Fleta e lisit të Zenel Agës që mbyti 5- vjeçarin

  • 09 February 2017 - 17:27
Fleta e lisit të Zenel Agës që mbyti 5- vjeçarin

TRAGJEDIA E ÇIFTIT QË PUSHOI NËN HIJEN E DUSHKUT

"Të lodhur nga rruga e gjatë që kishin bërë, çifti me fëmijën 5- vjeçar u ulën që të pushojnë për pak çaste nën hijen e lisit. Në një moment, fëmija i vogël, duke luajtur, pa dashur gëlltiti një farë dushku, e cila i mbeti në fyt dhe vdiq. Shumë kohë më pas lisi u tha dhe aty më nuk del bar", shprehet plaku Shaban Musliu

Musliu:Te vendi ku u mbyt fëmija sot nuk ka as lis, as bar

Jo rrallë qëllon që një pemë apo një lis të ketë një legjendë në vete. Bile, shpesh ato i kanë edhe legjendat më të dhimbshme. Kështu ka ndodhur me lisin e Zenel Agës, i cili ka qenë në mes një përroi që fillon në fushat e Arbanasit e përfundon në fshatin Landovicë. Plaku Shaban Musliu, 94 -vjeçar, tregon se sipas babait të tij Hamitit, ka pasur një lis të madh aty, shkruan gazeta Kosova Sot.

Tre shekuj jetë

"Sipas asaj që kam dëgjuar nga babai im, një çift bashkëshortor ishin nisur nga një fshat i largët për të shkuar në Prizren. Të lodhur nga rruga e gjatë që kishin bërë, vendosën të uleshin diku e të pushonin për pak çaste. Ata qëndruan poshtë hijes së atij dushku. Por, në një moment, fëmija i vogël, duke luajtur, pa dashur gëlltiti një lëndë (farë) dushku. Fara, lënda e dushkut i mbeti në fyt dhe nuk mundi ta kapërdinte, ndaj dhe nisi të bërtasë. Prindërit, të shqetësuar, u munduan ta ndihmonin fëmijën e tyre, por më kot, djali i vogël humbi jetën", shprehet Musliu. Tepër të dëshpëruar nga kjo fatkeqësi që u ndodhi, sipas Musliut, prindërit vendosën ta varrosin fëmijën pikërisht aty, poshtë hijes së dushkut. "Madje, ata e morën aq shumë inat dushkun, sa e prenë dushkun që iu mbyti djalin. Sipër varrit, ata vendosën një pllakë guri që tregonte se aty prehej një djalë pesëvjeçar. Nuk kishte kaluar shumë kohë kur mbi këtë varr nisi të lulëzonte një filiz i ri dushku, që më pas u rrit dalëngadalë në përmasat gjigande që aty qëndroi thuhet rreth 300 vjet", shprehet ai. Sipas Musliut, nga aty thuhet se emri i fshatit Landovicë ka rrjedhur, sepse ai quhej lisi i Landës. "Ishte pikërisht fara që kishte gëlltitur djali i vogël, i cili tashmë "merrte jetë' përmes këtij dushku që i kishte mbushur tre shekuj", thekson Musliu.

Nuset linin çorape për t'u lindur djalë

Lidhur me këtë rast, të gjithë pleqtë e fshatit Landovicë nuk e dinin këtë histori. Musliu tregon se shumë njerëz kanë tentuar ta presin dushkun ndër vite, por e çuditshme është se të gjithëve atyre që kanë tentuar u është thyer sëpata. "Askush më pas nuk ka guxuar ta dëmtojë pastaj dushkun derisa ai u dëmtua nga brenda dhe u kalb ashtu në natyrë". Musliu tregon se gjasat reale janë, sipas babait, se lisi filloi të thahet kur aty filluan të mrizonin kopetë e deleve, dhe uji që ishte skaj lisit humbi. Ai tregon se vendi edhe sot e kësaj dite quhet me lloj- lloj emrash, si "Lisi i Maçakut" e ndonjë emër tjetër. Kurse vetë banorët e fshatit pohojnë se kanë dëgjura shumë legjenda për Maçakun. Për këtë lis ka pasur disa besëtytni. Tek ai vend sot e asaj dite nuk ka asnjë lis, e bile për befasi në një hapësirë mjaft të gjerë as bar nuk ka. Haki Gashi, një plak i urtë nga Landovica, nuk di shumë për legjendën, por nga ato që ka dëgjuar nga pleqtë, një vend te Kodra e Maçakut ka dyqind vjet që nuk ka as bar e as lis. "Aty shpesh gratë kanë dërguar ndonjë amanet për të pasur pasardhës e kanë dërguar meste e çorape të leshta. Kjo besëtytni ende vazhdon. Po t'i dërgojë nusja një palë meste e çorape, lind djalë", shprehet ai.
 

(Kosova Sot)