Nëna shpreson ta shpëtojë vëllain nga kanceri i trurit me qelizat amë të fëmijës në bark
Një bebe, që ende nuk ka lindur, mund të jetë në gjendje që ta shpëtojë jetën e dajës të saj/tij. Georgina Russell, 31 vjeçe, nga Prestoni, dëshiron me çdo kusht t'i ndihmojë vëllait të saj, Ashley, të cilit mjekët i kanë dhënë vetëm edhe 5 vjet jetë, meqë vuan nga një tumor në tru. Ky djalë 34 vjeç është diagnostikuar me një tumor të rrallë, që rritet ngadalë dhe quhet glioblastoma dhe mjekët i kanë thënë se, nëse operohet, rrezikon që të mbetet i palëvizshëm, apo të verbërohet. Pasi kishte kërkuar në internet mënyra për shërimin e vëllait të saj, Georgina kishte parë se shtatzënësia e saj paraqiste një mundësi të artë.
"Dua që të sigurohem se kam bërë gjithçka që kam mundur për t'i ndihmuar atij"
Qelizat amë, që gjenden në shiritin kërthizor të bebes, mund të merren sapo të lindë bebja, gjë që pritet të ndodhë në tetor. Kjo teknikë kontroverse, e përdorur në testime në mbarë botën, ka bërë që shumë bebe ta marrin epitetin e "bebeve shpëtuese" meqë kanë ndihmuar në shërimin e shumë sëmundjeve. Georgina, e cila aktualisht gjendet në pushim të shtatzënësisë, thotë se dëshiron me çdo kusht t'i ndihmojë vëllait. 'Ai është martuar nëntorin e kaluar dhe ka një vajzë të vogël, Alexis, dy vjeçe, prandaj ka shumë arsye për të jetuar. Dua që të sigurohem se kam bërë gjithç- ka që kam mundur për t'i ndihmuar atij"
Lajmi i hidhur
Georgina tregon se, në bazë të asaj që ka lexuar, gjaku i marrë nga shiriti kërthizor, është përdorur në shumë vende të botës, duke bërë mrekulli në shërimin e shumë sëmundjeve. Ky gjak dihet se përmban qeliza amë, të cilat e kanë kapacitetin që të shndërrohen në të gjitha format e qelizave, sipas nevojës. Problemet e Ashleyt kishin filluar gjashtë muaj më parë, në formë të dhembjeve të kokës, marramendjes dhe ngërçeve të vogla. Nuk kishte vonuar shumë pasi kishte shkuar te mjeku dhe, kishte marrë lajmin e hidhur, se vuan nga kanceri.
(Kosova Sot)