
Sërish shantazhohet rektori i UP-së: Senati i UP-së për arsye të liga bllokon zgjedhjen e stafit akademik
Senati i Universitetit të Prishtinës do të mblidhet të hënën për të shqyrtuar zgjedhjet e stafit akademik, në bazë të konkursit të shpallur në janar të këtij viti. Mbledhja e fundit e Senatit është ndërprerë më datën 29 qershor, pasi shumica e anëtarëve të këtij organi kanë insistuar të avancohen të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs, pavarësisht faktit se nuk i plotësojnë kushtet e parapara me Statut: konkretisht, nuk kanë numër të mjaftueshëm të publikimeve që kërkohen për t’u zgjedhur në thirrjet akademike të profesorëve.
Burime të “Telegrafit” nga Universiteti i Prishtinës tregojnë se epilog të ngjashëm mund të ketë edhe mbledhja e radhës e Senatit, pasi senatorët nuk pajtohen me vendimet e Komisionit të Studimeve që i ka refuzuar të gjitha propozimet për avancime që nuk janë në përputhje me Statutit.
Gjithnjë sipas burimeve tona, dekanët e fakulteteve të UP-së, në një takim të mbajtur të premten, e kanë paralajmëruar rektorin e Universitetit të Prishtinës se nuk do të lejojnë mbajtjen e mbledhjes së Senatit, nëse paraprakisht nuk shkarkohet Komisioni i studimeve.
Në thumb të kritikës ka qenë prorektori për shkencë, prof.dr. Fetah Podvorica, për të cilin thuhet se ka insistuar në respektimin e kritereve.
Fetah Podvorica është i doktoruar në Universitetin prestigjioz të Sorbonës në Francë dhe vazhdon të jetë i angazhuar si hulumtues në këtë Universitet, ndërsa anëtar i Komisionit të Studimeve është për pothuajse një dekadë të tërë, pasi gëzon respekt si shkencëtar i afirmuar i nivelit ndërkombëtar.
Mësohet se pjesëmarrësit e mbledhjes, në mesin e të cilëve është Sedat Kuçi - dekan i Fakultetit të Filologjisë; Musli Bajraktari - dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike; Ethem Çeku - dekan i Fakultetit të Edukimit; dhe Bujar Dugolli - dekan i Fakultetit Filozofik, kanë kërkuar nga rektori që ta heq prorektorin Podvorica nga Komisioni i Studimeve, si kusht për të lejuar mbajtjen e mbledhjes së Senatit.
Zejnullahu ka refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, duke theksuar se nuk do të lejojë të dëmtohet kredibiliteti i konkursit me shkarkimin e Komisionit të Studimeve në përfundim të procesit të konkursit. Rektori ka kërkuar që në mbledhjen e Senatit të diskutohet, në mënyrë transparente, për secilin kandidat veç e veç, duke i dëgjuar argumentet e Komisionit, por ky propozim ka hasur në rezistencën e dekanëve.
Sipas procedurës në Universitet, pas shpalljes së konkursit për zgjedhjen e stafit akademik, për secilin vend pune formohet komisioni vlerësues i përbërë prej tre profesorëve. Në pothuaj se të gjitha rastet, komisionet vlerësuese të formuara nga fakultetet kanë rekomanduar për avancim stafin ekzistues që është paraqitur në konkurs, pavarësisht mosplotësimit të kushteve statutare nga shumica e tyre.
Komisioni i Studimeve i Senatit konstatoi se në mesin e atyre që nuk i plotësojnë kushtet për avancim janë edhe disa zyrtarë të lartë publikë dhe anëtarë të Senatit, si: Mytaher Haskuka (deputet i LVV në Kuvendin e Kosovës), Ferdije Zhushi (kryetare e Bordit të Agjencisë së Akreditimit), Ethem Çeku (dekan i Fakultetit të Edukimit), Skender Ahmeti (dekan i Fakultetit Ekonomik), Naser Kabashi (dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës), Naser Mrasori (rektor në Universitetin e Pejës), Linda Grapci-Kotorri (prorektore e Universitetit të Pejës), Idriz Vehapi (kryetar i Komunës së Rahovecit dhe ish-ministër), Imer Rusinovci (anëtar i Senatit dhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Prishtinës), Kemajl Kurteshi dhe Sabrije Osmanaj (anëtarë të Senatit të UP-së), Safet Merovci (anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së), Agron Bajraktari (ish-prorektor në Universitetin e Prishtinës) e të tjerë.
Mbetet të shihet nëse rektori Zejnullahu dhe ekipi i tij do t’ia dalin të hënën të sigurojnë respektimin e Statutit të Universitetit, duke mos lejuar që në Universitetin e Prishtinës të ndodhë edhe një shkelje flagrante e kritereve akademike, çfarë ka pasur me qindra në vitet e fundit.