Bebja katër muajsh, e prekur nga një sëmundje e rrallë
ËSHTË DUKE LUFTUAR PËR JETË
Kjo bebe ka një formë të rrallë të kancerit
Një bebe është duke luftuar për jetë, pasi është diagnostikuar me një formë të rrallë të kancerit, nga e cila vuajnë vetëm 88 njerëz në tërë botën. Pasi që kishte pasur probleme me frymëmarrje, djali 4 muajsh Roman Hansen në fillim ishte diagnostikuar me sëmundje të mushkërive, të quajtur bronkiolit viral, derisa analizat treguan se ai vuante nga kolapsi i mushkërive dhe duhej që t'ia hiqnin 15% të mushkërive.
Prindërit, të tronditur
Duke menduar se me këtë kishin tejkaluar atë më të keqen, prindërit e bebes, Amanda, 31 vjeçe dhe Stephen Hansen mbetën tepër të tronditur kur mjekët ua dhanë lajmin e keq, se djali i tyre vuan nga një formë e rrallë e kancerit të gjoksit, të quajtur blastoma pleuropulmonare. Kjo dmth se ky vogëlush duhet t'iu nënshtrohet nëntë raundeve të kimioterapisë dhe i duhet që të qëndrojë në spital nëntë muaj. E ëma e djalit, e cila rri pranë shtratit të tij, thotë se nuk ka fjalë për të përshkruar se sa keq ndihen. "Bota na është kthyer mbrapshtë", thotë ajo. I ati i bebes nuk ka qenë në gjendje që të punojë, që nga vënia e diagnozës së të birit, meqë i duhet që të përkujdeset për katër fëmijët e tjerë të tyre. Ata kanë vendosur që ta bëjnë publik këtë rast, me qëllim që të apelojnë te njerëzit, që t'iu ndihmojnë në aspektin financiar, transmeton "Kosova Sot Online".
Trupi i kishte marrë ngjyrë të çuditshme
Në fillim të sëmundjes, përpos që kishte probleme me frymëmarrje, Romani i vogël kishte edhe djersitje dhe trupi i tij kishte marrë ngjyrë të çuditshme. Nga kjo situatë janë duke vuajtur edhe fëmijët e tjerë të çiftit: Brooklyn, 11 vjeç; Brandon, 9; Bailey, 6 dhe Mia-Scarlett, 20 muajsh. I ati i fëmijëve thotë se e ka të vështirë t'ua shpjegojë fëmijëve, sidomos atyre më të vegjëlve, se çka është duke ndodhur. "Jemi duke u përpjekur që të vazhdojmë me jetën, sa më shumë që të jetë e mundur, duke u përkujdesur që fëmijët të mos e humbin shkollën dhe të mos mbeten pa përkujdesje", thotë ai, duke shtuar se, në të njëjtën kohë, janë duke u përpjekur edhe që Roman të jetë sa më mirë që lejojnë rrethanat.
(Kosova Sot)