Bebja e "mrekullisë" pritet që të vdesë brenda vitit

  • 24 August 2017 - 19:58
Bebja e

E ëma konsiderohet e shëruar nga kanceri, falë vajzës së saj të vogël

Një bebe që ka lindur me një sëmundje tepër të rrallë, pritet që të mos jetojë më shumë se edhe një vit. Willow Rae Porter, e cila ka 22 muaj dhe vuan nga sëmundja e qelizave inkluzive (i-cell), e cila ndikon te frymëmarrja, zemra, tretja dhe mund të çojë deri te vdekja e parakohshme para se kjo vajzë t'i mbushë tri vjet. Në tërë botën deri më tani janë zbuluar vetëm 72 raste me këtë sëmundje.

Edhe një ftohje e rëndomtë do të mund ta vriste

Përkundër problemeve shëndetësore të vajzës, nëna e saj, Katie Hanson, 23 vjeçe nga Sietlli (SHBA), e përshkruan vajzën e saj si 'shpëtimtaren' e saj, meqë vetëm gjatë ultrazërit që kishte bërë gjatë shtatzënësisë, mjekët kishin parë se ajo kishte kancer të qafës së mitrës. Asokohe mjekët i kishin thënë që ta abortonte fëmijën, në mënyrë që të trajtohej nga kanceri, por Katie kishte vendosur që ta çonte shtatzënësinë deri në fund. Trajtimin e filloi pas lindjes. Ajo tani konsiderohet e shëruar nga kanceri, falë vajzës së saj të vogël, për të cilën ajo thotë se është e gëzueshme, përkundër faktit se është e sëmurë. Ajo është në një gjendje aq kritike, sa që edhe një ftohje e rëndomtë do të mund ta vriste.

Të sëmurët nga kjo sëmundje jetojnë deri në moshën dhjetëvjeçare

Katie është e përkushtuar që të krijojë sa më shumë kujtime me vajzën Willow Rae, e cila përkundër problemeve, muaj më parë filloi të thoshte "mami". Kjo sëmundje shkaktohet për shkak se lizozomet e qelizave nuk janë në gjendje që t'i zbërthejnë disa substanca yndyrore dhe disa karbohidrate komplekse, për shkak të defekteve të enzimave. Në rastin e Willow-t kjo nënkupton grumbullimin e këtyre substancave në indet e buta, në nyja, kërce dhe në eshtra. Në rastin më të mirë, të sëmurët nga kjo sëmundje jetojnë deri në moshën dhjetëvjeçare. Përpos problemeve të shumta me shëndet, si pasojë e sëmundjes, vogëlushja ka edhe një imunitet tepër të dobët, gjë që e bën atë të ndjeshme edhe ndaj sëmundjeve më të lehta dhe më të rëndomta, sikur që është ftohja apo gripi. 

(Kosova Sot)