Vajza 18-muajshe me dorë gjigande sfidon vdekjen
BEBJA QË VUAN NGA NJË SËMUNDJE TEPËR E RRALLË
Mjekët mendojnë se vogëlushja është me fat që vazhdon të jetë gjallë,transmeton gazeta Kosova Sot.
Një vajzë e këndshme, së cilës ia kanë vënë nofkën "bebja Hulk", ballafaqohet me peripeci me të vërtetë të rënda. Madison Gatlin, nga Florida, ka lindur me sëmundjen CLOVES, një gjendje e cila shkakton ënjtjen e nyjave limfatike në dorë dhe gjoks. Kjo sëmundje tepër e rrallë, e shkaktuar nga një mutacion gjenetik, ka prekur vetëm 200 njerëz në mbarë botën.
Ajo është me fat që është gjallë
Mjekët për herë të parë vërejtën sasi jonormale të lëngjeve me ultrazë, kur bebja kishte vetëm 15 javë dhe mendojnë se vogëlushja është me fat që vazhdon të jetë gjallë. Që nga lindja e saj, ënjtja rreth pjesës së epërme të gjoksit dhe duarve ka filluar të rritet dhe vlerësohet të ketë arritur peshën 2.2 kg. Prindërit ia kanë vënë asaj nofkën 'bebja Hulk' për shkak të pamjes së saj muskulore. Madisoni 18 muajsh konsiderohet mrekulli mjekësore, pasi që kishte sfiduar vdekjen dhe kishte mësuar që të ecte, përkundër asaj që mjekët i kishin thënë se nuk do të mbijetonte.
Trajtimi do ta zvogëlojë ënjtjen
Pas muajve të tërë të analizave, Madison ishte diagnostikuar me këtë sëmundje të rrallë. Për ta penguar plasjen e indeve, mjekët bëjnë kauterizim kimik. Ajo po ashtu duhet të veshë rroba shtypëse dhe duhet të nxjerrë lëngjet nga organizmi dy herë në ditë. Me kalimin e kohës, mendohet se ky trajtim do ta zvogëlojë ënjtjen deri në atë madhësi sa që të mund të operohet nga mjekët.
(Kosova Sot)