Mjeku ka mahnitur botën me projektin e tij, të 'bebes me tre prindër'

  • 17 May 2018 - 18:59
Mjeku ka mahnitur botën me projektin e tij, të 'bebes me tre prindër'

DR. JOHN ZHANG PO E REVOLUCIONARIZON TRAJTIMIN E STERILITETIT 

Njihet për bërjen realitet të trajtimeve më radikale të sterilitetit. Dr. John Zhang 'krijoi' beben e parë 'me tre prindër' duke përdorë ADN-në nga të dy prindërit, si dhe një segment të vogël nga një donator, për ta evituar trashëgimin e një sëmundjeje të rrezikshme për jetë. Ai po ashtu, në vitin 2009, ka ndihmuar një grua 49- vjeçare që të bëhet gruaja më e moshuar që lindi fëmijën e vet biologjik. Tani, i ashtuquajturi mjek 'rebel', që jeton në Nju- Jork, thotë se, së shpejti, do ta thyejë edhe një rekord tjetër: ta ndihmojë një grua 60 vjeçe që ta lindë fëmijën e saj.

Mjeku ka dalë nga binarët e shkencës së mirëfilltë

Dr. Zhang, themelues i Klinikës së fertilitetit "New Hope", ka lindur dhe ka diplomuar në Kinë, por doktoratën e ka kryer në Universitetin e Kembrixhit. Specializimin në gjinekologji dhe obstetrikë e ka kryer në Shkollën e mjekësisë të Universitetit të Nju- Jorkut. Tani 55 vjeç dhe baba i tre fëmijëve, sipas disa moshatarëve të tij, ai ka filluar të 'dalë nga binarët e shkencës së mirëfilltë', transmeton "Kosova Sot Online". E arritura e tij më e madhe ishte ajo e vitit të kaluar, kur ai ndihmoi një çift jordanez që ta lindnin një bebe të shëndoshë, pasi që atyre iu kishin vdekur gjashtë fëmijë, si pasojë e një sëmundjeje të trashëguar (gjenetike), të quajtur sindroma Leigh, e që është sëmundje vdekjeprurëse neurologjike. Kjo u quajt 'bebja me tre prindër', meqë përmban ADN nga dy prindërit dhe nga një person i tretë. 

Teknologji e re e fertilitetit

Kjo bëri që ai të cilësohej si 'rebel i fertilitetit' nga kolegët e tij dhe nga revista shkencore "Nature". Ka reaguar edhe Agjencia amerikane e ilaçeve dhe ushqimeve (FDA), e cila e ka urdhëruar atë që të mos reklamojë teknologjinë e re të fertilitetit. Kjo agjenci thirret në një vendim të Kongresit, të vitit 2015, i cili ndalon ndryshimin e trashëgueshëm gjenetik në embrionet njerëzore. Ata thonë se, si rrjedhim, Dr. Zhang nuk kishte lejet e nevojshme për ta bërë kërkimin e tij shkencor. Mjeku arsyetohet me faktin se operacionin për lindjen e bebes 'me tre prindër', e ka bërë në Meksikë, e jo në SHBA. Por, FDA thotë se ndalohet edhe 'eksportimi' i embrioneve të tilla. Dr. Zhang insiston se, çdo teknologji që është e dobishme për njerëzimin, duhet të lejohet. Ai thotë se, në të kaluarën, njerëzit ishin edhe kundër antibiotikëve, anestezisë së përgjithshme, vaksinave...

(Kosova Sot)