnë. E ëma e fëmijës, e quajtur Liu Peihua, lindi djalin më 20 shtator dhe tani është duke u konsultuar me mjekët specialistë në spitalin në Guangzhou, me qëllim të një ekzaminimi komplet të djalit. Ky rast është prezantuar në mediet kryesore kineze. Familja e nënës Liu Peihua thonë se ajo i kishte bërë të gjitha kontrollet para lindjes së fëmijës dhe mjekët kurrë nuk i kishin thënë se kishte diçka që nuk shkonte mirë. Kjo për shkak se anoftalmia nuk mund të vërehet me ultrazë, apo me analiza tjera që bëhen gjatë shtatzënësisë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Analiza të shumta

Tani mjekët janë duke e analizuar djalin, për të parë mos ka edhe ndonjë sëmundje, a çrregullim tjetër. Familjarët shpresojnë në ndihmën e shoqatave bamirëse, për ta planifikuar të ardhmen për djalin e tyre. Ata bëjnë me dije se djali i tyre është si çdo foshnjë tjetër, qan kur është i uritur dhe lëviz duart me energji. Nëna e tij tregon se ishte prekur shumë nga dhembja për të birin, kur kishte parë se në ç'gjendje kishte lindur, por përkundër vështirësive në të cilat mund të hasë, ajo është e vendosur që ta rritë të birin. Kjo sëmundje për momentin nuk ka shërim edhe pse personave me anoftalmi rëndom iu vendosen "proteza të syve", në mënyrë që eshtrat përreth të rriten normalisht. 

Çka është anoftalmia?

Anoftalmia nënkupton mungesën e njërit, apo të dy syve. Kjo gjendje mund të shoqërohet edhe me defekte të tjera të lindura. Anoftalmia mund të shkaktohet nga mutacionet gjenetike dhe kromozomet anormale. Besohet se edhe faktorët ambientalë, sikur që janë psh: rrezet X, disa substanca kimike, disa ilaçe, pesticidet, toksina, rrezatimi, që të gjithë këta faktorë e rrisin rrezikun nga paraqitja e anoftalmisë. 

(Kosova Sot)