Nëse nuk gjen një zemër për t'iu transplantuar, feston Kërshëndellat e fundit

  • 05 December 2017 - 20:33
Nëse nuk gjen një zemër për t'iu transplantuar, feston Kërshëndellat e fundit

DJALOSHI ME DITËT E NUMËRUARA TË JETËS SHKRUAN MESAZH PREKËS

"Derisa për Kërshëndellat e tjera kisha lutje dhe dëshira si çdo moshatar imi, kësaj here lutja ime ka të bëjë me një zemër të re. Përndryshe, këto do të jenë Kërshëndellat e fundit për mua", shkruan djali mesazhin e tij prekës

Dom Davies ka lindur me një sëmundje komplekse të zemrës, e cila e ka penguar atë nga një jetë normale. I janë bërë shumë operacione të zemrës deri më tani, të cilat 'i kanë blerë kohë', por tani ai është aq keq, saqë shpresa e tij e vetme është transplantimi i zemrës. Ai ka marrë lajmin se e kanë vendosur në listën e pritjes, për transplantim dhe ai tani për Kërshëndella ka vetëm një lutje, që sa më shpejt ta gjejë një zemër të përshtatshme. 

Kishte vetëm gjysmë zemre funksionale

Dom, 19 vjeç, nga Sufolku, ka vendosur që të flasë rreth gjendjes së tij, me qëllim të frymëzimit të të tjerëve dhe për të treguar rëndësinë e bisedës me familjarë rreth kësaj teme të vështirë. "Kur nëna ime ishte në javën e 20-të të shtatzënësisë, mjekët i kishin thënë se nuk mund ta gjenin zemrën time në ultrazë dhe i kishin thënë të më abortonte. Falë Zotit, ajo kishte refuzuar. Më pas atë e kishin referuar te një specialist, i cili i kishte treguar se bebja e saj, pra unë, kisha vetëm gjysmë zemre funksionale, apo sikur që quhet në mjekësi, Artezia trikuspidale, stenozë pulmonare dhe enteropati me humbje të proteinave. Që atëherë mjekët i kishin thënë se, nëse do të bëja ca operacione, do të mund ta shtyja deri në moshën 19 vjeçe, por më pas do të më shpëtonte vetëm transplantimi i zemrës. Në tetor kam mbushur 19 vjet dhe shëndeti më është përkeqësuar aq shumë, sa që pas shumë analizave, më kanë futur në listën e pritjes për transplantim të zemrës". 

Rritja e vetëdijes

"Gjatë tërë kësaj kohe ka qenë sidomos vëllai im, Bennie, i cili më ka mbështetur fuqishëm. Ai merret me muzikë dhe, sapo mori vesh se më kanë futur në listën e pritjes për transplantim, ai bëri një këngë prekëse rreth meje. Ai e ka vendosur këtë këngë në "YouTube", me qëllim të rritjes së vetëdijes rreth rëndësisë së dhurimit të organeve. Derisa për Kërshëndellat e tjera kisha lutje dhe dëshira si çdo moshatar imi, kësaj here lutja ime ka të bëjë me një zemër të re. Përndryshe, këto do të jenë Kërshëndellat e fundit për mua", përfundon djali mesazhin e tij prekës. 

(Kosova Sot)