Për 27 vjet rriti fëmijën e huaj

  • 13 June 2017 - 19:40
Për 27 vjet rriti fëmijën e huaj

NJË NËNE IA KISHIN DHËNË BEBEN E GABUAR

Nëna, fëmija i së cilës u ndërrua me një tjetër në një spital austriak, ka marrë një dëmshpërblim prej rreth 30 000 eurosh

Një spital austriak është urdhëruar që të paguajë rreth 30 000 euro për shkak se, 27 vjet më parë, një nëne ia kishin dhënë beben e gabuar. Doris Gruenwald, e lindur në vitin 1990, vetëm pak vite më parë mori vesh se nuk kishte lidhje farefisi me çiftin i cili e rriti, e për të cilët mendonte t'i kishte prindër. Ajo e mori vesh këtë pas bërjes së analizës ADN. 

"Nga fillimi e dinim se asgjë nuk do të mund të na ndante"

Doli se spitali i kishte përzier dy bebe, duke ua dhënë dy çifteve bebet e gabuara. Bebja tjetër ende mbetet e paidentifikuar. E ëma e dëshpëruar e Dorisit, Evelin Gruenwald, e cila e kishte rritur atë sikur ta kishte bijë të veten, deklaroi se zbulimi në fjalë ishte tronditje e madhe për të dhe për vajzën. "Por, që nga fillimi e dinim se asgjë nuk do të mund të na ndante dhe se përjetë do të ngelnim ëmë e bijë. Ky fëmijë është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë". Nga spitali i Universitetit të Gracit, ku ishte bërë ndërrimi i paqëllimshëm bebeve, kanë deklaruar se, në atë kohë, nuk kishte lindur asnjë vajzë tjetër me një peshë aq të vogël sa të saj. Spitali nuk dha kurrfarë shpjegimi se si ka mundur të vinte deri te ky gabim.

(Kosova Sot)