Pas dhjetë aborteve, tani është nënë e tri vajzave
Për shumë çifte, bërja prindër nuk është aspak e lehtë. Pasi për një kohë të gjatë ballafaqohesh me teste negative të shtatzënësisë, me aborte, apo edhe lindje të fëmijëve të vdekur, atëherë të vjen që të heqësh dorë tërësisht nga ëndrra e të bërit prind. Deri te një vendim i tillë për pak sa nuk kishte ardhur edhe Shona Towler, 24 vjeçe nga Lidsi i Anglisë. Ajo dhe partneri i saj Shayne Fairweather kanë përjetuar një situatë tepër të vështirë, duke pasur dhjetë aborte të fetuseve midis javës së 8-të dhe 22-të të shtatzënësisë, midis viteve 2008 dhe 2012, transmeton Kosova Sot.
Zemra e bebes nuk rrihte
Shona tregon: "Rasti më i keq ishte aborti im i tretë. Isha në javën e 16-të të shtatzënësisë. Fillova të gjakderdhja dhe shkova menjëherë ta bëja një kontroll mjekësor. Çdo gjë kishte marrë fund. Zemra e bebes nuk rrihte më. Më thanë se mund të prisja që bebja e vdekur të dilte vetë, apo të bëhesha operacion. U përcaktova për variantin e parë, meqë kisha frikë të operohesha. Kaluan shtatë ditë, e bebja e vdekur ende nuk kishte dalë. Telefonova në spital dhe caktova operacionin për të hënën e ardhshme. Por, një ditë më herët, pra të dielën, në mëngjes u zgjova në një pellg gjaku. Aq shumë gjak nuk kisha parë kurrë në jetën time. Partneri më dërgoi menjëherë në spital ku ma bënë një operacion të komplikuar, meqë bebja e vdekur ishte kurthuar diku”.
Nuk besonte se ishte bërë nënë
Këto aborte i kishin mërzitur ata aq shumë, sa që kishin thënë “të provojmë vetëm edhe një herë dhe jo më”. Për fat, nga ajo “provë” kishte lindur vajza Grace, e cila tani ka 4 vjet. Shona thotë se nuk i besohej se ishte bërë nënë. E mbante vajzën në duar dhe i dukej sikur ishte ëndërr. Tani çifti kanë edhe dy vajza të tjera dhe të gjitha çifteve që ballafaqohen me probleme të tilla iu thonë që kurrë të mos dorëzohen, sepse gjithmonë në fund të tunelit është – drita.
(Kosova Sot)