Lindi ’me këmishë’, e u fut në qese të sandviçit

  • 27 October 2016 - 19:35
Lindi ’me këmishë’, e u fut në qese të sandviçit

Pas qëndrimit në kujdesin e të sapolindurve për tre muaj e gjysmë, Emily u lejua që të shkonte në shtëpi

Një bebe e lindur para kohe, e lindur "me këmishë", apo thënë më mirë, me qese të padëmtuar amniotike, më pas ishte mbështjellë me qese sandviçi, me qëllim që të mbahej në jetë. Rhiannon Shades, 29 vjeçe, ishte tmerruar kur e kishin dërguar që ta lindte fëmijën derisa ishte vetëm në javën e 24-të të shtatzënësisë. Mjekët frikësoheshin që vajza e saj e vogël, Emily, nuk do të jetonte, meqë lindi me një peshë prej vetëm 0.5 kg. Ajo pati nevojë për tetë transfuzione të gjakut dhe ishte mbështjellë me plastikë, me qëllim të ruajtjes së temperaturës së saj trupore. I ati i saj, Fane Henderson dhe motra e madhe, Alexandra, 4 -vjeçare, ia kishin sjellë asaj një arush të vogël të pelushit, por ajo ishte edhe më e vogël sesa arushi, transmeton gazeta Kosova Sot.

Por, përkundër të gjitha parashikimeve të këqija, pas qëndrimit në kujdesin e të sapolindurve për tre muaj e gjysmë, Emily u lejua që të shkonte në shtëpi në Bedford, të martën e kaluar. "Nuk e kisha idenë sesi do të dukej ajo dhe a do të mbijetonte", thotë zonja Shades. "Ajo ishte një luftëtare kaq e vogël, saqë kishte tentuar që të merrte frymë vetë, pasi kishte lindur. Atë e futën në një qese të vogël të plastikës, për ta mbajtur të nxehtë, meqë lëkura e saj ishte aq e hollë, sa që nuk mund ta mbante stabile temperaturën e saj. Vetëm pasi ma vendosën në duar, pash se sa e vogël ishte ajo dhe sa serioze ishte gjendja e saj. Kisha emocione të përziera. Herë isha e gëzuar, që më kishte lindur vajza, e herëve të tjera e shqetësuar dhe e frikësuar rreth të ardhmes së saj". 

Një infeksion i placentës

Përpos që nuk mund të merrte frymë pa ndihmën e aparateve, Emily kishte pasur edhe një infeksion të barkut, 12 javë pas lindjes. Pas 3.5 muajve Emily përfundimisht shkoi në shtëpi, pa pasur më nevojë për oksigjen dhe tub ushqyes. Ajo tani ka një peshë prej 2.4 kilesh dhe është bërë më e madhe sesa arushi të cilin ia kishin dhuruar. Shtatzënësia e Rhiannonit kishte shkuar pa probleme deri në javën e 20-të, kur kishte bërë analiza shtesë, për ta parë shëndetin e bebes. Doktorët kishin vërejtur abnormalitete në gjakun e saj, prandaj kishin thënë që të bëheshin analiza shtesë, për të parë mos bebja vuante nga sindroma Down.'Ata ma morën lëngun nga qesja amniotike derisa isha shtatzënë dhe, përkundër asaj se analizat dolën mirë, më pas m'u zbulua një infeksion i placentës", thotë nëna. Ky edhe kishte qenë shkaku i lindjes së parakohshme. Zonja Shades ka filluar një blog, për t'ua bërë me dije të gjithëve sesi ishte vajza e saj.

Qesja amniotike - një membranë misterioze

Qesja amniotike fillon që të formohet dhe të mbushet me lëng pak ditë pasi gruaja të mbetet shtatzënë. Lëngu amniotik kryesisht përbëhet nga uji, por nga java e 10-të e më tej, bebja nxjerr në këtë lëng sasi të vogla të urinës. Sasia e lëngut amniotik rritet gjatë shtatzënësisë, duke arritur maksimumin gjatë javës 38, për t'u zvogëluar lehtazi më pas, derisa të lindë bebja. Nëse bebja lindë pa plasur qesja amniotike, thuhet se ajo ka lindur "me këmishë", gjë që dikur mendohej se sillte fat. Pjesa më e madhe e bebeve që lindin "me këmishë" janë bebe që lindin para kohe. ruajtja e qeses amniotike në mesjetë konsiderohej traditë e rëndësishme. Disa besëtytni të tjera thoshin se qesja amniotike e mbron beben nga shpirtrat e ligj, sikur që janë shtrigat dhe magjistarët.

(Kosova Sot) 

 

Image