Mungesa e fondeve, problem për të gjitha radiot

  • 05 December 2016 - 21:06
Mungesa e fondeve, problem për të gjitha radiot

Këmbim përvojash dhe qajtje hallesh,shkruan gazeta Kosova Sot.

Vetëm ata që i kanë hallet e përbashkëta mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Kështu thotë një fjalë e urtë popullore, e kjo dëshmohet shumë shpesh në jetën e përditshme. Këtë e kanë provuar edhe përfaqësuesit e radiostacioneve shqiptare, të cilët, një herë në vit, në organizim të Radio Gjakovës, tubohen në qytetin e Gjakovës për të marrë pjesë në manifestimin shumë unikal Radio Fest, ku kanë rast të demonstrojnë të arriturat e veta në fushën radiofonike, por edhe të këmbejnë përvojat e veta për mënyrën e përballimit të problemeve me të cilat ballafaqohen. Kështu ishte edhe në edicionin e 12-të të këtij manifestimi, i cili tuboi përfaqësuesit e rreth 30 radiove nga trojet shqiptare, në mesin e të cilave, për herë të parë ishte edhe përfaqësuesi i Kosovës Lindore, Radio Presheva.

Bashkohen nga gjithë hapësira shqiptare

"Edhe pse po përballemi me mjaft probleme financiare, ndërsa mbështetja asnjëherë nuk është plotësisht e mjaftueshme, ne tash e 12 vjet po vazhdojmë të ruajmë traditën e organizimit të këtij manifestimi, ndërsa satisfaksioni më i madh i yni për këtë angazhim, është pjesë- marrja gjithnjë e më masive e radiove shqiptare, të cilat e hijeshojnë këtë eveniment", ka thënë Skënder Gola, drejtor i Radio Gjakovës, organizuese e këtij manifestimi tashmë tradicional. Mysafirët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali e Zi dhe Kosova Lindore, janë shprehur të kënaqur që përmes këtij manifestimi po u jepet rasti që të takohen dhe të bisedojnë me kolegët e tyre për hallet dhe problemet me të cilat përballen. "Hallet tona i ngjajnë shumë njëratjetrës. Pavarësisht se ku punojmë e veprojmë, thuajse të gjithë ne kemi probleme me sigurimin e fondeve të mjaftueshme për një punë normale dhe kjo na nxit, bile edhe na detyron që të gjendemi ashtu siç dimë dhe siç mundemi", ka thënë Fazli Veliu nga Radio Vizioni, njëkohë- sisht kryetar i shoqatës së radio-stacioneve. Se me probleme të kësaj natyre përballen edhe radiot e Shqipërisë e ka pohuar edhe Saimir Mertiri nga Radio Lushnja. "Hiç radiot publike, e e tillë në Shqipëri është vetëm një, të gjitha radiot e tjera përballen me probleme financiare", ka thënë Mertiri.

Çmimi kryesor shkoi në Klinë

Në pjesën garuese të këtij manifestimi, krijuesit e këtyre radiove u matën në tri kategori radiofonike. Në reportazhin radiofonik me temë bosht - trashëgimia kulturore, pastaj në raportin radiofonik dhe në spotin reklamues. Reportazhi "Agimet e Qytetërisë" i Radio "Alba" (Klinë) që për protagonist kishte Gjon Gjergjajn, ndërsa autore Shqipe Deskun, mori çmimin e parë në këtë kategori, para Radio Shkodrës, respektivisht Radio Lushnjes që morën çmimin e dytë, respektivisht të tretin. "Reportazhi ka pasur për qëllim respektin dhe afirmimin e njërit prej njerëzve të merituar për qytetarin e mjedisit prej nga ne vijmë, prandaj jam shumë e lumtur që juria e ka çmuar lartë angazhimin tonë", ka thënë autorja e këtij reportazhi Shqipe Desku. Çmimi i parë për raportin radiofonik i takoi Fazli Veliut nga Radio "Vizioni"(Podujevë) për raportin që kishte të bëjë me tollovitë që gjatë verës krijohen ne vendkalimin kufitar me Serbinë, në Merdar. Dy çmimet e tjera, i dyti dhe i treti, u takuan Radio Lushnjes dhe Radio Therandës. Në konkurrencën e spoteve më të mira reklamuese, triumfoi Radio Shkodra, para Radio "Plus" (Prishtinë) dhe Radio "Alpa"(Gjirokastër). Pos këtyre çmimeve tradicionale, organizatori i këtij manifestimi, Radio Gjakova ndau edhe çmimet për zërat më të mirë radiofonik, të cilat u takuan Oralda Lahe nga Radio Tirana dhe Bujar Peci nga Radio "Ylberi" (Mitrovicë). Një çmim special iu dha post mortum, gazetares së njohur nga Radio Saranda, Margarita Myrto, e cila kohë më parë ndërroi jetë.

(Kosova Sot)