Gjyshja 62 vjeçe ia jep veshkën mbesës 2 vjeçe
Vajza Wryn Graydon ishte diagnostikuar me sindromë kongjenitale nefrotike kur kishte vetëm 2 muaj
Një vajzë 2- vjeçare, e cila vuante nga një sëmundje e rrallë e veshkave, u shpëtua pasi iu transplantua veshka të cilën ia kishte dhënë gjyshja e saj 62 vjeçe. Sëmundja kishte ndikuar që veshkat e saj të mos punonin si duhej, duke larguar nga trupi i saj jo vetëm materiet toksike, por edhe të gjithë përbërësit ushqimorë, që i nevojiteshin për jetë. Mjekët iu kishin thënë prindërve të vajzës, Michael dhe Haley, se mënyra e vetme e shërimit do të ishte transplantimi i veshkës kur bebja të ishte mjaft e fortë për ta duruar operacionin. Mjekët po ashtu thanë se ishte më mirë që veshka të merrej nga një donator i gjallë. Iu bënë analizat të gjithë anëtarëve të familjes, ku, në bazë të rezultateve, u pa se donator më i përshtatshëm për vajzën do të ishte gjyshja e saj, Carol, edhe pse gjyshe e mbesë kishin më shumë se 60 vjet diferencë njëra me tjetrën. Pasi vajzës iu hoqën dy veshkat e sëmura dhe pasi ajo kaloi 20 muaj në dializë, asaj iu transplantua veshka e gjyshes më 13 korrik, trasmeton gazeta Kosova Sot
Sëmundje më e shpeshtë te fëmijët
Sëmundja e Wrynit është sëmundje gjenetike e rrallë dhe mënyra e vetme e shërimit aktualisht është heqja e veshkave të sëmura dhe transplantimi i një veshke tjetër, të marrë nga donatorët. Kjo sëmundje mund të paraqitet te njerëzit e të gjitha moshave, por më shpesh shihet te fëmijët e vegjël. Haset më shpesh te djemtë, sesa te vajzat. Çdo vit me këtë sëmundje diagnostikohet 1 në 50,000 fëmijë.
(Kosova Sot)