Studentët t'u prijnë protestave kundër regjimit banditesk

  • 18 December 2018 - 08:02
Studentët t'u prijnë protestave kundër regjimit banditesk

Kosovës i duhet një qeverisje ndryshe

"Tashmë ka ardhur koha që shoqëria kosovare të zgjohen nga gjumi e mos të flenë si po e bëjnë shumica, por të prirë nga studentët, të gjithë qytetarët duhet të ngritën në protesta të qeta dhe masive, në mënyrë që më në fund t'i largojnë nga pushteti këta sundimtarë hipokritë dhe hajna të shtetit", thotë Ragip Guraziu për "Kosova Sot" Analistë të politikës dhe qytetarët vlerësojnë se nervin e fjetur të shoqërisë kosovare do ta shkundnin vetëm protestat e studentëve. Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se këtë nuk mund ta bëjnë ata studentë që gjenden në krye të do farë shoqatash të studentëve, që janë të kapura nga politika, por kjo mund të bëhet vetëm nga studentë meritorë të këtij vendi, që nuk e durojnë më t'i shkelë ky regjim, siç i ka shkelur të gjithë qytetarët.

Analisti Shefik Shkodra, për gazetën "Kosova Sot ", thotë se në kushte normale, studentët dhe rinia e arsimuar shqiptare do të ishte një shtresë shoqërore, e cila do ta shkundte këtë pluhur politik mbi vendin dhe popullin. "Në kohën e sotme, këta studentë kam dëgjuar se janë të ndarë sipas orientimeve partiake. Kanë kuvende të vetat. Kanë bashkëpunimin me ndonjë profesor me përkatësi të kësaj apo asaj partie. Pra, secili nga ata profesorë i kanë nën kontroll grupin e studentëve. Njëra palë çohet kundër një udhëheqje të Universitetit, tjetra ngritët dhe e mbron", theksoi ai. Aksioni qytetar, ende i dobët Analisti Ali Hertica, për gazetën " Kosova Sot', thotë se sa gazetarë, njerëz të letrave, intelektualë, artistë, sociologë, juristë të shquar mund ta kishin pasuruar, zgjeruar dhe përmirësuar protestën. "Protesta kërkon të zgjojë nervin e kësaj shtrese, që mban dhe duhet të mbajë qëndrime si zëdhënësja dhe përçuesja e vlerave më të mira që kemi dhe trashëgojmë. Liria për të protestuar është themeli i sistemeve demokratike, liri kjo e sanksionuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës , një liri individuale dhe kolektive, që mund të përdoret për çdo kauzë të ligjshme.

Qytetarët ende nuk janë mësuar t'i gëzojnë këto të drejta. Aksioni qytetar është pak i zhvilluar dhe shqiptarët ende nuk kanë mësuar që kanë disa të drejta, të cilat duhet t'i kërkojnë dhe t'i mbrojnë. Gjithë ajo robëri mendore dhe e ndërgjegjes ka rritur një brez, i cili është mësuar të jetë i nënshtruar ndaj të gjitha politikave që vijnë prej politikës. Ndaj, shumë pak njerëz e kanë ndërgjegjen për të marrë pjesë në protestë", u shpreh ai. "Indiferentizmi na ka pushtuar si shoqëri dhe asnjë padrejtësi nuk sjell më reagim. Në mbrojtje të duarve të tyre të pista, politikanët nuk janë ndalur së kryeri eksperimente të pafundme, me të vetmin synim, zvarritjen e reformës. Është kjo arsyeja që ne shqiptarët e kemi kuptuar se sido të ndodhë, kjo politikë i ka bërë tashmë pis të gjitha duart e saj", ka thënë më tej Hertica.

Qytetarët mezi presin revoltën studentore Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë studentët ata që do ta shkundnin nervin e fjetur të shoqërisë kosovare. Kështu, qytetari nga Prishtina, Murat Lepaja, për gazetën " Kosova Sot', thotë se do të ishte mirë sikur studentët tanë të ngriheshin në protesta paqësore, ashtu si e kanë bërë gjithmonë gjatë historisë më të re dhe më pas iu kanë bashkangjitur edhe popullata jonë. "Demonstratat e studentëve do të kishin ndikim shumë të madhe në thyerjen e kësaj heshtjeje të qytetarëve, në mënyrë që ta largojmë këtë kastë sundimtarësh", u shpreh ai. "E keqja është se edhe studentët tanë janë të shkapërderdhur e të ndikuar nga politika ditore dhe janë të shpërndarë pikë e pesë. Por, kam shpresën se studentët tanë do të dinë që të bashkohen për interesa madhore kombëtare e mos të ndikohen nga politika ditore", vlerësoi Lepaja. Ndërsa, qytetari tjetër, po ashtu nga Prishtina, Shemsi Muçiqi,për gazetën " Kosova Sot', thotë se ka arsye të shumta që studentët tanë duhet që të protestojnë, sepse ka shumë pakënaqësi me këtë klasë sundimtarësh.

"Por, e keqja është se studentët tanë po keqpërdoren dhe një pjesë e tyre po punojnë për partitë e Qeverinë që i kanë blerë me para", potencoi ai. Sipas Muçiqit, studentët tanë duhet lënë ndasitë anash e të bashkohen dhe ta rrëzojnë këtë Qeveri të kalbur e të korruptuar këtu e në Shqipëri.

KLASA POLITIKE TË LARGOHET NGA PUSHTETI "Ne nuk duhet të shpresojmë në ndonjë rreze drite në fund ku ndodhemi tashmë. Tashmë të gjithë e kemi të qartë, kemi në krye një klasë politike krejtësisht të degraduar dhe pa asnjë mundësi shërimi. E vetmja zgjidhje është largimi i saj. Te ne, gjithçka është pushtuar nga korrupsioni dhe degradimi, duke shfrytëzuar flamurin e antikorrupsionit. Është ky lloj pushteti që ka mundur të mbushë sistemin e drejtësisë me kukulla të pista, që ua garantojnë vjedhjet dhe abuzimet", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot".

STUDENTËT, GJITHNJË NË BALLË TË NDRYSHIMEVE Analisti Ragip Guraziu, për gazetën " Kosova Sot", thotë se vetëm studentët e vërtetë kosovarë janë ata që mund ta sjellin një revolucion paqësor për të flakur tej këtë klasë politike të degraduar që po sundon në Kosovë që nga pas lufta. "Ishin studentët tanë që e bënë këtë në vitin 1968, më 1981 dhe më 1989 kundër regjimeve antipopullore", u shpreh ai. "Këto protesta paqësore në asnjë mënyrë nuk munden që të bëhen me ata studentë që gjenden në krye të të të ashtuquajturave Shoqata të studentëve, që janë të kapura dhe të ndikuara nga politika ditore dhe u shërbejnë qeverive dhe koalicioneve në pushtet. Por, kjo mund të bëhet vetëm nga studentë meritorë të këtij vendi, që nuk e durojnë më t'i shkelë ky regjim, ashtu edhe si i ka shkelur të gjithë qytetarët e këtij vendi, që i ka sjellë buzë greminës së mbijetesës dhe që të vetmin synim e kanë të ikin sa më parë nga Kosova", tha Guraziu.

(Kosova Sot)