Gruaja me kancer të gjirit u detyrua të lindë në javën e 36-të të shtatzënësisë
45-VJEÇARJA ËSHTË DIAGNOSTIKUAR ME KANCER TË GJIRIT NË FUND TË NËNTORIT
Nëna e dy fëmijëve filloi kimioterapinë në spitalin "Wodonga"
Për Elenor Tedenborgun, lindja e fëmijës së saj, djalit Eli, ishte një përvojë, sa e ëmbël, po aq edhe e hidhur. Derisa 45 vjeçja nga Alburi, Nju Sauth Uells, ishte tepër e gëzuar nga lajmi se do ta bënte me vëlla djalin e saj të madh, Charlie, ajo mbeti edhe e dëshpëruar nga lajmi se do t'i duhej të lindte më herët, në javën e 36-të të shtatzënësisë, për shkak se vuante nga kanceri i gjirit. Të martën, vetëm një ditë pasi Eli i vogël u kthye në shtëpi, nëna e dy fëmijëve filloi kimioterapinë në spitalin "Wodonga". "Ishim tepër të lumtur që e çuam djalin e sapolindur në shtëpi, por më pas mora lajmin e keq, se që të nesërmen, më duhej ta filloja kimioterapinë kundër kancerit të gjirit. Në fillim u trishtova, por më pas konstatova se gjërat mund të ishin edhe më keq. Të paktën analizat tregonin se kanceri i gjirit nuk më ishte përhapur në pjesët e tjera të trupit. Vogëlushi Eli është mrekullia vetë dhe ndihem aq e bekuar duke qenë nënë e dy djemve të bukur. Kjo me të vërtetë më bën që t'i them vetes 'më ngadalë', të kthehemi te vlerat elementare dhe t'i vlerësojmë gjërat e vogla në jetë".
Elenor do të vazhdojë me kimioterapi dhe me gjasë edhe me radioterapi
Zonja Tedenborg, partneri i saj, Simon Baylis dhe djali i tyre i madh, trevjeçari Charlie, u shpërngulën nga Sidnei për në Alburi, për të pasur një jetë më të qetë. Por, gjërat nuk shkuan ashtu sikur që i kishin planifikuar ata, derisa zonja Tedenborg pati vështirësi që të gjente punë dhe, edhe kur gjente, i duhej që të punonte me orar jo të përshtatshëm. Kur mori pushim të shtatzënësisë, më 24 nëntor, zonja Tedenborg u diagnostikua me shkallën e dytë të kancerit të gjirit dhe me shkallën e tretë, më agresive, në nyjat limfatike. Që nga ajo kohë, shoqja e saj e ngushtë, Annika Enderborg, ka themeluar një faqe në "GoFundMe", për të mbledhur mjete humanitare për këtë familje. Deri tani kanë ndihmuar miqtë, por edhe të panjohurit. "Pas një kohe të shkurtër, Elenor Tedenborg do t'i nënshtrohet një operacioni, pastaj do të vazhdojë me kimioterapi dhe, me gjasë, edhe me radioterapi (rrezatim), përpos që do t'i duhet të përkujdeset për të birin e sapolindur, prandaj ky është një moment sa i ëmbël, po aq edhe i hidhur në jetën e tyre", shkruan në këtë faqe shoqja Enderborg.
Nëna e dy fëmijëve nuk ka nevojë për heqjen e gjinjve
Zonja Tedenborg duhet të bëjë edhe analiza të tjera, prandaj duhet "të presim e të shohim", për të parë se çfarë trajtimi do të jetë i nevojshëm. Kah fundi i postimit të saj, shoqja Enderborg apelon te njerëzit që të ndihmojnë, me qëllim "të zvogëlimit të barrës së kostos së këtyre terapive, të udhëtimeve, akomodimit, trajtimeve alternative, etj. Derisa zonja Enderborg kishte caktuar një limit prej 10,000 dollarëve australianë vetëm 19 ditë më parë, tanimë janë mbledhur më shumë se 8,000 dollarë. Në ndërkohë, as nëna, e as bebja Eli nuk janë dorëzuar. 'Dita e parë ishte kritike, por një orë pasi që vumë kontaktin lëkurë me lëkurë, vogëlushi Eli u stabilizua', thotë zonja Tedenborg. 'Ai është shumë mirë dhe është tepër i gjallë - me të vërtetë jemi me fat'! Në këtë etapë, nëna e dy fëmijëve nuk ka nevojë për heqjen e gjinjve, gjë që ia mundëson asaj ta ushqejë me gji djalin Eli gjatë muajve të parë të jetës së tij.
(Kosova Sot)