E gjeti vajzën e saj, gjashtë vjet pasi ajo i kishte 'vdekur'
Lidhja midis nënës dhe fëmijës me të vërtetë mund të jetë e fuqishme. Por, janë të rralla rastet kur nëna arrin ta gjejë fëmijën e saj, gjashtë vjet pasi bebja ishte supozuar e vdekur. Luz Cuevas ishte në ndejën e ditëlindjes së një të njohuri, në vitin 2004, kur pa një vajzë me flokë të zeza, me një pamje shumë familjare për të. Birat e vogla në faqet e vajzës, kur qeshte, ishin aq karakteristike, sa që Luz filloi të mendonte se ajo ishte vajza e saj, për të cilën i kishin thënë se kishte vdekur në një zjarr, gjashtë vjet më parë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Askush nuk e kishte marrë seriozisht
Luz tregon sesi gjithmonë kishte mbajtur një fije shprese se vajza e saj është gjallë, prandaj nuk kishte hezituar ta kontaktonte vajzën, të cilën e quanin Aaliyah. Luz i tha vajzës se i ishte ngjitur një çamçakëz në flokë dhe, gjoja duke ia hequr atë, ia mori ca fije flokësh. Ajo më pas tregoi se, duke shikuar filma me policë, e dinte se prova e ADN-së mund të bëhej nga flokët. Dyshimet e saj ishin edhe më të mëdha, pasi në atë zjarr, ku supozohej të kishte vdekur vajza e saj, kurrë nuk ishte gjetur asnjë kufomë. Policia kishte ardhur deri te përfundimi se tërë trupi i vajzës ishte bërë shkrumb e hi. Por, Luz kurrë nuk iu kishte besuar këtyre shpjegimeve. Ajo iu kishte thënë zjarrfikësve se ia kishin vjedhur beben, por askush nuk e kishte marrë seriozisht.
Ajo ishte rrëmbyer nga një e afërme e ish-burrit të Luzit
Analizat e ADN-së treguan se Luz kishte të drejtë. Vajza e vogël, që tani quhej Aaliyah, në fakt ishte e bija e saj, Delimar Vera. Ajo ishte rrëmbyer nga një e afërme e ish-burrit të Luzit, derisa ky i fundit kishte vënë zjarrin, për të humbur gjurmët e rrëmbimit. Gruaja që e kishte rrëmbyer vajzën quhej Carolyn dhe ajo kishte shkuar për të jetuar në Nju- Xhersi, duke e prezantuar vogëlushen si vajzë të saj. Ajo më pas u akuzua për rrëmbim, zjarrvënie, sulm, fshehje të vendndodhjes së fëmijës dhe pengim i përkujdesjes ndaj fëmijës. U dënua edhe i ati i vajzës. Në vitin 2004 Aaliyah u kthye te e ëma, të cilën kurrë nuk e kishte takuar më parë e e cila ia vuri përsëri emrin e saj të vërtetë, Delimar.
(Kosova Sot)