
E ‘shkrin’ artin me gjilpërë në dorë
Në kohën kur gjithnjë e më shpesh po thuhet dhe po konstatohet se artizanatet sa vjen e shuhen, se për prodhimet e profesioneve të vjetra ka gjithnjë e më pak interesim, gjë që po ndikon që ato zanate gradualisht të harrohen, artizanalja Sanije Hasi nga Gjakova, me shumë forcë dhe shumë vendosmëri po e dëshmon të kundërtën. Ajo, edhe pse ka më shumë se 4 dekada që merret me profesionin e punimeve të veshjeve tradicionale solemne për gra, nuk u ndal për asnjë moment, bile, siç paralajmëron, as që e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, shumë e bindur se falë cilësisë së prodhimeve të saj, gjithnjë do të ketë interesim të konsumatoreve, sepse, siç thotë ajo, edhe pse shfrytëzohen me shekuj, këto veshje, për shkak të bukurisë që kanë, vazhdojnë të jenë mjaft aktuale dhe të kërkuara. Ajo thotë se punën e ka në shpirt, prandaj, edhe pse vitet po kalojnë, ajo kurrsesi të ndahet nga gjilpëra që është mjet i saj i punës krijuese që e bënë për çdo ditë pa pushim.
Sekreti i suksesit - puna "hakikat"
"Ka më shumë se 40 vjet prejse kam filluar këtë punë. Ia kam nisur me punimin e jelekëve me ar, por më vonë, gradualisht e asortimentin e prodhimeve të mia e kam zgjeruar edhe me produkte të tjera. Njëzet e ndoshta edhe 25 vjet kam punuar vetëm në jelek me ar, të cilin gati 30 vjet e kam shitur vetë në treg. Nuk kam hezituar që atë që e kam prodhuar t'ua ofroj drejtpërdrejt konsumatoreve pa pasur nevojë për ndërmjetësues. Marrë në tërësi, janë bërë më shumë se 40 vjet që punoj këtë zanat dhe këtë gjë e bëj me shumë dashuri, pa kurrfarë përtese dhe çdo produkti të ri dhe të bukur i gëzohem sikur në ditët e para që jam marrë me këtë zanat", rrëfente Sanije gati me të njëjtin entuziazëm me të cilin e bën edhe punën e vet të përditshme. Duke e dëgjuar rrëfimin e saj, njeriu fiton përshtypjen se prapa kësaj pune dhe prapa këtij suksesi fshihet një sekret, fshihet një element të cilin të tjerët nuk e dinë. Por ndryshe nga se që mendon bashkëbiseduesi i saj, Sanija për tërë këtë punë e ka një shpjegim shumë më të thjeshtë se që është ndonjë sekret i rrallë. "Gjatë tërë kësaj kohe, gjatë tërë kësaj periudhe të gjatë më shumë se katër dekada, jam munduar që të punoj me hakikat, të punoj më së miri që di, në mënyrë që konsumatorëve të mia t'u ofroj prodhime sa më cilësore. Jam munduar që konsumatoret të mos i kem vetëm për një herë, por t'i kem të rregullta dhe kjo ka mundur të arrihet vetëm me punë të përkushtuar dhe me prodhime cilësore", shpjegon zonja Sanije.

Klientet shumë të kënaqura me atë që marrin
Sado që bëhet fjalë për një punë mjaft delikate, më shumë se 25 vjet, gati 30 vjet, këtë punë protagonistja jonë e ka bërë vetëm, ndërsa së fundi e ka zgjeruar rrethin e bashkëpunëtoreve dhe tash punohet në grup për të plotësuar kërkesat e atyre që kërkojnë prodhimet e tyre. E numri i atyre që i kërkojnë prodhimet e zonjës Sanije është vërtet i madh, dhe, ato, janë shumë të kënaqura me cilësinë e këtyre prodhimeve. Këtë e thotë edhe njëra prej konsumatorëve të rregullta të këtyre veshjeve, Antigona Mehmeti. "Unë jam kliente e rregullt e Sanijës. Blej rregullisht prodhime që kanë dalë nga duart e saj. Çdo herë jam furnizua me fustane, dallame dhe me veshje karakteristike solemne dhe kombëtare. Sidomos për veshjet tradicionale, Sanija është e para. Puna e saj e përkushtuar dhe mjeshtëria e rrallë, ka bërë që ajo të çmohet nga të gjitha konsumatoret. Nëse, siç themi ne në Gjakovë, nuk e prish dorën, unë do të vazhdoi të jem kliente e Sanijes me kënaqësinë më të madhe", ka thënë Antigona.
Ia shohin hairin edhe më shumë se 40 familje
Po, çka e karakterizon prodhimet e Sanije Hasit që janë kaq shumë të kërkuara. Detajet e punuara me merak dhe modelet unike që janë pjellë e imagjinatës dhe kreativitetit të saj i bëjnë ato tërheqëse. Për t'u plotësuar të gjitha kërkesat e konsumatoreve, Sanija më nuk punon e vetmuar, por ka angazhuar shumë bashkëpunëtore, dhe nga ky angazhim, pra nga ideja dhe puna e Sanijes, sot përfitojnë rreth 40 familje në Gjakovë dhe jashtë Gjakovës. Ato thurin dollame e jelekë të cilët ua blen Sanija dhe ajo pastaj i plason në treg. Ajo e absorbon tërë punën që e bëjnë ato dhe për këtë i paguan gjatë tërë vitit në mënyrë solide. "Kjo që tash kam bashkëpunëtore, nuk do të thotë se tash unë nuk punoj, Përkundrazi, unë vazhdoj të punoj thuajse me të njëjtën dëshirë dhe me të njëjtin elan si dikur, gati-gati si kur e kam nisur këtë punë. Kur provoj të mos punoj, e ndjej se diçka e madhe po më mungon. Prandaj, po punoj e do të vazhdoj të punoj derisa të më punojnë duart. Dua t'iu pranoj se shumë shpesh, për shkak të punës, nuk kam bërë më shumë se 4-5 orë gjumë në ditë. Tash i kam 40 deri në 50 punëtore që punojnë në shtëpitë e tyre, por punojnë edhe anëtaret e familjes time të ngushtë, vajzat, motrat, nuset, nuset e vëllezërve. Mu ato i punojnë të gjitha prodhimet që bëhen me porosi të caktuar të klienteve. Pra, gjithë rrethi i ngushtë familjar angazhohemi dhe marrim përgjegjësinë për punimin sa më cilësor të prodhimeve me porosi, porosi këto që bëhen jo vetëm nga Gjakova e Kosova por edhe nga shumë shtete të Evropës, dhe atë jo vetëm nga shqiptarët", rrëfente Sanije Hasi, duke përfunduar se të gjitha dizajnët i punon vetë, pasi ka qenë dizajnatore, ndërsa tash në këtë drejtim e ndihmojnë edhe vajzat dhe nuset. "Këto dizajne nuk janë të kopjuara nga askush, por janë pjellë e ideve dhe imagjinatës tonë. Duke e pasur parasysh krizën e madhe që është për të gjetur një vend pune, jam e interesuar dhe jam duke u angazhuar që mundë- sisht të rris numrin e punëtoreve në punëtorinë time, por edhe të atyre bashkëpunëtoreve që për mua punojnë në shtëpitë e tyre", e mbyll rrëfimin një grua vërtet ambicioze, siç është Sanije Hasi.
(Kosova Sot)